Jump to content

Kroi i Bimbashit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kroi i Binbashit
LlojiArkitekturale
VendndodhjaPrizren, Kosovë
NdërtuarShekulli XIX
Emri zyrtar: Monument
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës427

Kroi i Binbashit është një monument i trashëgimisë kulturore në Prizren, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "arkitekturale", i miratuar me numër 427.

Kroi i Bimbashit gjendet në perëndim të zonës historike të Prizrenit, pranë Xhamisë “Iljaz Kuka” dhe ndërtesës së Beledijes. Për kohën e ndërtimit dhe ndërtuesin e tij nuk posedojmë informata të sakta. Informatat që paraqiten në mbishkrimin e shkruar në gjuhën e vjetër osmane tregojnë për donacionin e bërë nga një person ushtarak (Binbashi) në vitin 1902 për restaurimin e kroit. Në bazë të kësaj informate edhe kroi njihet si Kroi Binbashi. Kroi prej kohës kur është ndërtuar e deri më sot shërben si krua publik i lagjes, për furnizim të banorëve dhe kalimtarëve me ujë të pijshëm. Kroi është punuar me gurë gëlqerorë të gdhendur në formë drejtkëndëshi. Planimetria e tij është katrore që përfundon me një kurorë të profiluar thjeshtë, mbi të cilin është mbulesa (turbani) e përbërë prej tri pjesëve në formë piramidale, të punuar me gurë të gdhendur të profiluar. Pjesa e ballores është gdhendur në formë të një kornize të profiluar brenda të cilit gjenden dy nisha. E para ka formë të hapjes me hark të thepisur dhe shërben për vendosjen e sapunit, kurse e dyta ka formë drejtkëndëshe ku ka qenë i vendosur mbishkrimi. Mbishkrimi është larguar nga kroi gjatë viteve ’70 dhe tani gjendet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit. Prej kohës kur është ndërtuar e deri më tani, kroi ka mbetur në vendin fillestar me disa adaptime të ambientit përreth. Gjatë restaurimit të kroit në vitin 2014 janë gjetur gypat prej qeramike origjinale prej nga ka rrjedhë uji nga përrenjtë që degëzoheshin nga Lumbardhi. Kroi është i vendosur në veri të Xhamisë “Iljaz Kuka”, në trotuar, ku bëhet kryqëzimi i dy rrugëve, rruga: “Shuaip Spahiu” dhe rruga “Iljaz Kuka”. Kroi i takon tipit të krojeve të mbështetura të cilat janë ndërtuar pranë ndërtesave të vendosura në kënd të rrugëve. Ka planimetri pothuajse katrore me dimensione 98 x 90 cm. I përmban të gjitha karakteristikat e krojeve publike të ndërtuara gjatë shek. XIX: trupin me bazë katrore të punuar nga gurë të gdhendur gëlqerorë, kurorën me përfundim (turban) në pjesën e epërme në formë piramidale, të ndarë në tri breza horizontale, vendi ku ka qenë i vendosur mbishkrimi, nisha për vendosjen e sapunit, rubineti prej nga rrjedh uji dhe vaska me planimetri katrore nga guri i mermerit të bardhë.[2]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ "Kroi i Binbashit (Prizren)". Databaza e Trashegimise Kulturore. Ministria e Kultures, Rinise dhe Sportit. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 13 nëntor 2016.
Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Kroi i Bimbashit.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]