Hakif Zejnullahu
Hakif Zejnullahu (22 qershor 1962 – 31 janar 1997) lindi në fshatin Lladoc të Podujevës. Ishte bashkëluftëtar i komandantit Zahir Pajaziti. U vra në një pritë të organizuar nga forcat serbe më 31 janar të vitit 1997 në fshatin Pestovë të Vushtrrisë së bashku me Zahir Pajazitin dhe Edmond Hoxhën.
Shkollën fillore e kreu në fshat, ndërsa të mesmen në Podujevë. Vijoi studimet në Universitetin e Prishtinës.
U edukua në frymën e atdhedashurisë, me rrëfimet për të bëmat në kundërshtimin e sistemeve antishqiptare, në të gjitha kohët, nga paraardhësit e tij të familjes dhe figurat madhore kombëtare në Llap, Kosovë e në trevat shqiptare.
Që në moshë të hershme ishte shumë aktiv në të gjitha lëvizjet kundër pushtetit. Së bashku me shumë shokë, miq dhe familjarë, mori pjesë aktive në demonstratat gjithëpopullore të vitit 1981, duke qenë një nga organizatorët e tyre në Podujevë.
Ishte në të gjitha aktivitetet bashkë me Zahir Pajazitin, me të cilin ishin dajë e nip. Të dy bashkë dhanë një kontribut tepër të madh në kundërshtimin e veprimeve të Serbisë kundër Kosovës dhe shqiptarëve në vitin 1989. Ishin, po kështu, organizatorë dhe pjesëmarrës të protestave dhe formave të tjera të kundërshtimit të pushtetit serb edhe në vitet në vijim.
Pas ashpërsimit të pushtimit të Kosovës nga Serbia, aktiviteti i tij mori një tjetër kah. Fliste vazhdimisht se, krahas qëndresës dhe lëvizjes paqësore politike të udhëhequr nga shqiptarët në këto vite, Serbia nuk largohet nga Kosova pa luftë të armatosur.
Në vitin 1992 ishte dy herë për vizitë në Shqipëri. Hulumtoi gjatë gjithë kohës mundësinë e vënies në kontakt me eprorë ushtarakë në këtë vend, me qëllim të mundësimit të përgatitjes ushtarake të djemve nga Kosova, për luftën që dukej se pashmangshëm do të vinte. Viteve në vijim, udhëtoi disa herë në Shqipëri, qoftë për çështje organizative, qoftë për furnizim me armë.
Ishte pjesë e njerëzve të parë, themeltarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithnjë së bashku me Zahir Pajazitin. I dashur, i urtë dhe i qetë, ai ishte njeriu që përzgjodhi djemtë më të mirë në Llap, Gallap e Prishtinë, për t’i bërë pjesë të UÇK-së. Mori pjesë në përgatitjen dhe kryerjen e shumë aksioneve kundër forcave serbe, në tërë Kosovën. Ishte një organizator i shkëlqyeshëm. Dhe, mbi të gjitha, financues i pandalshëm i UÇK-së me mjete materiale, që i siguronte nga puna dhe familja e tij.
Shtëpia e Hakifit në Lladoc të Podujevës ishte vendi ku planifikoheshin të gjitha aksionet e UÇK-së dhe ku strehoheshin pas aksioneve të gjithë luftëtarët e UÇK-së. Kjo shtëpi, gjithashtu, njihet si baza e parë e UÇK-së dhe depoja e parë e armatimeve të kësaj ushtrie.
Ra heroikisht, së bashku me Zahir Pajazitin e Edmond Hoxhën, më 31 janar 1997, në një pritë të forcave serbe në Pestovë të Vushtrrisë. La prapa babain, Sabitin, motrat Fexhrijen e Naxhijen, vëllezërit Bajramin e Sabedinin dhe bashkëshorten Hajrijen.
Më 16 shkurt 2013 u nderuar me Urdhrin “Hero i Kosovës”, dekorata më e lartë që jepet nga Presidenti i shtetit.
Emrin e tij e mban kazerma e Forcës së Sigurisë së Kosovës në rrugën Prishtinë-Podujevë., salla e sporteve në Podujevë, një nga rrugët kryesore në këtë qytet. Emrin e tij e mban edhe një rrugë në Prishtinë, si dhe rrugë në shumë qytete të tjera të Kosovës, si në Vushtrri, Deçan e të tjerë. Në vendin e rënies, në Pestovë, është i ngritur lapidari në nderim të tre heronjve të Kosovës. Shtëpia ku është lindur dhe ka jetuar Hakif Zejnullahu, në fshatin Lladoc të Podujevës, është kthyer në kompleks memorial.
Medalje
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Medalja Luftëtar i Lirisë Adem Jashari, akorduar nga Presidenti i Kosovës më 31 janar 2008
- Urdhri Hero i Kosovës, akorduar nga Presidenti i Kosovës më 16 shkurt 2013