Kisha Saksone "Shën Pjetri"

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Kisha Saksone "Shën Pjetri" në Stantërg
Gërmadhat e Kishës Sakse, Stan Tërg - 1.jpg
Kisha Saskone "Shën Pjetri" në Stantërg
Vendndodhja Stantërg, Mitrovicë
Ndërtuar Shekulli XIII
Emri zyrtar: Monument
Lloji Nën mbrojtje
Përcaktuar 8/58, 2079/2011, 2171/2012
Nr. i referencës 6

Kisha Saksone "Shën Pjetri" (Stantërg)[1] është një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore e cila gjendet në fshatin Stantërg të komunës së Mitrovicës.[2]

Historiku[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kisha Saksone Katolike "Shën Pjetri" gjendet rreth 9 km në lindje të qytetit të Mitrovicës, në Stantërg, komuna e Mitrovicës. E njohur në popull më shumë si kisha sase ose edhe kisha sakse, ajo u ndërtua në shekullin e XIII për nevojat fetare të xehetarëve dhe tregtarëve saksonë të cilët punonin në minierat aty pranë. Për herë të parë është përmendur në një letër të Papës Benedikti XI në vitin 1303 si seli e “famullisë katolike në Trepçë”. Nga kjo del që prezenca e komunitetit katolik vendor daton shumë më herët se në shekullin XIII, kur komuniteti i minatorëve sas, si njohës të nxjerrjes dhe përpunimit të xeheve, u vendosen në këtë lokalitet. Nga të dhënat e shkruara del që kjo kishë me gjasë ka qenë në funksion gjerë në shekullin XVI (përkundrejt faktit që sasët që në dekadën e parë të shekullit XV pushojnë së ekzistuari në Trepçë), meqë në këtë periudhë komuniteti katolik është ende shumë i numërt. Kështu në këtë kohë në Trepçë përveç Kishës Saksone të Shën Pjetrit përmendet edhe Kisha Katolike e Shën Mërisë dhe në vitin 1448 përmenden katër priftrinjë katolik. Pushtimi osman në mesin e shekullit XV çoi në rënie të numrit të popullsisë katolike dhe kishës së tyre dhe në këtë mënyrë, në fillim të shekullit XVII kisha e Shën Pjetrit u braktis plotësisht. Me sa dihet deri më tani kjo kishë është restauruar vetëm një herë në vitin 1967. Sot Kisha Saksone "Shën Pjetri" në Stantërg është pothuaj e tëra në rrënoja.[3]

Përshkrimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gërmadhat e kishës paraqesin një pamje mjaft pitoreske, në një peisazh malor shumë të bukur, me gjurmë mjaft të dukshme të aktiviteteve minerale. Sot, ka mbetur vetëm pjesa e vjetër e mureve perimetrike (në një lartësi për rreth 0.45 cm mbi nivelin e dheut). Muri i vetëm i cili qëndron është pjesa kryesore e murit lindor, me tri apsida. Ndërtesa është e tipit bazilikal - tri anijatshe; gjurmët e mbetjeve na japin me dije se anijatet mes veti ishin të ndara me shtylla dhe harqe. Mbetja e mureve tregon se kisha nuk ka pasur vetëm hyrjen kryesore nga perëndimi, por po ashtu edhe dy hyrje anash, në atë veriore dhe jugore. Baza e kishës është drejtëkëdëshe (14.0 x 19.0 m) e orientuar në drejtimin perëndim-lindje dhe përfundon me pjesën apsidale nga ana lindore. Pjesa apsidale është ruajtur më mirë dhe është e mbuluar me tri gjysëm-kupola. Apsida e mesit në zonën e ulët ka një hapje-dritare, ndërsa në zonën e lartë ka tri hapje. Harqet e dritareve janë të thyera, të ndikimit gotik. Në tri apsidat janë ruajtur gjurmët e freskave në dy shtresa. Shtresa e parë daton nga shek. XIV, kurse shtresa e dytë nuk dihet se cilës kohë i takon. Ndërtimi i mureve tregon ndikimin bizantin. Struktura është ndërtuar prej murit të përzier (gurë-tulla) nga materiali guror molloz dhe tullave të plota të argjilës së pjekur. Trashësia e mureve është përafësisht 1.5 m. Punët e restaurimit dhe konservimit janë kryer një herë në periudhën korrik-gusht të vitit 1967. U punua serkllazhi nga beton armeja për të ndërprerë plasaritjet vertikale dhe restaurimi i arkivoltës. Ndërkaq muret perimetrike u zbuluan dhe u konservuan në lartësinë prej 50 cm. Formësimi i kornizave të freskave, pllombimi i freskave me llaç kazein si dhe fiksimi në mur u punua me injektim. Ndërkaq pastrimi i freskave u punua me shalitër. Sipas njohurive të deritanishme, gjatë kohëve, ky monument i kulturës nuk pësoi transformime.[4]

Galeria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]