Konkatedrala e Shën Luçisë
Kisha e “Shën Luçisë” në Durrës është një kishë katolike e ndërtuar mes viteve 1858-1868.[1] Ajo është kisha me e vjetër e krishterë në qytetin e Durrësit dhe gëzon statusin e kon-katedrales nga Argjipeshkvia katolike Tiranë-Durrës. Brenda kishës ndodhet varri i imzot Pjetër Gjurës dhe Nikoll Kaçorrit si dhe eshtrat e të lumëve Vinçens Prennushi dhe Jul Bonati.[2]
Në këtë kishë kanë shërbyer me radhë disa nga figurat më të rëndësishme të katolicizmit shqiptarë në shekullin e XX. Mes tyre Nikoll Kaçorri, Jul Bonati, Françesko Melkiori, Pjetër Gjura, Vinçens Prennushi, Anton Zogaj, Gjergj Meta, etj. Së fundmi famullitar i kishës është dom Marjam Lumçi.[3]
Kisha ka marr statusin “në mbrojtje paraprake”, pas propozimit për shpallje monument kulture që Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës i ka dërguar Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitin 2018.[4]
Shën Luçia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kisha duket se e merr emrin nga shenjtorja Luçia e Sirakuzës, e cila jetoi mes viteve 283-304. Sipas historisë tradicionale, Luçia lindi në Sirakuza nga prindër të pasur dhe fisnikë në vitin 283. Babai i saj ishte me origjinë romane por vdiq kur ajo ishte vetëm 5 vjeç, duke e lënë vetëm Luçian dhe nënën e saj Eutika, e cila me shumë mundësi kishte origjinë greke.
Që në moshë të re, ajo ia kishte kushtuar jetën e saj Zotit dhe synonte t'ua shpërndante pasurinë e saj të varfërve. Eutika, e cila vuante nga një sëmundje e rëndë, kishte frikë për të ardhmen e vajzës dhe kombinoi martesën e saj me një të ri shumë të pasur i cili i përkiste besimit pagan.
Shën Agatha ndërkohë ishte martirizuar 52 vjet më parë gjatë përndjekjes së Decianit. Varri i saj në Katania, më pak se 80 kilometra larg nga Sirakuza, tërhiqte një numër të madh pelegrinësh. Shumë mrekulli u raportuan se kishin ndodhur me ndërmjetësimin e saj. Eutika u bind të bënte një pelegrinazh në Katania, me shpresën e një shërimi. Ndërsa ishte atje, shën Agatha ju shfaq Luçias në një ëndërr dhe i tha se për shkak të besimit të saj, nëna e saj do të shërohej dhe se Luçia do të ishte lavdia e Sirakuzës, siç ishte ajo vetë e Katanias. Eutika u shërua dhe Luçia shfrytëzoi rastin për të bindur nënën e saj që ta lejonte të shpërndante një pjesë të madhe të pasurisë midis të varfërve.
Lajmi se trashëgimia dhe xhevahiret e familjes, ndër to edhe paja e fejesës, po shpërndaheshin mes të varfërve, i shkoi të fejuarit të Luçias, i cili i verbuar nga xhelozia, e denoncoi atë te Pakasiusi, guvernatori romak i Sirakuzës. Pakasius, duke dyshuar se ajo mund të ishte e krishterë e urdhëroi vajzën të bënte kurban një kafshë në nder të perandorit. Luçia refuzoi dhe guvernatori romak e dënoi të humbte virgjërinë në një shtëpi publike.
Tradita e krishterë thotë se kur rojet erdhën për ta marrë Luçian, ata nuk mund ta lëviznin atë nga vendi. Sipas tregimit ushtarët romak të inatosur e lidhën atë pas një demi por as në këtë rast Luçia nuk luajti nga vendi. Pastaj romakët tentuan ti vinin flakën, por flaka nuk ndizej në asnjë formë. Në fund ata vendosën t'i prenin asaj fytin.
Sipas rrëfimeve të mëvonshme, para se të vdiste, ajo parashikoi vdekjen e Pakasiusit. Kjo e zemëroi aq shumë guvernatorin saqë ai urdhëroi rojet t'ia hiqnin sytë Luçias të cilët u bindën me zell. Gjithsesi kur trupi i saj u përgatit për varrim familja zbuloi se sytë e saj ishin mrekullisht të paprekur. Kjo është një nga arsyet që Luçia është shenjtja mbrojtëse e atyre që vuajnë nga sëmundjet e syve.[5]
Devocioni
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Për arsye ende të pashpjeguara nga historiografia zyrtare, emri i shenjtores ka histori të lidhur ngushtë me qytetin e Durrësit. Si tregues i kёsaj janё disa emёrtesa qё do t'i gjejmё pёrgjatё historisё.[6] Pёr shembull, gjatё mesjetёs, batllat e bregut perёndimor do tё quhen “cektina e shёn Luçisë”. Njё fshat nё prapatokё do tё mbante emrin e shenjtores dhe Mariano Bolizza do ta identifikonte atё nё vitin 1614 si Santa Lucia d’Arzenta (shёn Luçia e Erzenit). Gjithashtu njё nga burimet kryesore tё ujit nё qytet, ai qё mё pas do tё njihet si Curil (ose Currila), “afёr portёs sё detit…brenda [mureve] ndodhet njё burim”, mbante emrin e shenjtores.[7]
Studiuesi Dorian Hatibi, në veprën Historia e Durrësit: Shënime Kronologjike, jep një të dhënë tjetër interesante. Sipas tij rreth shekullit tё 9-tё të erës sonë, trupi i shenjtores, pёr t’i shpёtuar saraçenёve, u spostua nga qyteti i saj i lindjes dhe u fsheh përkohësisht nё Korfinium, pikёrisht aty ku prehej trupi i shën Pelinit, njё shenjtori durrsak.[8]
Famullia e shën Luçisë kremton çdo vit festën e saj me 13 dhjetor.[9] Kisha gjithashtu ka një devocion të fortë marian. Disa ditë të të javës i kushtohen lutjes për ndërmjetësimin e Marisë. Një ikonë e Marisë e dhuruar nga princi i Lihtenshtajnit zbukuron kishën prej vitit 2020. Ikona është një falenderim për Nënën Hirplotë e cila mbrojti kishën dhe të gjithë katolikët e famullisë gjatë tërmetit të nëntorit 2019.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Nё njё dokument tё Propaganda Fides, i cili daton në nëntor 1702, pёrgatitur nga Vinçenc Zmajeviç pёr Vatikanin, Durrёsi na paraqitet si pika mё jugore nё tё cilёn shtrihej Kisha Katolike nё Shqipёri. Ajo vazhdonte tё kishte formalisht statusin e njё arkidioqeze katolike, me arkipeshkёv imzot Pjetёr Zumin. Gjithsesi, duke parё kushtet e vёshtira nё tё cilat ndodhej qyteti dhe kisha katolike këtu pas pushtimit osman, kryedioqeza vazhdonte të ishte e transferuar nё Kurbin. Brenda në qytet nuk banonin shqiptarë të besimit katolik por banonin shumë syresh të kombësive të tjera. Italian, francez, austriak, etj të cilët me sa duket kishin ndërtuar kishëzën e tyre.
Në të njëjtin raport pra të shkruar nga Zmajeviç në vitin 1702 na shfaqet për herë të parë nё Durrёs njё kishёz e cila quhej "shёn Luçia".[10] Duke qenё se ajo pёrshkruhet si "extra muros" (jashtë mureve) duhet tё bёhet fjalё pёr njё kishё tё ndryshme nga kjo e sotmja, por e cila kishte tё njёjtin emёr. Ajo ndoshta ndodhej mbi kreshtën që lidhte "Kodrën e Moisive" (Stanin) me majën e kodrës që njihej me emrin "Kështjella e Pashës", në kuotën 59 metra mbi të cilën dikur ndodheshin edhe varrezat kristiane.[11] Kisha i shërbente fillimisht vetëm diplomatëve, marinarëve dhe tregtarёve katolikё.
Gjatë të gjithë shekullit të XVIII kisha e shën Luçisë mbi kodër kishte shërbyer si vend kulti jo vetëm për të krishterët e ritit katolik roman (latin) por edhe për ata të ritit ortodoks (bizantin). Sidoqoftë situata do të ndryshonte me kalimin e viteve. Në një relacion që ipeshkvi i Durrësit Raffaele d’Ambrosio i dërgoi Romës më 6 maj 1848 tregohet se në qytet jetonin 19 familje katolike. Ritet praktikoheshin nё kishёn e shën Luçisё mbi kodër e cila, ndryshe nga çfarë raportohej, për shembull në vitin 1750, ishte degraduar në atë nivel sa ngjante me një “shpellë plot lagështi” (ital. “tanto umida che sembra una spelonca”).[12] Ajo ishte aq e vogёl, sa shumica e besimtarёve qëndronin jashtë saj gjatë meshes, duke mos arritur ta ndiqnin dot priftin.
Do të ishte pikërisht arkipeshkëvi d'Ambrosio i cili do të luante një rol kyç në ndërtimin e një kishe të re në qytet, kishë e cila do të ndërtohej madje me ferman të posaçëm të sulltanit Abdylmexhit I. Bëhet fjalë pikërisht për kishën aktuale të shën Luçisë e cila ndodhet nё Durrёs. Fermani mban datën 27 janar 1857.[13]
Kisha do të ndërtohej me fondet e akorduara nga perandoria austriake, veçanërisht familja habsburge dhe vinte si njё nevojë e komunitetit të vogёl katolik që jetonte në qytet. Ajo do të përfundonte së ndërtuari ndoshta në vititn 1868, vit ky që gjendet i gdhendur edhe sot mbi ish pragun e portës hyrëse.[14]
Njё njё letër që Preng Doçi i dërgon gjuhëtarit arbëresh D. Camarda në tetor të vitit 1870 tregohet se austriakët kishin zbuluar nё Durrёs njё kishë nën tokë dhe brenda saj njё kryq, të cilin autoritetet turke e kishin konfiskuar menjёherё. Doçi përmend se në kishë austriakët kishin zbuluar edhe shkrime të gdhendura, që ngjanin si “mbishkrime shqip me alfabet latin, por që njëkohësisht ngjajnë me karakteret orientale.” Me sa duket, edhe ky mbishkim ёshtё konfiskuar nga autoritetet turke dhe ndoshta ka humbur përgjithmonë. Nuk na jepen të dhëna mbi kishën e zbuluar nga austriakët por ka shumë mundësi që kjo të ketë qenë zbuluar duke hedhur themelet e kishës së shën Luçisë.[15]
Mes viteve 1894-1912 shën Luçia ishte kthyer në një bazë të fshehtë të patriotëve shqiptarë të cilët e përdornin atë si vend për takimet sekrete, si magazinë për literaturën klandestine, si shkollë për mësimin e gjuhës shqipe dhe si vendstrehim në rast rreziku. Ajo ishte baza e zevendës kryeministrit të parë shqiptarë dom Nikoll Kaçorrit dhe vendi ku mblidhej fillimisht klubi Vëllazëria (viti 1907) dhe më pas ai Bashkimi (viti 1909). Në ambjentet e kishës u zhvilluan pothuajse të gjitha takimet vendimtare që çuan në shpalljen e pavarësisë në vitin 1912. Vetë Ismail Qemali, gjatë qendrimit në Durrës, kalo pjesën më të madhe të kohës në ambjentet e famullisë dhe në kthinat e shtëpisë së dom Nikollë Kaçorrit që ndodhet ngjitur me kishën.[16]
Kisha u vizitua disa herë nga princ Vidi gjatë kohës kur ai mbretëroj në Shqipëri. Tri ditë pas largimit të tij dhe marrjes së qytetit nga forcat e kryengritësë të Haxhi Qamilit, më 6 shtator 1914, kishës ju vu zjarri. Nuk i shpëtoi zjarrit as banesa e dom Nikoll Kaçorit. U dogjën kështu arkivat e kishës dhe e gjithe biblioteka e saj e pasur. Gjatë sulmit, u torturua dhe u dogj i gjallë edhe sakrestini i kishës të cilën e lidhën brenda në kishë para se t’i vendosnin flakën. Kisha ndenji e shkatërruar për disa vite deri sa u rikonstruktua përsëri nga austrohungarezët në vitin 1916. Gjatë natës së tmerrshme të 2 tetorit 1918 u godit përsëri nga bombat e aleatëve dhe u rikonstruktua përsëri pak kohë më pas, kësaj here nga ushtria italiane.
Mes viteve 1924 dhe 1934 kisha u rikonstruktua edhe dy here të tjera. Në vitin 1924 u rikonstruktua në pjesën më të madhe edhe kanonika dhe zyrat e kishës të cilat ndodheshin rreth e qark saj. Ndërsa në vitin 1934 u rindërtua në mermer altari i kishës së shën Luçias dhe u rikonstruktua një pjesë e mirë e saj.[17]
Gjatë viteve të vështira të pasluftës së dytë botërore kisha ishte nën survejim të vazhdueshëm nga diktatura. Pas vitit 1967 u kthye në Teatër Kukullash ndërsa pas viteve 1980 u kthye në magazinën e Teatrit të qytetit. Gjatë viteve të komunizmit, kur besimi ishte i ndaluar, muri i jashtëm i kishës u kthye në vend lutjesh të heshtura për besimtarët të cilët nuk e humbën kurrë shpresën se aty do të behëj përsëri meshë një ditë. Dhe në fakt pas meshës së parë të lirë të zhvilluar në Shkodër më 4 nëntor 1990, diku para Krishtlindjes, aty nga fillimi i dhjetorit të po të njëjtit vit, nën drejtimin e dom Ndoc Ndojës zhvillohet mesha e parë e lirë pas 45 vitesh edhe në katedralen e shën Luçias në Durrës. Famullitarët e parë të periudhës post-komuniste ishin do ishin dom Mark Sopi dhe dom Damjan Kurti.
Kisha do të vizitohej dy herë nga nobelistja dhe më pas shën Tereza e Kalkutës. Vizitën e parë ajo do ta bënte në mars të vitit 1991 ndërsa vizitën e dytë ajo do ta zhvilloj më 25 prill 1993 gjatë kohës kur papa Gjon Pali II do të vizitonte qytetin e Shkodrës dhe Tiranën.
Statusi Aktual
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kisha aktualisht ka statusin e kon-katedrales dhe është “në mbrojtje paraprake”, pas propozimit për shpallje monument kulture që Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës i ka dërguar Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitin 2018. Ajo është kisha më e vjetër e krishterë në qytetin e Durrësit dhe një nga më të vjetrat ende funksionale në të gjithë shqipërinë.
Arkitektura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kisha është ndërtuar me mure mbajtëse të trasha deri në 50 centimetra. Ajo ka një gjatësi prej 25 metrash, gjerësi prej 12 metrash dhe është 15 metra e lartë. Muret janë ndërtuar duke ripërdorur gurë të vjetër ndërtimi të marra nga shtëpi të braktisura. Jo rrallë herë shihen edhe tulla me monogramën e perandorit Anastasius I Dicorus të ripërdorura me shumë mundësi disa herë para se të shërbenin për ndërtimin e Kishës.
Fasada e kishës i përket stilit neoklasik ndërsa brendësia ka një stil më të thjeshtë, funksional tipik për kishat katolike të zonës. Ajo është rikonstruktuar mes viteve 2015-2017. Gjatë tërmetit të nëntorit 2019 nuk ka pësuar dëmë të mëdha strukturore.
Në brendësi kisha është e zhveshur nga suvaja dhe ka të zbuluar brendësinë e mureve të cilat shfaqen si një bashkim gurës pa formë të lidhura me llaç. Metaforë kjo e bashkësisë së krishterë e cila në shumësinë e saj përbëhet nga individ krejt të ndryshëm por të bashkuar nën dritën dhe dashurinë e Hyjit, në Jezusin. Kryqi i vendosur mbi apsidë dhe harku që krijohet jep iden e një përqafimi dhe të unitetit të kishës që buron nga vdekja e Jezusit e cila më pas kulmon me ringjalljen e tij.
Kisha ka brenda edhe 4 trupa. Dy trupa janë nën altar dhe i përkasin të lumit Vinçens Prennushi dhe Jul Bonati, martirë të persekutuar deri në vdekje nga komunizmi. Dy varre të tjera i përkasin imzot Nikollë Kaçorri, prift, patriot dhe i pari zevendëskryeministri i Shqipërisë së Pavarur dhe imzot Pjetër Gjurës, një nga figurat më të rëndësishme të krishterimit katolik në Durrësin e mesviteve 1920-1939.
Bibliografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Grup Autorës. Arnavutluk: Shqipёria nё dokumentet arkivale otomane. Stamboll, 2008.
- Bartl Peter. Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte Aus Albanien. 2. Erzdiozese Durazzo. 2011.
- Bartl Peter. Quellen und materialien zur Albanischen geschichte im 17. und 18 jahrhundert. 1979.
- Hatibi Dorian. Ecclesia Dyrrhachiensis. Botime Jozef, Durrës 2022. ISBN: 9789928383365
- Hatibi Dorian. Historia e Durrësit: Shënime Kronologjike. Botime Jozef, Durrës 2021. ISBN: 9928317968
- Hidri Sali. Historia e Durrësit. Botime Jozef, Durrës 2014.
- Shehi Eduard. Topografia e Durrësit Mesjetar. ASA, Tiranë 2022.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Grup Autorësh. Arnavutluk: Shqipёria nё dokumentet arkivale otomane. Stamboll, 2008, f. 381-383.
- ^ Hatibi, Dorian (2022). Ecclesia Dyrrhachiensis (bot. 1st). Durrës: Botime Jozef. fq. 98–99. ISBN 9789928383365.
- ^ Hatibi, Dorian (2022). Ecclesia Dyrrhachiensis (bot. 1st). Durrës: Botime Jozef,. fq. 100–132. ISBN 9789928383365.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Pikësim shtesë (lidhja) - ^ "Kisha e "Shën Luçisë" në Durrës, në prag të shpalljes monument kulture". Arkivuar nga origjinali më 4 qershor 2021. Marrë më 29 janar 2024.
- ^ Bridge, James (1913). "St. Lucy" (në anglisht).
- ^ Hatibi, Dorian (2021). Historia e Durrësit: Shënime kronologjike (bot. 1st). Durrës: Botime Jozef. fq. 179–180. ISBN 9928317968.
- ^ Heuzey, Léon (1876). Mission archéologique de Macédoine (në frengjisht). Paris. fq. 372.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja) Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja) - ^ Hatibi, Dorian (2021). Historia e Durrësit: Shënime Kronologjike (bot. 1st). Durrës: Botime Jozef. fq. 180. ISBN 9928317968.
- ^ "Më 13 dhjetor kalendari kujton Shën Luçinë, virgjër e martire".
- ^ Bartl, Peter (1979). Quellen und materialien zur Albanischen geschichte im 17. und 18 jahrhundert (në gjermanisht). fq. 122.
- ^ Shehi, Eduard (2023). Topografia e Durrësit Mesjetar (bot. 1st). Tiranë: ASA.
- ^ Bartl, Peter (2011). Albania Sacra: Geistliche Visitationsberichte Aus Albanien. 2. Erzdiozese Durazzo (në italisht). fq. 410–425.
- ^ Grup, Autorësh (2008). Arnavutluk: Shqipёria nё dokumentet arkivale otomane (në osmanisht). Stamboll. fq. 381–383.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja) - ^ Hatibi, Dorian (2022). Ecclesia Dyrrhachiensis. Durrës: Botime Jozef. ISBN 9789928383365.
- ^ Shuteriqi, Dhimitёr (2005). Tekste shqipe dhe shkrimi i shqipes nё vitet 879–1800. Tiranё. fq. 166.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja) - ^ Hidri, Sali (2014). Historia e Durrësit (bot. 2nd). Durrës: Botime Jozef. fq. 181–219.
- ^ Hatibi, Dorian (2022). Ecclesia Dyrrhachiensis (bot. 1st). Durrës: Botime Jozef. ISBN 9789928383365.