Jump to content

Mahmud Ahmedinezhad

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Mahmud Ahmedinexhad)
Mahmud Ahmedinezhad, Kryetar i Republikës Islamike të Iranit

Mahmud Ahmedinezhad (persisht: محمود احمدی‌نژاد Mahmud Ahmadinežâd, IPA: mæhˈmuːd æhmædiːneˈʒɒːd), i njohur edhe si Mahmoud Ahmadinezhad, ishte kryetar, i gjashti me radhë, i Republikës Islamike të Iranit. Ish-kryebashkiak i Teheranit, Ahmedinezhad fitoi mandatin e parë katërvjeçar në zgjedhjet presidenciale të Iranit në vitin 2005 dhe u rizgjodh më 2009 për katër vjet të tjera. Si kryetar, ai mbajti postin më të lartë të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, si dhe kreu funksionet e kreut të qeverisë dhe disa funksione ceremoniale të kryetarit të shtetit. Kreu i vërtetë i shtetit në Iran është Udhëheqësi Suprem, i cili mban komandën e forcave të armatosura dhe ka tagër t'i rishikojë vendimet politike të ligjvënësve dhe ekzekutivit.

Ahmedinezhad mban titullin e doktorit të shkencave, ndërsa në politikë njihet si konservator i pikëpamjeve islamike shiite dhe një kundërshtar i madh i SHBA-ve dhe Izraelit. Telashet e Ahmedinezhadit janë dështimi i planit të tij ekonomik si dhe marrëdhëniet me botën e jashtme. Ai ka mbrojtur programin bërthamor të Iranit, me gjithë kundërshtimin e botës perëndimore. Njëherësh, gjendja e rëndë e të drejtave të njeriut dhe të grave nuk ka ndryshuar gjatë gati një mandati presidence të Ahmedinezhadit.

Kryetari iranian është figurë tejet kundërthënëse dhe komentet e tij kanë bërë që të njihet si njeri dhunshëm dhe luftëdashës. Së fundi, pohimi i tij në një konferencë të OKB-së se Izraeli është shtet i ndërtuar në baza raciste u përcoll nga braktisja e sallës ku ai po mbante fjalim. Izraelin e quan "Regjim Sionist", dhe pohon se janë kundër Sionizmit e jo kundër Hebrenjëve.[1]

Në zgjedhjet presidenciale 2009, Ahmedinezhad u sfidua nga dy kandidatë reformistë, ish-kryeministri Mir Hosein Musavi dhe ish-kryeparlamentari Mehdi Karubi, dhe një konservator, ushtaraku dhe ekonomisti Mohsen Rezai. Ahmedinezadh u rizgjodh me mbi 60% të votave, ndonëse kandidati i dytë, Musavi, nuk e pranoi akoma disfatën, duke u thirrur në parregullsi zgjedhore. Më 2013, vendin e Ahmedinezhadit e zuni pasuesi i tij Hasan Ruhani.

  1. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 29 korrik 2013. Marrë më 5 tetor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)