Natë pa hënë
| Natë pa hënë Arkivi i filmit | |
|---|---|
[[Figura:|280px]] | |
| Titulli shqip | Natë pa hënë |
| Origjinali | Natë pa hënë |
| Koha (Zëri) - (PAL/DVD) | 78 |
| Gjuha origjinale | Shqip |
| Ekipi realizues | |
| Regjia | Artan Minarolli |
| Skenari | Artan Minarolli |
| Prodhuesi i filmit: | Artan Minarolli; "Art Film" ; CNC |
| Aktorë kryesorë | |
| Niko Kanxheri Enerjeta Jani Lulzim Zeqja Elton Papuçiu | |
| Aktorët tjerë | |
| Gentian Zeneli Ilisja Sheri | |
Filmi Natë pa hënë është një film bashkëprodhim shqiptaro-francez i vitit 2004. Filmi është financuar nga QKK e Shqipërisë dhe "ArtCam International", Francë, me producentë: Artan Minarolli, Shtëpia filmike "Art Film" dhe CNC (Centre National de la Cinematographie). Regjia dhe skenari nga Artan Minarolli, muzika Baptiste Bouquin.
Premierë: 13 shkurt 2004, kinema 'Millenium", Tiranë.
Premierë botërore: 27 janar 2004, Festivali "Hubert Bals Fund Harvesi", Roterdam, Hollandë.
Shfaqur në Festivalin e 12-të të Filmit artistik, dokumentar e të animuar shqiptar.[1]
Përmbajtja e filmit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Filmi paraqet një dramë njerëzore që shtrihet nga koha e shkuar e totalitarizmit, ku të tentoje të dilje jashtë kufirit të Shqipërisë ishte një tabu që mund të të kushtonte dhe jetën, deri në kohën e eksodeve përgjatë viteve ‘90. Skena dramatike të këtij eksodi masiv e të frikshëm të shqiptarëve, do të jenë prezente gjatë gjithë filmit duke u gërshetuar herë pas here me një ndodhi të 17 viteve më parë, në kohën e diktaturës.
Ky film dramatik, trajton dy histori dashurie, të ngjashme me njëra-tjetrën, të cilat lindin dhe zhvillohen mbi një sfond arratisjesh në dy kohë të ndryshme: njëra gjatë periudhës së izolimit komunist dhe tjetra gjatë viteve të para pas shembjes së këtij regjimi. Ngjarjet në film nisin në një fshat buzë një liqeni, në vitet e para pas 1990, ku Rudina me gjyshin po nisen që me natë në këmbë për arritur trenin që do t’i çonte diku në bregdet. Rudina, një vajzë pa prindër që jeton vetëm me gjyshin e saj, do të ikte jashtë vendit, me gomone, për të mbëritur në Francë tek një kushërira e saj.
Ngjarja në kohën e diktaturës.
Gjyshi i Rudinës shërbente si oficer kufiri në fshatin liqenor, (aty ku dhe banonte ende me mbesën, Rudinën), ndërsa në bregun tjetër të liqenit ndodhej Jugosllavia dhe vija e kufirit që ndante dy shtetet kalonte përmes atij liqeni. Dy të rinj nga Tirana, sportistë notarë, Fredi dhe Lu, po udhëtonin me tren drejt qytetit buzë liqenit me qëllim për t’u arratisur me not drejt Jugosllavisë. Në stacionin e trenit pranë fshatit buzë liqenit, Fredi zbret për të mbushur ujë dhe aty njihet me një vajzë, Xhuli, e cila e ndihmoi të mbushte shishen në një rrëke uji në mes të fushës. Fredi goditet nga bukuria e vajzës, e pëlqen që me shikimin e parë dhe i premton se do kthehet dhe nxiton të kapë trenin që u nis. Të nesërmen, dy të rinjtë, gjithë frikë se mos zbuloheshin nga Sigurimi i Shtetit apo rojat kufitare, po vëzhgonin vendin në breg të liqenit për të gjetur atë më të përshtatshmin për t’u nisur. Ndërkohë, Fredi, i dashuruar me Xhulin, i tregon shokut se vendi ku banon vajza që takoi, është tek një gadishull i vogël diku më tutje. Ai vendos të shkojë tek ajo me not, me gjithë lutjet e Lusë se atje është zonë e ndaluar dhe do kapeshin para kohe. Fredi takohet me Xhulin në kopshtin e shtëpisë së saj dhe pas kësaj takohen disa herë. Gjatë takimeve, ai i zbulon qëllimin e tij Xhulit dhe i kërkon që të arratisen së bashku. Ajo i thotë se ka shqetësimin e madh se, në se arratiset, babain e saj do ta burgosin, megjithatë, ajo i premton Fredit se do të vijë me të. Erdhi koha që dy të rinjtë të kryenin planin e tyre, arratisjen me not dhe për këtë kishin vendosur të niseshin një natë pa hënë. Megjithë kundërshtimet e vazhdueshme të shokut të tij, Fredi po priste në breg të liqenit ardhjen e Xhulit, por ajo nuk erdhi. Ata nisen, por në errësirën e asaj nate pa hënë, humbasin orientimin dhe dalin përsëri në bregun nga ishin nisur. Aty rastis patrulla kufitare e drejtuar pikërisht nga i ati i Xhulit, vajzës që dashuronte Fredi, që i ndalon duke iu drejtuar armët. Të rinjtë duke menduar se ishin në tokën jugosllave, po kërkonin azil politik, por oficeri, babai i Xhulit qëllon dhe vret Lunë, ndërsa Fredin e plagosur e fusin në një thes, e rrahin pa mëshirë dhe ashtu e hedhin në një kamion. Por drama nuk mbaron këtu. Xhuli priste një fëmijë nga Fredi, kështu që i ati i saj “vrau” babain e fëmijës që do të lindte e bija. Kur e merr vesh këtë, ai e përzë të bijën nga shtëpia bashkë me fëmijën e porsalindur. E bija, në këto kushte, kur i ati po e ndiqte për t’a përzënë edhe nga fshati, merr vendimin ekstrem, hidhet nga shkëmbi duke lënë foshnjën aty, përtokë. Foshnja e lindur i mbetet në dorë babait të vajzës së flijuar, të bërë tashmë gjysh; gjyshi i Rudinës.
Ngjarja në vitet 1990.
Skena e parë e nisjes së filmit, tregon gjyshin (ish-ushtaraku) peshkatar, që me një varkë të vogël tërheq rrjetat në mes të liqenit, ku në thellësi të ujit i fanitet portreti e një njeriu, (Fredit) që e shikon ngultas. Ndërsa Rudina, një vajzë 17 vjeçare tashmë, vendos një tufë lule tek një kryq i ngulur në buzën e një shkëmbi të lartë me në sfond liqenin. (vendi ku mamaja e saj u hodh nga shkëmbi).
Pra, Rudina me gjyshin lënë fshatin për të arritur trenin për të shkuar në një qytet bregdetar, ku gomonet prisnin radhën për t’u mbushur me njerëz që t’i çonin drejt Italisë. Në stacionin e trenit është një rrëmujë e madhe. Njerëz të shumtë presin trenin ulur mbi shina. Treni vjen, i mbushur me njerëz që kanë pothuajse të gjithë një destinacion, ikjen jashtë vendit, pavarësisht se në bisedat e lira thonë që do shkojmë për plazh në bregdet. Një tren i vjetëruar, një makinist që e nis atë kur të dojë dhe ndalon ku të dojë. Në tren ka lloj-lloj tipash që bëjnë biseda nga më të çuditshmet. Diku rrugës, trenin e qëllojnë nga jashtë me ç’të mundin banorë të një fshati për një arsye të vetme, që treni nuk kalon pranë fshatit të tyre. Jepet kështu një tablo e një marrëzie kolektive, ku njerëzit kanë vetëm një qëllim: të lënë vendin.
Në tren, Rudina njihet me një djalë, Gjergjin, dhe mes tyre lind simpatia. Në një ndalesë, të dy zbresin për të mbushur një shishe ujë dhe teksa treni niset ata mbeten të dy në mes të fushës, pranë një fshati. Gjyshi, që ka akoma një pistoletë me vete, shkon deri tek makinisti dhe e kërcënon të ndalojë trenin. Rudina me Gjergjin të ngelur larg, nisin një udhëtim mes peripecish; ata ecin me këmbë, me karrocë e kafshë për të arritur në bregdet dhe për të gjetur gjyshin. Rrugës hasin situata absurde, ku njerëz të dehur marrin në shenjë me armë nga larg Rudinën, thjesht për një bast. Ndërkohë midis Gjergjit dhe Rudinës kanë nisur shkëndijat e dashurisë. Ata arrijnë në bregdet dhe shohin turma njerëzish të cilët kishin ditë që prisnin për t’u nisur, por që duken sikur janë në një piknik. Treni është prishur në mes të rrugës dhe gjyshi dhe udhëtarët e tjerë kanë nxituar, me çfarëdo lloj mjeti të mundshëm transporti, të arrinin në breg të detit. Kontrabadistët lexojnë emrat e atyre që do niseshin atë ditë dhe të të tjerëve që u duhej të prisnin akoma. Ndërkohë një doktor ka zbuluar në breg të detit një grua të re të mbytur, mbuluar nga leshterikët dhe po e ekzaminon. Një gazetar i çuditshëm regjistron këto skena dhe pyet njerëzit teksa kacavirren të hipin në gomone, për arsyet e largimit. Bie nata dhe gjyshi e gjen Rudinën që po flinte me Gjergjin në rërën e bregut. I zgjon dhe të tre nisin të bisedojnë. Gjergji, gjatë bisedës, përmend Fredin, trajnerin e tij të notit, të cilin e kishin dënuar me 10 vjet burg. Pas lirimit dhe me rënien e diktaturës, gjëja e parë që bëri Fredi, ishte të arratisej.
Gjyshi, kur vuri re simpatinë mes të rinjve, bëri të pamundurën për t’i ndarë ata, pasi ai kish gjetur mundësinë që ta martonte Rudinën në Paris. Përpjekjet e tij rezultuan pa sukses, teksa shikon vendosmërinë e dy të rinjve për të mos u ndarë nga njëri-tjetri. Në një çast, atij i ripërsëritet historia; i rishfaqet para syve e bija, Xhuli që s’donte të ndahej nga Fredi. I dëshpëruar nga kujtimet dhe realiteti, gjyshi dorëzohet. Dy të rinjtë, Rudina dhe Gjergji, largohen nga Shqipëria në një natë pa hënë, në kërkim të një jete që do ta nisin nga fillimi.
Aktorët[2]
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Niko Kanxheri - gjyshi
- Enerjeta Jani - Rudina
- Lulzim Zeqja - Gjergji
- Elton Papuçiu - Fredi
- Gentian Zeneli - Lu
- Kledi Kapexhiu - Mili
- Ilisja Sheri - Juli
- Mehdi Malkaj - makinist treni
- Vasjan Lami - kontrabandist
- Mehmet Xhelili - intelektual
- Olta Daku - gruaja me fëmijë
- Vangjel Toçe - njeriu me dhëmbë të artë
- Genc Fuga - gazetar
- Neritan Liçaj - djali me flokë të gjata
- Bedri Jashari - fotografi
- Ervin Muça - futbollisti
- Anil Frashëri - mjeku
- Ardian Cerga - djali me lemzë
- Genti Bejko - Beni
Vlerësime[3]
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- "Çmimi i Madh" dhe "Kupa e Artë" në Festivalin "MedFilm", 2004, Romë, Itali.
- Çmimi "Filmi më i mirë" në Trenton Festival, 2005, SHBA.
Kritika
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Artan Minarolli me filmin “Natë pa hënë” krijoi një tabllo dramatike të eksodeve të shqiptarëve pas rrëzimit të diktaturës, e gërshetuar me një parahistori krimi (vrasjen e dy të rinjve në përpjekje për të kaluar kufirin), e lidhur ngushtë me fatin e personazheve kryesorë prindër-vajzë-gjysh. Me paralelet e hequra midis kohëve, njerëzve, fateve, regjizori mbërrin në caqet e një metafore të rrokshme, ku tragjedia e dikurshme shndërrohet në shpresë për një jetë më të mirë sot, ndërsa fataliteti si cikël i mbyllur tejkalohet duke u shndërruar, përkundrazi, në element grotesku, ironie, mohimi.[4]
Dramat e të dyja kohëve kanë një ndryshim: përpjekja për të ikur “matanë” dikur ishte një aventurë individuale, kurse sot një sindromë kolektive. Pasqyrimi i aventurës, përkatësisht, i dramës së dikurshme, në këtë film, të shpie tek problemi i lirisë së individit dhe i shtypjes nga regjimi totalitar. Pasqyrimi i aventurës, përkatësisht, i dramës së sotme të shpie, në këtë film, në problemin e rrjedhojave të dramës së parë, por edhe të psikikës dhe psikozës së një populli të tërë. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me çështjen e lirisë, por edhe të dinjitetit. Në rastin e parë, të individit. Në rastin e dytë, të një bashkësie të tërë. Në rastin e parë, liria mbitheksohet si nevojë. Në rastin e dytë, ajo çka mbitheksohet në ekran është psikoza kolektive, e parë herë me nëntekstin e dramës e herë me nëntekstin e komedisë. Për fat të keq, ndërsa në rastin e parë qëndrimi autorial emocional është i qartë dhe i shprehur, në rastin e dytë kemi më shumë një qëndrim objektivist, çka ka bërë që pasqyrimi në atë mënyrë i psikozës kolektive të prekë dinjitetin e një bashkësie të tërë. Duke mos marrë përsipër të thotë përse duan të ikin këta njerëz, bashkësia e këtij filmi ka dalë si një “kope”, çka, në dramaturgjinë e filmit, ka “mbytur” dramën aq njerëzore të një burri që dikur kishte qëlluar në kufi mbi dy të rinj që kishin dashur të iknin, kurse tani është i shtrënguar “të përcjellë” fëmijën e gjakut të vet për “matanë”. Nga stili, “Natë pa hënë”, është më pranë neorealizmit, mirëpo botën e brendshme të njerëzve të turmës në rrugë e ka “mbytur” konceptimi i tepruar ekzotik i mjedisit dhe i njerëzve.[5]
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ Asqeri, Irini (2025). Enciklopedi e filmit shqiptar (1904-2022). Durrës: Botimet Jozef. fq. 514. ISBN 978-9928-940-44-5.
- ↑ Asqeri, Irini (2025). Enciklopedi e filmit shqiptar (1904-2022). Durrës: Botimet Jozef. fq. 514. ISBN 978-9928-940-44-5.
- ↑ Asqeri, Irini (2025). Enciklopedi e filmit shqiptar (1904-2022). Durrës: Botimet Jozef. fq. 514. ISBN 978-9928-940-44-5.
- ↑ Papagjoni, Josif (2009). Enciklopedi e teatrit dhe e kinematografisë shqiptare. Tiranë: Toena. fq. 279. ISBN 978-99943-1-456-0.
- ↑ Myftiu, Abdurrahim (2004). Filmi në kapërcyell të shekullit: filmi artistik shqiptar pas vitit 1990. Tiranë: Akademia e Shkencave. fq. 140–141. ISBN 99943-653-1-2.