Kalokagathia
Kalokagathia ose kalos kagathos (greqishtja e lashtë: καλὸς κἀγαθός καλοκαγαθία) është një shprehje e cila paraqet idealin e përsosjes fizike dhe morale të njeriut në kulturën greke të shekullit V p.e.s..
Përdorimi i saj vërtetohet që nga Herodoti dhe periudha klasike. Fraza në fjalë është e përbërë nga dy mbiemra, καλός ("i bukur") dhe ἀγαθός ("i mirë" ose "i virtytshëm").
Werner Jaeger e përmbledh atë si "idealin e personalitetit të kalorësit të kompletuar, harmonik në mendje dhe trup, katërfish, në betejë dhe fjalim, këngë dhe veprim".[1]
Përdorimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përdorimi i shkruar i shprehjes daton që nga gjysma e dytë e shekullit të V dhe shekullit IV p.e.s.. Për shembull, te Lysisi i Platonit, një i ri përshkruhet si i zhytur në kalokagathia.[2]
Ka diskutime tematike për shprehjen kalokagathia te Aristoteli në veprën Etika Eudemiane,[3] Libri VIII, Kapitulli 3 (1248b). Se si duhet të jetojë një kalos kagathos (zotëri) diskutohet gjerësisht në Dialogjet sokratike të Ksenofonit, veçanërisht në veprën Oekonomikos.
Te Aristoteli, termi bëhet i rëndësishëm si një term teknik i përdorur në diskutimet rreth Etikës .[3]
Kalos
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mbiemri καλός do të thotë i/e bukur dhe përfshin kuptime të barabarta me "fisnikëria" dhe "bukuria". Forma më e shpeshtë është në gjininë mashkullore, por ajo përdorej në mënyrë të barabartë edhe për gratë (forma femërore është καλή ) dhe gjithashtu mund të përshkruaj edhe kafshë ose objekte të pajeta.
Platoni, në veprën e tij Republika, ka përdorur termin τὸ καλόν (forma neutrale) në përpjekjet e tij për të përcaktuar idealet. Sidoqoftë, protagonisti i tij në dialog, Sokrati, deklaroi se ai nuk e kuptonte plotësisht natyrën e këtij termi καλόν.
Agathos
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ky mbiemër i dytë do të thotë "i mirë" në një kuptim të gjerë dhe të përgjithshëm, dhe nuk kishte konotacione të veçanta fizike ose estetike, por mund të përshkruante përsosmërinë e karakterit të një personi (virtyti etik), për shembull mirësia, trimëria. Në shekullin IV, shprehja shpesh kishte implikime të sjelljes qytetare. Me një fjalë shprehte mirësinë.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Jaeger, Werner (1945). Paideia, The Ideals of Greek Culture (në anglisht). Nju Jork: Oxford University Press. fq. 13.
- ^ Weiler, Ingomar (12 nëntor 2013). "Inverted Kalokagathia". përmbledhur nga Gardner (red.). Representing the Body of the Slave Studies in slave and post-slave societies and cultures (në anglisht). Routledge. ISBN 1317791711. ISSN 1462-1770.
- ^ a b Engstrom, Stephen; Whiting, Jennifer (13 prill 1998). Aristotle, Kant, and the Stoics: Rethinking Happiness and Duty (në anglisht) (bot. reprint). Cambridge University Press. fq. 178. ISBN 0521624975.