Haxhi Qamili

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Haxhi Qamili punuar nga Kristaq Rama

Haxhi Qamili i njohur edhe si Haxhi Zjarrmi[1] (Sharrë, 1876 - Durrës, 16 gusht 1915) ka qenë një fshatar analfabet nga Sharra[1] i cili qe njëri nga prijësit i kryengritjes së viteve 1914-1915 në Shqipërinë e Mesme.[2]

Biografia

Rinia

Lindur Qamil Zyber Xhameta, vinte nga fshati Sharrë dhe ishte shehu i një teqejetarikatit Melami.[3][4][5]

Qamili njihej si person me çrregullime mendore por shumë besimtar. Kishte shërbyer pranë bejlerëve të Tiranës të cilët i ndante në dy grupe: të mirë, ata që donin Turqinë; dhe "spiunë të kaurrëve", ata që donin Shqipërinë e pavarur. Ishte përzënë pasi një ditë kishte ngrënë sapunin me të cilin lanin duart duke e pandehur për djathë.[6]

Rebelimi

Kryengritja nisi në mesin e majit të 1914, por zanafillën e kishte që më 1913 e kishte mbështetjen e vet në viset Shijakut, Kavajës dhe Tiranës. Kryengritja u mbështet kryesisht nga fshatarët analfabetë të cilët kishin frikë nga humbja e tokave të fituara në kohën e Perandorisë Osmane. Më 3 qershor 1914 kryengritësit të prirë nga myftiu Musa Qazim Beqari, bënë të ditur kërkesat e tyre në një mbledhje në Kavajë, ndër kërkesat kërkonin largimin e Princ Vidit të sjellur nga Fuqitë e Mëdha. Kryengritësit myslimanë kërkuan ribashkimin e Shqipërisë me shtetin osman ose së paku të qeverisej nga një sundues osman, rivendosjen e Sheriatit, heqjen e flamurit shqiptar dhe rivendosjen e flamurit osman.

Kryengritja korri sukses të ndjeshëm në Shqipërinë e Mesme, duke mundur të kapej Lushnja dhe më 1 shtator Vlora. Dy ditë më pas, Princ Vidi u detyrua të braktiste mbretërinë e tij gjashtëmujorshe dhe kryengritësit nxorrën ligjin për ribashkimin me Perandorinë Osmane.

Qamili ishte bërë njëri ndër prijësit e kryengritjes.[2] Me anë të ca veprimeve energjike, në dukje të drejta u ngjit shpejtë dhe u bë terrori i njerëzve të shkolluar dhe patriotë. Për thuajse një vit ishte njeriu që kontrollonte Shqipërinë e Mesme.[6] Nga fundi i nëntorit të 1914, kryengritësit dolën ngadhënjyes në Tiranë, më 12 shtator shkrumbuan sarajet e Esad pashë ToptanitDerven.[7] Janarin e 1915 kryengritësit me Qamilin në krye bënë një mbledhje në Tiranë, ku vendosën se qeveria e Esad Pashës ishte jolegjitime dhe duke pohuar neutralitetin e shqiptarëve në Luftën e Parë Botërore.[8] Më 9 maj 1915 në Tiranë, në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, u zgjodh komandant i përgjithshëm.[9]

Karakteristikat

Inspirimi i Haxhi Qamilit ishte Musa Qazimi, myftiu lokal i cili mbështeste politikat e Xhonturqve.[10] Qamili i quante të krishterët "kaurrë"[11] (i.e. një fyerje shumë e rëndë kur iu drejtohet të krishterëve nga myslimanët[12]) dhe "njerëz të këqinj... të cilët as Allahu nuk i do."[13][14]. Përgjatë rebelimit të tij pro-turk, të krishterët u masakruan dhe u torturuan.[13][11] Rebelimi turkofil gjithashtu sulmoi mësuesit patriotë shqiptarë të cilët përdornin alfabetin latin gjatë mësimit.[11]

Motoja e rebelëve ishte "Duam, duam Babën-- Turqinë!"[11]. Ata ngritën flamurin e Perandorisë Osmane dhe vendosën turqishten osmane si gjuhë kombëtare.[15]

Haxhi Qamili dhe rebelimi i tij kundërshtohej nga shqiptarët myslimanë. Në regjionin e Elbasanit në veçanti, udhëheqësit lokalë të komunitetit mysliman dhe personalitete tjera, denoncuan lëvizjen si "arkaike" and "fanatike", shumë prej tyre e kundërshtuan me armë. Klerikët e Elbasanit poashtu përkrahën alfabetin latin, duke kundërshtuar bindjet e Haxhi Qamilit dhe të klerikëve më konservatorë sunitë.[16] Rebelët vranë shumë klerikë myslimanë të përfshirë në qarqet patriotike shqiptare.[17]


Vdekja

Në një përpjekje për të ndihmuar Esatin e mbështetur nga italianët,[7] Mbretëria Serbe filloi pushtimin e Shqipërisë së Mesme më 2 qershor 1915 por ndeshi në rezistencë të kryesuar nga Qamili në Qukës, ku megjithatë kryengritësit më të paktë në numër se serbët, humbën.[18] Përmes kësaj ndërhyrjeje kryengritja u shtyp, forcat serbe arrestuan Qamilin dhe prijësit e tjerë dhe ia shpunë qeverisë së Esadit në Durrës, ku iu bë një gjyq kryesuar nga Xhelal bej Zogu dhe u dënuan me varje,[19] Haxhi Qamili u var më 16 gusht.[20] Përpara se të varej, Esat Pasha i tha se nëse varte me dorën e tij gjithë shokët në litar, do t'ia falte jetën. Qamili vari shokët e tij një nga një, por në fund prapë përfundoi në litar.[6]

Trashëgimia

Bashkëkohësit si Sali Nivica nuk e përkrahte kërkesën e tij për princin musliman për shtetin shqiptar, por mbështet karakterin klasor të lëvizjes së masave. Vllamasi e sheh si kundërkombëtar, Rustemi më 1921 në mbledhjen themeluese të federatës Atdheu deklaroi se "shkaku i prishjes së Shqipërisë nuk duhet kërkuar te rebelët, por te bejlerët"; duke u vendosur kështu në të njëjtën linjë me veprimtarinë e Haxhi Qamilit. Halim Xhelo te Liria Kombëtare më 1928 e portretizon si "njeri të pagdhendur dhe fanatik", por gjithashtu synon ta arsyetojë lëvizjen si të bazuar mbi interesa klasore.[21]

Analiza historike

Enver Hoxha besonte se kryengritja fshatare nën drejtimin e Qamilit ishte kryesisht e fshatarëve të varfër, të cilët mbështeteshin tek forma tradicional qeverisëse si kuvendet e fshatit për të organizuar dhe drejtuar një përpjekje kundër interesave feudale.[22] Kësodore Hoxha u angazhua që Haxhi Qamili të interpretohej si një simbol i luftës popullore kundër imperialistëve të jashtëm dhe armiqve klasorë të brendshëm.[21] Kështu, në historiografinë e kohës së komunizmit për Qamilin thuhet se ai predikonte se çdo pronë që tejkalonte nevojat personale t'u kalonte skamnorëve, duke cituar Kuranin dhe duke përcjellur mësimin e tarikatit Melami, i cili mëson kundër pronës private.[23] Gjithashtu thuhet se kryengritësit nën komandën e Qamilit konfiskuan çifligjet e feudalëve, dogjën sarajet e bejlerëve dhe ndihmuan të varfërit, të pamundurit dhe jetimët.[2] Sipas Enver Hoxhës, lëvizja e Qamilit ishte "kundër feudalëve, pashallarëve, bejlerëve dhe agallarëve, pronarëve të toakve dhe privilegjeve në tërësi"[24]

Historiografia moderne ka kritikuar ashpër portretizimin e Haxhi Qamilit në veprat e kohës së komunizmit pasi ato vepra "rrekeshin të provonin të vërtetat e [Enver] Hoxhës në vend që të kërkonin të vërtetën".[15] Duke hedhur poshtë linjën komuniste sipas së cilës lëvizja ishte përparimtare, anti-feudale dhe për barazi, Kolasi and Rrapaj këmbëngulin që rebilimi ishte "kryengritje reaksionare myslimane" e motivuar nga "frika e fshatarëve se tokat e tyre mund t'ua merrte qeveria"[15]

Skandali në Sharrë

Në gusht të 2006 një gazetë e përditshme e Tiranës zbuloi se në Sharrë një shkollë 9-vjeçare mban emrin e Haxhi Qamilit. Opinionistë dhe intelektualë e dënoncuan zëshëm si skandal dhe pati prononcim nga ministri i Arsimit i kohës. Në të njëjtin muaj me datë 18 u botua tek "Tirana observer" opinioni i banorëve të Sharrës, mes tyre edhe familjarë të Haxhi Qamilit, shprehën tjera opinioni nga "elitarët" e Tiranës: "Ai mendonte vetëm për të varfërit"; "Ka dhënë ndihmesën e vet në mbrojtjen e Shqipërisë së Mesme. Ai ka qenë gjithmonë gati t'i ndihmojë fshatarët e varfër dhe i përbuzte agallarët dhe bejlerët"; "Ka qenë atdhetar... për mua është hero"; "Figura më e ndritur në atë kohë në Shqipërinë e Mesme". Përveç shkollës, kujtesa popullore ka emërtuar edhe vende të tjera në atë zonë me emrin e Haxhi Qamilit: një urë dhe një burim. Kështu, - shkruan Enis Sulstarova - një hendek ekziston mes historisë zyrtare bashkëkohore që e sheh këtë figurë si simbol të injorancës dhe anarkisë me kujtesën popullore vendore, që e sheh si hero popullor të krahinës e madje hero.[21]

Vepër që e trajton

  • Floqi, Thanas (2008). Fytyra e vërtetë e Haxhi Qamilit: kujtime për vitet e mbrapshta 1914-1915. Tiranë: 55.

Referencat

Citimet

  1. ^ a b Akademia e Shkencave e Shqipërsië (2007). Historia e popullit shqiptar: vëllimi i tretë. Tiranë: Toena. f. 68–71. 
  2. ^ a b c Frashëri 1964, p. 196.
  3. ^ Oliver Jens Schmitt, Andreas Rathberger (2010). Religion und Kultur im albanischsprachigen Südosteuropa. Peter Lang. f. 154.  9783631602959. 
  4. ^ Elsie 2012, p. 376.
  5. ^ Pearson 2004, p. 84.
  6. ^ a b c Flloqi, Thanas. "Si u var Haxhi Qamili?". opinion.al. Marrë më 2 January 2019. 
  7. ^ a b Ikonomi 2016, pp. 366–371.
  8. ^ Pearson 2004, p. 87.
  9. ^ Ikonomi 2016, p. 403.
  10. ^ Kristo Frashëri (2008). Historia e qytetërimit shqiptar: nga kohet e lashta deri ne fund të Luftës së Dytë Botërore. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. f. 245. 
  11. ^ a b c d "A duhet ndryshuar historia e Kombit tonë?". noa.al. Marrë më 2017-10-29. 
  12. ^ Speros Vryonis (1993). The Turkish State and History: Clio Meets the Grey Wolf. Institute for Balkan Studies.  978-0-89241-532-8. 
  13. ^ a b Lulzim Hoxha (October 2013). "The Making of Political Rituals in Albanian Society". Academic Journal of Interdisciplinary Studies MCSER Publishing, Rome-Italy. 2 (8): 181.  2281-3993. 
  14. ^ Jelavich B, History of the Balkans: Twentieth century,The Press Syndicate of the University of Cambridge, UK 1999, p. 103
  15. ^ a b c Jonilda Rrapaj and Klevis Kolasi (2013). "The Curious Case of Albanian Nationalism: the Crooked Line from a Scattered Array of Clans to a Nation-State" (PDF). The Turkish Yearbook of International Relations. Ankara University, Faculty of Political Science. 43: 185–228. 
  16. ^ Carcani, Leonard. Fete ne Elbasan. Page 16.
  17. ^ Gazmend Shpuza (1986). Kryengritja fshatare e Shqipërisë së Mesme 1914-1915. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë. f. 339. 
  18. ^ Frashëri 1964, p. 198.
  19. ^ Pearson 2004, p. 90.
  20. ^ Ikonomi 2016, p. 406.
  21. ^ a b c Sulstarova, Enis (2007). Haxhi Qamili: Rebel, Hero dhe Kundërhero. Tiranë: UET: Polis nr. 3. f. 53–67. 
  22. ^ Hoxha 1977, p. 142.
  23. ^ Pollo, Puto 1981, pp. 164-165.
  24. ^ Hoxha 1977, p. 171.

Literatura

  • Elsie, Robert (2012). A Biographical Dictionary of Albanian History. Londër: I.B. Taurus & Co Ltd. 
  • Frashëri, Kristo (1964). The History of Albania: A Brief Survey. Tiranë. 
  • Hoxha, Enver (1977). Vepra. 23. Tiranë: Shtëpia Botuese "8 Nëntori". 
  • Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: UET press. f. 574.  978-9928-190-91-8. 
  • Pearson, Owen (2004). Albania and King Zog: Independence, Republic And Monarchy 1908–1939. New York: New York University Press. 
  • Pollo, Stefanaq; Puto, Arben (1981). The History of Albania: From its Origins to the Present Day. Londër: Routledge & Kegan Paul Ltd.