Nijazi Azemi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Nijazi Azemi (16 qershor 197026 mars 2001)
i njohur si Komandant Mjekrra ishte një ushtar shqiptar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe më vonë i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), më i njohur për mbështetjen e tij në Luftën e Kosovës. Gjatë luftës, ai kishte pseudonimin Mjekrra. Ai ishte pjesë e Brigadës 115 "Karadaku", e cila më vonë u quajt Brigada 115 "Nijazi Azemi" pas rënies heroike të tij.

Nijazi Azemi
16 Qershor 197026 Mars 2001
Nofka "Komandant Mjekrra"
Vendi i lindjes Mogillë, Komuna e Vitisë, ish-Jugosllavia, (sot Kosova)
Vendi i vdekjes Stanec, Komuna e Preshevës
Pala UCK KLA.svg Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK)

UCPMB logo.svg Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB)

Vitet e shërbimit 1990 – 2001
Grada Komandant
Njësia Brigada 115 "Karadaku"
Betejat/luftërat Lufta e Kosovës
Çmimet Urdhëri Hero i Kosovës (pas vdekjes)

Jeta e hershme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nijazi Azemi lindi më 16 qershor 1970 në fshatin Mogillë të Vitisë. Babai i tij, Ramush Azemi ishte nipi i Fazli Tërpeza, një luftëtar i cili vdiq në vitin 1945 në betejën e Sllakovcit kundër forcave jugosllave. Gjatë rinisë së tij, Nijazi Azemi ishte një student i shkëlqyeshëm, por ai nuk e vazhdoi arsimin për shkak të kushteve në atë kohë. Më vonë ai filloi të merrej me ndërtime të veçanta me gdhendje në dru, duke formësuar shpejt profesionin. Në artin e gdhendjes në dru, Nijaziu ishte bërë një skulptor i vërtetë. Në këtë art ai shprehu shpirtin e tij të një atdhetari liridashës.

Azemi kishte marrë pjesë në demonstrata të ndryshme të organizuara nga shqiptarët në qytetet perëndimore. Më 29 mars 1989, në një protestë tjetër kundër qeverisë serbe në Kosovë, Azemi u plagos pas një përleshje me policinë serbe. Atij iu deshën dhjetë ditë për t'u rikuperuar nga plagët në spitalin e Prishtinës nën mbikëqyrjen e Dr.Zenet Ujkani. Pastaj ai vazhdoi të shërohet në spitale të ndryshme të Lubjanës. Pasi shkoi atje me ndihmën e shoqatës "Migjeni", në vjeshtë, Nijazi Azemi filloi stërvitjen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Që nga kjo kohë, ky atdhetar do të përgatitet për sfida të reja në luftimin e pushtuesit. Pas vitit 1992, ai u angazhua me përkushtim në detyrat e karakterit ushtarak, duke u bërë personi kyç i furnizimit të trevës së Anamoravës me armatim e me materiale të tjera përcjellëse. Në këtë detyrë atë e ndihmonin Xhelal Rexhepi, Zija Rexhepi, Emrush Azemi e bashkëveprimtarë të tjerë. Duke qenë në lëvizje dhe veprimtari të përhershme, pushtuesi serb e kishte hetuar rrezikun që për të do të paraqiste Nijazi Azemi. Për këtë arsye, gjatë viteve `90, ai u kërkua dhe shtëpia e tij u bastis shumë herë, me motive të kërkimit të armëve të llojeve të ndryshme. Vetëm brenda vitit 1996 shtëpinë e Nijaziut, policia serbe e bastisi katër herë. Kjo fushatë përndjekëse, Nijaziun shpesh e kishte detyruar të bënte jetë ilegale. Për t’iu shmangur përcjelljes së pushtuesit, disa herë kishte dalë edhe jashtë kufijve të Kosovës dhe ishte strehuar tek shokët e tij në Dibër të Maqedonisë e në vende të tjera të trojeve shqiptare.

Lufta e Kosovës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Si edhe të rinjtë e tjerë shqiptarë, në fillim të viteve `90 edhe Nijaziu bëhet objekt përndjekjeje me qëllim të rekrutimit në radhët e ushtrisë serbe. Atij i kishin arritur shumë herë thirrjet për rekrutim në këtë ushtri. Mirëpo ai kishte qenë i vendosur për të mos iu përgjigjur këtyre thirrjeve. Ai kishte deklaruar hapur se nuk do të pranonte kurrë të bëhej ushtar i Jugosllavisë Komuniste. Ishte fare e kuptueshme se ai kishte refuzuar të bëhej pjesëtar i ushtrisë okupatore serbe, më vonë edhe do të luftonte kundër kësaj ushtrie. Koha për ta luftuar pushtuesin serb dhe ushtrinë e tij edhe për Nijaziun arriti me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me fillimin e luftës së armatosur nga ajo. Në çastin e dhënies së kushtrimit të luftës, UÇK-ja tashmë në radhët e veta kishte edhe një luftëtar të përgatitur, trim e të devotshëm, për ta çuar luftën deri në fitore. Ky luftëtar ishte Nijazi Azemi. Që me hapjen e fronteve të para të luftës në Kosovë, zemra e Nijaziut rrahu me të njëjtin ritëm me zemrat e të gjithë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që tashmë ndodheshin në istikamet e luftës. Në verën e vitit 1998 ai edhe vetë u bë pjesë e këtyre istikameve, si pjesëtar i Brigadës 134 “Bedri Shala”, e cila vepronte në Zonën Operative të Dukagjinit.

Në të gjitha betejat e kësaj brigade, Nijaziu u shqua me trimëri e shkathtësi ushtarake, krahas bashkëluftëtarëve të tij të shumtë. Mori pjesë edhe në epopenë e Koshares, për thyerjen e pozicioneve më të fortifikuara të pushtuesit, në kufirin midis Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Nijaziu luftoi në Zonën Operative të Dukagjinit deri në përfundimin e luftës në Kosovë dhe deri në kthimin e tij fitimtar në fshatin e tij të lindjes e në gjirin familjar, më 28 qershor të vitit 1999. Ai ishte kthyer atje si triumfues i armatosur, i gatshëm për ta shpënë më tej luftën për liri dhe për ta shporrur pushtuesin nga çdo pëllëmbë e tokës shqiptare. Prandaj, kapitullimin e pushtuesit dhe përfundimin e luftës në Kosovë, Nijaziu nuk e kishte përjetuar me ndjenjë entuziazmi të panatyrshëm, ngase ishte i vetëdijshëm se rruga drejt lirisë ishte ende e gjatë. Këtë qëndrim të tij sikur e kishin pikasur edhe trupat e KFOR-it, të cilët, pas vendosjes së tyre në Kosovë, një kohë të caktuar kishin qëndruar në shtëpinë e Nijaziut dhe shumë herë e kishin orientuar vëmendjen e tyre tek ai. Mirëpo as kjo vëmendje nuk e pengoi atë që të angazhohej në radhët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), që nga ditët e para.

Lufta në Luginë të Preshevës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Radhët e kësaj ushtrie, tashmë i kishte plotësuar edhe i vëllai, Muharremi. Në UÇPMB, Nijaziu kishte edhe pozita komanduese, si komandant toge, kompanie e brigade, tashmë i njohur si komandant “Mjekrra”. Ishte komandant i brigadës 115 “Karadaku” të UÇPMB-së, e cila pas rënies së tij mori emrin brigada “Nijazi Azemi”. Në betejat e shumta të UÇPMB-së, pushka e Nijaziut jehoi fuqishëm deri me nënshkrimin e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht të marrëveshjes midis palëve ndërluftuese për t’i dhënë fund konfliktit. Këtë marrëveshje, ai e kishte pritur me shumë rezervë, ngase me të drejtë nuk mund t’i besonte sinqeritetit të pushtuesit serb. Ato ditë kishte deklaruar hapur se nuk do t’i dorëzonte armët dhe se për të nuk ishte e kuptueshme se ç’kishin nënshkruar eprorët e tij. "Armët nuk i kam kapur për t’i dorëzuar" - ishte shprehur Nijaziu.

Vdekja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 26 Mars të vitit 2001, Nijaziu me bashkëluftëtarët, Burim Berisha, nga Sadovina e Jerlive, Milaim Abazi, nga Skifteraj, me Hajrizin e me luftëtarë të tjerë, ndodhej në vijën e frontit afër fshatit Caravajkë të komunës së Preshevës. Në këtë fshat ndodheshin të pozicionuara edhe forcat serbe. Në orët e pasdites të kësaj date, në një shkëmbim zjarri, në vendin e quajtur Stanec, Komandant Mjekrra goditet nga një plumb snajperi. Megjithëse ishte i veshur me jelek antiptumb, ai ishte goditur në anën e majtë të gjoksit. Plumbi kishte depërtuar në vendin ku ishte kopsitur jeleku. Ushtarët Hajriz Jahiri, Milaimi e bashkëluftëtarë të tjerë e tërheqin trupin e Nijaziut deri në vendin ku mund t’i jepej ndihma e parë mjekësore. 40 minuta pas dhënies së kësaj ndihme, Komandant Mjekrra hyn në përjetësi, duke mbetur shembull i luftëtarit për lirinë e të gjitha trojeve etnike shqiptare. Më 28 mars të vitit 2001, trupi i dëshmorit Nijazi Azemi u ekspozua në sheshin “Adem Jashari” në Viti, para të cilit u përulën mijëra liridashës nga të gjitha anët e Kosovës e të viseve të tjera etnike. Me dhembje e me nderime të larta, atë ditë u varros, në Varrezat e Dëshmorëve në Viti, duke ua lënë krenarinë e përjetshme prindërve, Ramushit e Shehrides, vëllezërve Avniut, Gëzimit, Kujtimit, Muharremit e Burimit dhe të shoqes Nexharie e të fryteve të dashurisë me të, Kosovares, Kosovarit, Flamurit e Liridonit. Të dashurit e tij, sot ruajnë me përkushtim kujtimin për trimin atdhetar, Nijazi Azemi, duke vështruar reliktet e trimërisë së tij: gjoksoren, jelekun antiplumb, helmetën, kapelën, uniformën ushtarake dhe shënimet e një ditari të hershëm. Emrin e Nijazi Azemit e mban një shesh i qytetit të Vitisë. Ndërkohë, vepra dhe heroizmi i tij janë pasqyruar në shumë shkrime gazetash dhe në një film dokumentar.

Burimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referencat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]