Jump to content

Idriz Boksi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Haxhi Idriz Boksi)

Haxhi Idriz Boksi (Shkodër, ? - 1877) ka qenë imam dhe patriot shkodran, bëmat e tij në kryengritjen e Hamz Kazazit janë lakuar ndër këngë popullore.

U lind në Shkodër pranë Xhamisë së Begos, i biri i një fshatari nga katundi Boks i Postrribës, të quajturit Hasan. I ati e dërgoi në mejtep, ku për shkak të një ngatërrese mes të rinjsh patën si kusht pajtimin shpërnguljen e familjes në lagjen Ndocej. Duke qenë se një farefis i Idriz Boksit ndodhej në Egjipt, u krijua mundësia që vetë Idrizi të merrte atë rrugë, ku sundonte Mehmet Ali Pasha, ishte një vend mjaft i preferuar nga shqiptarët.

Duket se Idriz Boksi në Egjipt ka ndjekur mësimet në medrese duke u diplomuar për hoxhë. Titullin "haxhi" e fitoi në sajë të pelegrinazhit të tij në Mekë. Thuhet se mori rrugën për në Indi. Nuk dihet se në cilin qytet dhe për sa kohë qëndroi atje, por është fakt se, kur u kthye, në kujtim të kësaj eksperience, vishej si shehlerët e atyre viseve të largëta të lindjes. Më 1835 ishte imam i xhamisë së lagjes Ndocej në vendlindje. Në lëvizjen e Hamz Kazazit, Haxhi Idrizi i priu çetës së lagjes së vet me armë në dorë, duke lëshuar fetva për të luftuar kundër njësive qeveritare.

Mbasi morën fund luftimet, në mes të kryengritësve dhe qeverisë u përfundua një marrëveshje. Haxhi Idrizi nuk iu bind vendimit, u arratis dhe vajti në Postrribë, por pasi mori vesh se iu arrestuan motrat që ishin strehuar te krushku i tij Beqir Behri, u dorëzua. Autoritetet e dërguan në Stamboll, e burgosën dhe e dënuan me vdekje, por iu bë një falje e përgjithshme nga sulltani. Më 26 prill Haxhi Idrizi u kthye nga internimi dhe burgosja, i pajisur me dekret sulltanor për emërimin imam i xhamisë së Ndocejve.

Ndërroi jetë më 1877, kur dhe u varros në varrezat e xhamisë ku shërbeu.[1]

  1. ^ Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet v. I. Shkodër: Idromeno. fq. 495–498. OCLC 645720493. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)