Muharrem Mullahi
Muharrem Mullahi (Dibër, 1880 - Tiranë, 19 gusht 1964) ka qenë hoxhë shqiptar, ka shërbyer si myfti i Fierit, Ballshit, Elbasanit, Korçës dhe në Tiranë.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Disa metra në perëndim të Xhamisë me Teneqe, në rrugën "Hoxha Tahsin", ndodhej një shtëpi njëkatëshe me katër a pesë shkallë mbi nivelin e tokës. Aty banonte Myftiu i Zonës së Tiranës, e shikoje në të njëjtën orë të dilte nga dera e kësaj shtëpie teksa drejtohej për në punë dhe kur kthehej nga zyra, trupdrejtë, me hapa të sigurtë dhe i vëmendshëm të përshëndeste me selam kalimtarët e pronarët e dyqaneve me dorë në zemër, me respekt e me zë që shprehte dashuri.
Të gjithë e njihnin në atë lagje, në atë rrugë; me të madh e me të vogël e mbanin në gojë. Ndodhte që bisedat e tyre nëpër takime për të mirë e për të keq, mendimet e veta, qytetarët t'i mbështesnin në atë që kishin dëgjuar nga Muharrem Efendiu.
Që më 1914 e kishte nisur detyrën e misionarit islam si Myfti i Fierit, pastaj sikundër shkruan Prof. Ahmed Kondo (Gazeta "Drita Islame", viti III, No 9 (52), 1994, Muharrem 1415 h) më 1930 u vendos përfundimisht në Tiranë.
I rregullt e i kujdesshëm në veshje, kurdoherë me rroba të pastra, të hekurosura dhe të zgjedhura sipas stinës, me ngjyrë të zezë, të bardha ose gri të hapur. Në përshtatje edhe me detyrën, ai duhej të jepte shembullin personal në të gjitha fushat e jetës. Ishte gjithashtu në natyrën e detyrës së myftiut që e lidhte me shtresa shoqërore në të mirë e në raste fatkeqësish, në punë zyre, në xhami e jashtë saj, në mjedise familjare, në qytet e në fshat. I shkonin në takim në zyrën e tij për t'u këshilluar për probleme fetare, për çështje pronësie etj. E ftonin në dasma se ua nderonte sofrën, e ftonin në kuvende se ua zbukuronte "muhabetin" ; e prisnin në raste dhimbjesh e fatkeqësish, se me fjalën e tij ua lehtësonte dhimbjen e ua zbuste plagët. Bisedat e tij mishëronin parimet e moralit islam.
Në të folur i mbahej goja, por kjo e metë fiziologjike nuk e pengonte të mbante ligjërata të gjata, me atë stilin e vet të zjarrtë oratorik, ku disa tinguj i shqiptonte paksa me mundim, si "Zh-në" e fjalën "Do", në fjalinë... do-do-do të zhgatrrohet... etj., ku jo vetëm brendia e mendimit, po edhe mënyra origjinale e shprehjes tërhiqte vëmendjen e xhematit në xhami, apo të vëzhguesve gjatë bisedave të lira e të ndërsjellta. Muharrem Efendiu nuk ndiente lodhje kur shpjegonte dispozitat e Sheriatit në fushën e pasurisë. Dr. Jonuz Tafaj, noteri veteran tiranas në një bisedë familjare që kam pasur unë autori i këtyre rradhëve, më tha: Muharrem Efendiu e njihte shumë mirë shkencën e Faraidit dhe se gjyqtarët merrnin parasysh ndarjen e pasurisë sipas deklarimeve dhe porosive të Myftiut.
(Faraidi është disiplina e Sheriatit Islam që studion dispozitat ligjore të pronës e të pasurisë dhe rregullat e ndarjes së saj ndërmjet pjesëtarëve.)
Noteri Tafaj fliste me një notë krenarie si pjesëmarrës në çetat luftarake të studentëve shqiptarë kundër interevencionit të armatosur të forcave ushtarake në Shqipërinë e Jugut. Jetojnë edhe sot dëshmitarë të tjerë të gjallë, që ruajnë në kujtesën e tyre të dhëna lidhur me jetën e Muharrem Mullahit apo të disa figurave të shquara të kulturës islame në Shqipëri. Besimtarët myslimanë që kishin rastin të dëgjonin predikimet e Muharrem Mullahit, dilnin të mrekulluar nga porta e xhamisë. Arti i të folurit bukur e me qokë, është një tregues domethënës edhe për nivelin kulturor të oratorit. Bisedat e fuqishme, të argumentuara e të deklamuara me mjeshtëri, e bëjnë dëgjuesin të mos i frikësohet asnjë vështirësie. Muharrem Mullahi nuk ka shumë shkrime sepse ishte mjaft i ngarkuar me punët e detyrës. Ne po mjaftohemi vetëm me njërin që na ra në dorë, titulluar: Një shkurtim shqip i predikimit që mbajti Muharrem Mullahi, kryemyftiu i Tiranës në Xhaminë e Vjetër me rastin e ditës së Kurban Bajramit, ku folësi mes të tjerash është shprehur :
"...Njerëzia ndodhej në errësirë dhe kishte humbur rrugën e Zotit... Feja, virtyti nuk kishin kurrkund gjurmë... Kur popujt ishin në një gjendje të vajtueshme, nderi i gjithë profetëve, Muhamedi (a.s.) filloi me shkëlqye horizontin me dritën e lajmit Hyjnor... Nuk ishte mbush akoma një dyzinë vjetësh, pasi kishte ndërruar jetë ai, kurse fjala e Zotit u përhap në një horizont shumë të gjerë, valët e saj shembën fronin madhështor të Persisë, tronditën atë të Kajzerit, u përplasën në majat e Himalajes e të Atlasit..." (Revista "Kultura Islame", viti II, No 17-19, janar-shkurt-mars 1941, faqe 107-110).
E kujtoj Muharrem Efendiun në provimet e maturës në Medrese ku asistonte me cilësinë e përfaqësuesit të Komunitetit Musliman. Duket se kishte qëlluar lënda e Akides, të cilën na e kishte dhënë i nderuari, filozofi e pedagogu, Hafiz Ismet Dibra. Mësimet e kësaj lënde i kishte përgatitur vetë Hafiz Ismeti, ashtu siç dinte ai ta trajtonte këtë disiplinë, me një ecuri specifike të zgjedhur, ku filozofia islame fokusohej nga dijetarët e shquar bashkëkohorë përkrah filozofëve perëndimorë që nga filozofia klasike me Aristotelin, Platonin, deri në Mesjetë me filozofin Rene Dekart, me shkencëtarin Njuton etj. Ismet Dibra polemizonte me filozofin anglez Spenser, pretendimet e të cilit i hidhte poshtë me argumente logjike. Hafiz Ismeti hidhte poshtë me rrugë shkencore qëndrimet antiislame të armiqve të Islamit në emër të teorive materialiste dhe citonte Dekartin të ketë thënë : "...Kaq i bindur jam në ekzistencën e Zotit, sa jam i bindur që shuma e këndeve të një trekëndëshi është baraz me dy kënde të drejtë..."
Ismet Dibra sa kundërshtonte qëndrimet kundër Islamit, aq ngrinte lart qëndrimet në përkrahje të Islamit nga dijetarët oksidentalë (Shiko librin "A ka dyshim në qenien e Zotit, - E fil-Lahi shek-kun ? - nga H. Ismet Dibra).
Pa dashur të zgjatemi, synimi ynë është të vëmë në dukje atë që i bashkonte dijetarët tanë, gjërat e përbashkëta që i vlenin shkollës sonë ashtu sikurse i vlerësonte edhe Muharrem Mullahi, duke shprehur hapur miratimin e vet dhe duke vlerësuar përgjigjet e kandidatëve që paraqiteshin në provime. Sipas nesh, lënda e Akaidit, e ndërtuar me mjeshtëri nga Ismet Dibra, përbënte boshtin kurrizor të filozofisë islame kundër rrymave ateiste të Darvinit e të tjerë materialistë, të mbështetur edhe nga ideologjia, politika dhe faktorë të tjerë të asaj kohe. Myftiu qëllonte të futej miqësisht në ndonjë bisedë me studentët, pa dashur ta rrezikonte përgjigjen e nxënësit.
Pranë Komunitetit Musliman, pranë myftinive të rretheve, objekteve të kultit dhe institucioneve arsimore, bashkëpunonin pa u lodhur figura të njohura të kulturës islame të afirmuara. Nga Shkodra, familja Myftia, Hafiz Xhemali, Sheh Qazimi, Sheh Ahmeti; nga Durrësi, Mustafa Varoshi; nga Tirana, Haxhi Mahmud Dashi, Myrteza Alimehmeti, Hasan Bakalli, Haxhi Kasem Çoku; nga Elbasani, Hafiz Musa Basha, Tahsin Luniku; nga Korça, Hafiz Xhaferri, Hafiz Aliu. Pa harruar Ferid Vokopolën, Sheh Muharrem Mitrovicën, Ibrahim Buharanë e të tjerë, me të cilët Muharrem Mullahi njihej, bashkëpunonte e për të cilët fliste me respekt. Ata kishin dhënë e jepnin një ndihmë të pakursyer për edukimin e njerëzve me normat e moralit islam, pa gjakderdhje, pa vjedhje, pa prostitucion e kundër veseve të shoqërisë njerëzore që e dëmtojnë pa masë njeriun.
Pas Luftës së Dytë Botërore, me rihapjen e Medresesë së Tiranës u mendua që të tërhiqeshin sa më shumë personalitete të kulturës islame rreth këtij Intitucioni, i vetmi i llojit të tij në Shqipërinë e asaj kohe. Veçanërisht ishte nisma e Hafiz Musait, për realizimin e kësaj ideje, por kohët erdhën të rënduara dhe nuk qe e mundur t'i shkohej gjer në fund kësaj nisme. Simboli i krenarisë së Tiranës, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe shumë figura të tjera u arrestuan dhe u futën nëpër burgje padrejtësisht vetëm për të gjunjëzuar krenarinë fetare e kombëtare.
Muharrem Mullahi e kishte lidhur jetën e tij me karrierën e misionit të shërbimeve në rrugën e Islamit në kryeqytetin e Shqipërisë. Myftiu i Tiranës është gjithnjë i pranishëm në veprimtaritë e Komunitetit e aktivitetet e Medresesë, gjë që bie menjëherë në sy kur merr në dorë fotografi të atyre kohëve.
Duke evidentuar jetëshkrime personalitetesh të kulturës islame, ne mendojmë se i bëjmë një shërbim sado të vogël Islamit dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
I lutemi të Plotfuqishmit që zotërinj të tjerë që kanë më shumë informacion, të plotësojnë boshllëqet që do të gjejnë në shkrime të kësaj gjinie dhe do t'ju lutesha që në axhendën e programeve të tyre të mbledhin e të shkruajnë për emra të njohur apo më pak të njohur, për të hedhur pakëz dritë mbi veprimtarinë e tyre në rrugën e lavdishme te islamit.