Jump to content

Kisha e Shën Mërisë (Elbasan)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Kisha e Shen Marise Elbasan)
Kisha e Shën Mërisë (Kala, Elbasan)
Pamje e jashtme e kishës së Shën Mërisë
LlojiArkitekture
VendndodhjaElbasan, Shqipëri
Koordinatat41°06′56″N 20°04′49″E / 41.1155°N 20.080361°E / 41.1155; 20.080361
NdërtuarGjysmës së dytë të Shek.XIII
Organi drejtuesDRKK Elbasan
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore
LlojiNën mbrojtje
KriteretI
Përcaktuar586 (17.03.1948)
4874 (23.09.1971)
Nr. i referencësEL055
Vendstrehim
Kisha e Shën Mërisë (Elbasan) is located in Earth
Kisha e Shën Mërisë (Elbasan) (Earth)

Kisha e Shën Mërisë është shpallur monument kulture në vitin 1963 nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ajo gjendet në qytetin e Elbasanit dhe shquhet për vlerat e saj etnokulturore e arkitekturore të rralla. E ndërtuar rreth vitit 1830 nga komuniteti ortodoks, mbi themelet e një kishe më të vjetër.

Kisha e Shën Mërisë është një ndërtim me arkitekturë të stilit të vonë bizantin, ku janë përdorur gurë të gdhendur. Në brendësi të kishës gjenden katakombet, ku vendoseshin trupat e të vdekurve. Mendohet që nga katakombet ka pasur korridore të nëndheshëm, të cilët të drejtonin për në pjesën e poshtme të qytetit, jashtë në male.

Kisha e Shën Marisë renditet krah kishave të tjera ortodokse të trevës se Elbasanit që nga shek. XVII e deri në shek. XIX, që janë dhe monumente kulture si kisha e Amelit, që i përket shek. XVII, ajo e Shën Kollit në Shelcan, e ndërtuar në vitin 1554, kisha e Shën Premtes në Valësh e vitit 1554, kisha e Shën Kozmait dhe Damianoit në Stërstan e shek. XVIII, ajo e Shën Mëhillit në Shalës e shek. XVII, kisha e Shën Mërisë në Dragot e shek. XVII, kisha e Shën Kollit e shek. XVII dhe ajo e Shën Thanasit në Elbasan e vitit 1554.

Historianet pohojnë se kisha ka një historik interesant te ndërtimit dhe ekzistencës se saj. Sipas tyre, në vitin 458, qyteti i Elbasanit, i quajtur Skampis, u bë qendër peshkopate. Mendohet të ketë patur një katedrale në qendër të lagjes Kala, si dhe një tjetër në Jugperëndim të Kalasë.

Burimet historike dëshmojnë se në 1656, 1661, kisha e Shën Mërisë funksiononte rregullisht me vakëfe e të ardhurat. Në kodikun e kishës ka të dhëna për dhuratat e qytetarëve, regjistrime të llogarive, të të ardhurave, shpenzimeve, pasurive të patundshme.[1]

Sipas të dhënave, dyshemeja e kishës, ku salla qendrore veçohet nga absida, u shtrua me mozaikë të ndarë në katër panele me pllaka mermeri, një ikonostas dhe pllaka të zbukuruara me motive kristiane. Në krah të saj, nga pjesa veriore u shtua një kishëz (kapela) e vogël me dy vende varrimi, mbi njërin prej të çileve u gjet pllaka me mbishkrimin latin të emrit Ika Abus dhe në varrin tjetër me emrin Stefan, qe është emri i peshkopit që drejtonte Peshkopatën e Butrintit në vitin 458. Pikërisht, në gjurmët e kishave paleokristiane, u ngrit kisha e Shën Marisë e kalasë, që i përket një ndërtimi relativisht të ri.

Klerikët më të përmendur ishin Visaron Xhuvani, Dhimititër Dhimitruka, Veniamin Deliana, të cilin pariarkana greke e shkishëroi dhe anatemoi për predikimin në gjuhën shqipe të ungjillit, përkthyer nga Kostandin Kristoforidhi.[2]

Me 11 nëntor të vitit 1819, kisha u dogj plotësisht, ndërsa punimet për rikonstruksionin e saj, të cilat filluan në vitin 1826, përfunduan në 1833. Sipas burimeve historike, djegia e kishës thuhet se shkaktoi një dhimbje të madhe tek banoret e qytetit të Elbasanit, jo vetëm tek besimtaret ortodokse të tij, por dhe ata myslimane. Këta, me një thirrje të përbashkët, mblodhën bizhuteri të vyera dhe para për rindërtimin.

Përsa i përket planimetrisë, është e tipit me sallë qendrore, e mbuluar me kupole mbi tambur. Kapela mbështetet në harqe, në muret anësore, ndërtuar pranë trupit të kishës. Nuk janë ndërtime në nivele të barabarta. Kisha është e ndërtuar me gurë e tulla. Pikturat e kubesë janë realizuar në vitin 1859. Shumë interes në kishë paraqet ikonostasi i gdhendur nga 40 mjeshtra dibranë, të cilët punuar rreth 10 vite.[3]Çdo gjë në ikonostas është tërheqëse, deri në detajet e përdorura, të lyera me llak ngjyrë floriri.

Në arkitekturën e veçantë të ristrukturimit të saj me blloqe guri të gdhendur, me trashësi 1.2 metra, vihet re ndërtimi me rreze dhe kënd, me qëllim që t'i rezistojë çdo fenomeni.

Rilindja kombëtare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kjo kishë ka shërbyer jo vetëm si objekt kulti, por dhe qendër arsimore. [nevojitet citimi] Këtu kane ushtruar veprimtarinë e tyre për shkrimin e gjuhës shqipe dhe deklarimin e psalmeve në gjuhen shqipe shumë atdhetarë, si Dhaskal Tod'hri, Teodor Haxhifilipi, Konstandin Kristoforidhi, Aleksandër Xhuvani, etj.

Kisha në ditët tona

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kisha u rihap pas viteve 1990 me iniciativën e famullitarit më të vjetër të saj, At Spiro Veli, dhe besimtareve ortodoksë të lagjes "Kala". Rimëkëmbja e saj u realizua me fonde të vetë komunitetit elbasanas, si dhe nga familje atdhetarësh që jetojnë në Amerikë dhe me ndihmësën e veçantë të shoqërisë "Vatra". Hapja i dha një hop ruajtjes dhe identitetit të saj, duke marrë dhe emërtimin e pare Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare, e sanksionuar në çertifikatën e 82 vjetëve me parë.

Kohët e fundit kisha e Shën Mërisë është rikonstruktuar duke u kthyer në identitet pas një fondi të akorduar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.[4] Famulltari aktual i kishës është At Nikolla Marku, kundështues i rreptë i politikave të ndjekura nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nën drejtimin e kryepeshkopit Anastasi Janullatos.[5]

  1. ^ Bashkia Elbasan (2003). Elbasani enciklopedi. Sejko. fq. 298.
  2. ^ Bashkia Elbasan (2003). Elbasani enciklopedi. Sejko. fq. 289.
  3. ^ Bashkia Elbasan (2003). Elbasani enciklopedi. Sejko. fq. 289.
  4. ^ "Nga turizmi.com". Arkivuar nga origjinali më 5 janar 2012. Marrë më 27 korrik 2011. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Forumishqiptar.com Kreu u Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare,Hirësia e Tij, Anastas Janullatos, kishte kundërshtuar me forcë dhënien e fondit për rikonstruksionin e kishës sonë, por, fatmirësisht, qeveria me fondet e çelura po e kthen këtë në identitet", ka deklaruar, At Nikolla Marku, kryetar i Kishës Autoqefale Shën Mëria në lagjen "Kala" të qytetit të Elbasanit.