Jump to content

Ekrem Rexha

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Komandant Drini-Ekrem Rexha)
Ekrem Rexha
Pseudonimi/et"Komandant Drini"
Lindur më14 Gusht 1961
Lubizhdë, Komuna e Prizrenit, Kosovë
Vdekur më8 Maj 2000
Afër shtëpisë së tij, në Prizren, Kosovë
Në aleancë me
Vite shërbimi1998 – 2000
GradaKomandant
NjësiaBrigada 121
(Pashtrik, Kosovë)
Në komandëZona Operative e Pashtrikut, Kosovë
Betejat/luftratLufta e Kosovës
ÇmimetUrdhëri Hero i Kosovës (pas vdekjes)

Ekrem Rexha (14 Gusht 19618 Maj 2000) i njohur si Komandant Drini ishte luftëtari dhe komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili i shpëtoi burgut dhe plumbit të pushtuesit serb para dhe gjatë luftës, por që nuk i shpëtoi dot plumbit të krimit të pasluftës. Ai u vra më 8 Maj të vitit 2000 afër shtëpisë së tij nga bandat kriminale të Kosovës.

Ekrem Rexha u lind më 14 Gusht 1961 në fshatin LubizhdëPrizrenit. Prindërit e tij ishin të dhënë pas zejes së uniformave, prandaj në këtë familje u shkolluan pothuajse të gjithë në këtë drejtim. Por, Ekremi ishte më i dalluari nga ata. Shkollën fillore e kreu në Prizren e më pastaj i kreu të gjitha shkollat ushtarake dhe shkallën e tretë të shkencave për politikë ndërkombëtare. Për shkak të konflikteve dhe krizës së njohur, ai në fillim të viteve ’90 u demobilizua nga Armata e ish-Jugosllavisë. Që pas krismave të para për liri, Ekremi u angazhua në radhët e UÇK-së së pari si epror në Vërri, e më vonë si komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, zonës më të madhe në Kosovë. 

Gjatë kësaj kohe ishte ndër komandantët më të rrallë të karrierës, që kishte ruajtur gjakftohtësinë dhe stabilitetin e një eprori të matur, të urtë dhe dinamik në ide dhe përpilime planesh luftarake. Në Prizren e quajnë ndryshe çlirues, sepse ai në bashkëpunim me komanantin e parë të Brigadës Shumëkombëshe të Jugut, gjeneralin Fritz Fon Korff, arriti që qyteti buzë Lumbardhit të jetë qytet i lirisë. Fliste shtatë gjuhë botërore, e më së miri komunikonte në gjuhën angleze. 

Pas luftës u emrua drejtor i Drejtorisë për Ambient dhe Siguri pranë bordit administrativ të Prizrenit. Ishte një këshilltar i denjë i ndërkombëtarëve, themeloi Asociacionin e Veteranëve të UÇK-së. Ishte në përfundim të planit për të shkuar për të doktoruar në Universitetin Shtetëror të Kanadasë dhe pikërisht kur u përgatit për këtë rrugë, në orën 8 e 45 minuta të 8 majit 2000, shtatë plumba ia morën jetën e bashkë me të u ndërprenë qindra projekte për zhvillimin e komunës së Prizrenit dhe të avancimit të çështjes kombëtare[1]. La pas djalin me emrin që mbante në luftë Drini, kurse bashkëshortja Hajrije, katër muaj më vonë, lindi edhe djalin tjetër, i cili e përtëriu emrin e babit, Ekrem.

Lufta e Kosovës 

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ekrem Rexha-Drini, duke ndjerë thirrjen e atdheut dhe duke parë zhvillimet e fillimvitit 1998, në shkurt mësynë Sarajevën për të rënë në kontakt me oficerë të tjerë shqiptarë dhe për ta kordinuar organizimin e luftës çlirimtare. Pas arrestimit të tij në Zvornik, me preteks të armëmbajtjes pa leje, ai dënohet nga Gjykata e Uzhicës me dy vjet burg, por me të drejtë mbrojtjeje në liri. Kështu, Drini duke e dashur atdheun më shumë se jetën, kthehet në Prizren dhe vëhet në shërbim të çlirimit të atdheut. Ai nuk ka pritur urdhëra qeverish për t'u vënë në shërbim të luftës çlirimtare! Ndoshta, është kjo njëra nga simptomet që më së tepërmi i ka penguar qarqe të njohura, që luftën e UÇK-së e dëshiruan të quhet "dorë e zgjatur e Serbisë dhe luftë e disa grupeve, barinjsh e të pashkollësh!"

Fillimisht, pasi bie në kontakt me Njësitin e Kabashit, kyçet në radhët e UÇK-së në fillimmajin e vitit 1998. Ishin ngjarjet e Likoshanit e Epopeja e Jasharajve, që Drinin e sinjalizoi për domosdoshmërinë e angazhimit dhe kontributit të tij. Ai më shumë e donte lirinë e Kosovës, se "mrizet" e perëndimit, këtë e dëshmoi me punën e tij të madhe, deri në vdekje. Në qershor, emërohet Komandant në Shtabin e Vërrinit dhe arrinë të tubojë rreth vetit shumë atdhetarë. Ai ishte përherë i respektuar dhe i dashur për bashkëluftëtarët e tij. Duke parë nevojën e madhe të furnizimit të formacioneve të UÇK-së me armatim, ai me një kontigjent luftëtarësh shkon në Shqipëri, më 7 shtator 1998. Edhe atje nuk qëndron duarkryq. Atje angazhohet në stërvitjen e luftëtarëve të rinj, të cilët këtu kishin ardhur për t'u armatosur, e për të kapërcyer Bjeshkët e Nemuna dhe për t'ju bashkangjitur luftës çlirimtare.

Më 14 dhjetor 1998, Ekrem Rexha nga SHP i UÇK-së emërohet Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Gjatë qëndrimit të tij në fshatrat e komunës së Therandës dhe drejtimit të luftës nga ana e tij, atje ai kishte krijuar raporte të shëndosha në mes popullates dhe luftëtarëve të UÇK-së, dhe kështu ai kishte admirimin e gjithë banorëve dhe luftëtarëve të kësaj ane, që edhe sot atje kujtohet me pijetet. Drini ia rriti admirimin edhe UÇK-së me sjelljet e veta.

Duke parë nevojën e përgatitjes së stafit komandues, për të gjitha zonat e luftës dhe duke parë përgatitjen e shkëlqyeshme në lëminë e artit ushtarak, komandant Drini, me urdhërin e SHP të UÇK-së, emërohet Drejtor i Shkollës Ushtarake dhe Doktrinës së UÇK-së. Në këtë dëtyrë të lartë pranë SHP të UÇK-së ka qëndruar deri në përfundimin e luftës, kur ai duket se nuk ishte i kënaqur me kushtet e marrëveshjes për transformimin e UÇK-së dhe kishte vendosur që t'i kthehet jetës civile.[2]

  1. ^ Komandanti Ekrem Rexha DRINI eshte vrare per ta mbuluar-tradhtine Marrë 29 Tetor 2017
  2. ^ Kush ishte Komandant DRINI Marrë 29 Tetor 2017