Jump to content

Ali Kraja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Hafiz Ali Kraja)

Hafiz Ali Kraja ose Hafiz Ali Tari (Shkodër, 1900 - 1973) ka qenë hoxhë, publicist e atdhetar shqiptar.

Leu në një familje me origjinë nga Kraja, të rënë në Shkodër pas vendimeve të Kongresit të Berlinit më 1878 për trevat e banuara nga shqiptarët që do t'i lëshoheshin Malit të Zi. I njohur si Ali Tari, me gjasë si shkurtim tregues si i biri i Tarit (Myftarit), kjo prej mospërdorimit të mbiemrit në miletin musliman përgjatë kohës së sundimit osman. Mejtepin, ruzhdien dhe medresen e kreu në Shkodër nën kujdestarinë e Hafiz Hafiz Ismail Hakiut. Mbasandej u dërgua në Kairo për studimet teologjike në Universitetin e Al-Azhar. Me përfundimin e studimeve më 1924 për Filozofi e Fëkëh,[1] Myftinia e Shkodrës e caktoi teologun e ri të shërbejë si hoxhë e imam i Xhamisë së Plumbit. Më vonë në Xhaminë e Parrucës, Fushë-Çelës e edhe ndër xhami tjera.[2] Më 1931 u martua me Zenepen.[3]

Myftinia e Tiranës e grishi të merrte vendin e myftiut të Durrësit dhe drejtorit të revistës "Zani i Naltë", por nuk pranoi duke qenë i mendimit se po shërbente aty ku ishte më e nevojshme. Më 1934 Hafiz Aliu boton libërthin "A duhet feja. A e pengon bashkimin kombtar?" në Shkodër tek shtypshkronja "Ora e Shkodrës", ku shpreh mendimet e tij rreth risimeve që i aviteshin shoqërisë shqiptare të pambrojtur.[2]

Kur paria e Shkodrës vendosi t'i dërgojë Asamblesë Kombëtare dërgatën e vet, Hafiz Aliu nuk shkoi për t'i dërguar kurorën Mbret Viktor Emanuelit. Më 1943 internohet nga italianët në Porto Palermo me të atin dhe dy vëllezërit. Nё shtator tё vitit 1943, pas kapitullimit italian, nё xhaminё e Fushё Çelёs ai iu drejtua audicionit me hytben “Ç’ёshtё komunizmi dhe pasojat e tij pёr popullin shqiptar”.[4]

Në pragun e ardhjes së partizanëve mbi Drin, kontribuoi për një farë marrëveshjeje mes Sulçe beg Bushatit dhe Gjon Marka Gjonit sa i përket masave që do të merrte Komiteti Kombtar i Shkodrës për të përballuar forcat partizane.[5] Me marrjen e pushtetit nga komunistët Hafiz Aliu doli në ilegalitet deri më 1947 kur u dorëzua duke përfituar nga amnistia që u dha. e dёnuan me vdekje, por duke pёrfituar nga amnistia u dёnua me burgim tё pёrjetshёm, me vendimin nr. 213, datё 8.6.1947, kthyer nё 25 vjet burg; nga njё amnisti e dytё pёrfitoi zbritje dёnimi, kёshtu qё doli nga burgu mё 12 tetor 1965, pas njё vuajtje prej 18 vitesh.[6]

Atë vit i grabitet biblioteka dhe nga ai moment Hafiz Ali Tari u vetëizolua dhe nuk doli nga shtëpia, deri kur vdiq më 1974.[7]

Përndjekja e familjes

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas arrestimit, familjes iu konfiskua pasuria, e shoqja Zenepja me fëmijët u rritën me mundime të mëdha.[3]

  1. ^ Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi (1997). Në kujtim të brezave. Shkodër: Shtëpia botuese "Rozafat". fq. 536–537.
  2. ^ a b Bello, Hasan (5 nëntor 2010). "Edukimi dhe formimi i Hafiz Ali Krajёs, personaliteti i tij". islamgjakova.net.
  3. ^ a b Fatbardha Saraçi (Mulleti) (2013). Kalvari i grave në burgjet e komunizmit. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. fq. 76–77. ISBN 9789928168146.
  4. ^ Luli, Dizdari, Bushati 1997, p. 541
  5. ^ Tufa A., Portret ndër pasqyra: Hafiz Ali Kraja (Tari) 1900 -1973, dritaislame.al, 1 prill 2013.
  6. ^ Luli, Dizdari, Bushati 1997, p. 545
  7. ^ Luli, Dizdari, Bushati 1997, pp. 547-548