Hasan Kaleshi
Hasan Kaleshi (Sërbicë, 7 mars 1922 - Prishtinë, 19 korrik 1976) ka qenë orientalist, historian dhe studjues shqiptar i Jugosllavisë. Autor i rreth 400 artikujve në boshnjako-serbo-kroatisht, shqip, turqisht dhe gjermanisht, kryesisht mbi marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane; ka qenë i pari që i bëri thirrje opinionit shkencor mbi falsifikimin e fakteve nga disa historianë shqiptarë si dhe dënoi ksenofobinë e kultivuar nëpër botimet historiografike shqiptare në Prishtinë dhe Tiranë,[1] dhe iu kundërvu paradigmave nacional-romantike në historiografi me tezën se islamizimi i shqiptarëve kontribuoi në ruajtjen e qenësisë etnike përkundrejt asimilimit sllavo-grek.[2]
Sipas nekrologjisë që miku dhe kolegu i tij Martin Camaj i kushtoi te Shêjzat, Kaleshi si historian ishte i bindjes se shqiptarët kanë luajtur rol të dorës së parë në rrafshet politike, ushtarake dhe kulturore në Perandorinë Osmane duke u përpjekur të dëshmonte që sundimi i saj 500 vjeçar nuk ishte "një periudhë thjesht barbare" siç mëtohej nga bashkëkohësit.[3]
Është vëllai i piktorit të mirënjohur Omer Kaleshi.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në fshatin Sërbicë të Kërçovës më 7 mars 1922. Mësimet e para i mori nga i ati Myderris Adem efendiu,[4] qysh se ishte gjashtë vjeç dhe kur ishte dhjetë vjeç e dinte Kur'anin përmendsh. Më pas ndoqi medresenë "Mbreti Aleksandër" në Shkup dhe dy klasë në shkollën e mesme "Sami Frashëri" në Prishtinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore punoi si përkthyes. Pas luftës u regjistrua për të studjuar për Orientalistikë dhe Romanistikë në Fakultetin e Filozofisë në Beograd. Njëkohësisht, nga 1947 deri më 1950 ka qenë përkthyes dhe lektor i gjuhës shqipe në programacionin shqip të Radio Beogradit. Më pas punoi si mësues gjimnazi si dhe ndihmës profesor në Departamentin e Filologjisë Orientale të Universitetit të Beogradit.[5]
Më 1951 diplomoi në Degën e Orientalistikës në Universitetin e Beogradit me temën e doktoraturës Najstariji vakufski dokumenti iz Jugoslaviji na arapskom jeziku (Dokumentet më të vjetra të vakëfeve të Jugosllavisë ë në gjuhën arabe).
Më 1952 u caktua lektor i filologjisë orientale po atje dhe më 1960 botoi studimin e tij më të famshëm, që ishte botimi i rishikuar i tezës së doktoraturës.[6] Në fund të viteve ’50 u angazhua për përgatitjen e fjalorit të madh serbokroatisht-arabisht, e disa herë gjatë viteve ’60 shërbeu edhe si përkthyes sërbokroatisht-arabisht në takime të niveleve të larta politike.[7] Kaleshi kaloi 1965 duke studjuar turkologji në Institutin Ural-Altaik të Universitetit të Hamburgut.[6] Në fund të viteve ’60 (1 tetor 1967 - 31 dhjetor 1970) u zgjodh bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin e Albanologjisë në Prishtinë si specialist i Studimeve Orientale,[6] e më pas profesor i rregullt në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.[7]
Ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare verën e 1976, i përcjellur në Prishtinë. Pas vdekjes së tij, familja u shpërngul prej qendrës kosovare.
Vepra dhe qëndrime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Studimin e tij të parë në gjuhën shqipe e publikoi në vitin 1949. Ai titullohej “Vërejtje rreth gjuhës së përdorur në gazetarinë tonë”. Në vitin 1952 publikoi studimin me titull: “Letërsia bashkëkohore shqipe në Jugosllavi”, me qëllimin për t’ua paraqitur letërsinë shqipe sa më shumë popujve të tjerë në Jugosllavi.
Vetëm në “Leksikonin për Historinë e Evropës Juglindore”, Kaleshi botoi 28 studime për personalitetet e shquara të Lëvizjes Kombëtare dhe të Kulturës Shqiptare si për Sami, Naim e Abdyl Frashërin, Dervish Himën e Faik Konicën, për Ismail Qemalin e Fan Nolin, për Haxhi Zekën e Hasan Prishtinën, Ibrahim Temos, Jahja bej Dukagjinit, Suzi Prizrenasit, Koçi Beut e Sinan Pashës, Ali pashë Gucisë, Nexhip Dragës etj.[4] Me dy artikujt e tij Prilog poznavanju albanske knižnjevnoski iz vremena preporoda (1956) dhe Albanska aljamiado knižnjevost (1970) ka mundësuar vështrime depërtuese mbi letërsinë shqipe me alfabet arab.[8]
Kaleshi më 1975 botoi punimin Das türkische Vordringen auf dem Balkan und die Islamisierung (Depërtimi turk në Ballkan dhe islamizimi: faktorët e ruajtjes së qenësisë etnike dhe kombëtare të popullit shqiptar) ku shtjellon faktorët e ruajtjes të ekzistencës etnike e kombëtare e popullit shqiptar. Ai vinte në pikëpyetje dhe kundërshtonte historiografinë tradicionale shqiptare, përmes së cilës periudha osmane është tërësisht negative. Ai argumentonte se pushtimi osman, islamizimi që pasoi në disa pjesë të popullsisë dhe përtëritja e tribalizimit në veri e ndaloi procesin e asimilimit të shqiptarëve.
Në artikullin e tij të publikuar në vite 1970 Haleshi theksoi se mënyra e edukimit e përhapur në krahinën autonome të Kosovës ishte primitive që mund të rezultojë në rritjen e nacionalizmit dhe kumputimin e njëanëshëm të historisë nga shqiptarë për shkak të lavdërimit pakritike të së shkuarës së tyre. Ky hapi e tij rezultoi në përsekutime masive nga ana e intelektualeve të tjerë shqiptarë.[9]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Pavlović, Vojislav G. (2011). The Balkans in the Cold War: Balkan Federations, Cominform, Yugoslav-Soviet Conflict (në anglisht). Balkanološki institut SANU. fq. 83. ISBN 9788671790734.
- ^ Pichler, Robert (2014). Legacy and Change: Albanian Transformation from Multidisciplinary Perspectives (në anglisht). LIT Verlag Münster. fq. 15. ISBN 9783643905666.
- ^ Camaj, Martin (1978). "Hasan Kaleshi (1922 - 1978)". Shêjzat: 281.
- ^ a b Yvejsi, Mexhid (29 gusht 2010). "Dr. Hasan Kaleshi". orientalizmi.wordpress.com.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Македонска енциклопедија (në maqedonisht). Македонска академија на науките и уметностите. 2009. fq. 663. ISBN 978-608-203-023-4.
- ^ a b c Elsie, Robert (2013). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 230–231. ISBN 9781780764313.
- ^ a b Gashi, Shkëlzen (17 maj 2022). "Pse anatemohet historiani i jashtëzakontë Hasan Kaleshi". sbunker.net. Marrë më 18 maj 2022.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ İhsanoğlu, Ekmeleddin (2003). Culture and Learning in Islam (në anglisht). Unesco. fq. 342. ISBN 9789231039096.
- ^ Poulton, Hugh (1997). Muslim Identity and the Balkan State (në anglisht). C. Hurst & Co. Publishers. fq. 134–135. ISBN 9781850652762.