Norbert Jokl
Norbert Jokli | |
Emri | Norbert |
Mbiemri | Jokl |
Lindur më | 25 shkurt 1887 |
Lindur në | Bzenec, Perandoria e Austro-Hungarisë |
Vdiq më | 11 maj 1942 |
Kombësia | Hebre'e |
Shtetësia | austro-hungareze, austriake |
Profesioni | bibliotekist, filolog, albanolog |
Mirënjohje | |
Urhdri i Skënderbeut | |
Norbert Jokli (Bzenec, 25 shkurt 1887 - 6-11 maj 1942) ka qenë filolog austro-hungarez e austriak me prejardhje hebreje. Njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë. Por, para se të njihej si albanolog i madh ai ishte i çmuar si studiues i filologjisë balto-sllave, si dhe oberstaatsbibliothekar i Universitetit të Vjenës.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Bisenz në Moravinë e Jugut (sot pjesë e Republikës Çeke), bir i Heinrich dhe Emilie Haas. Vëllai i tij i madh, Vilhelmi, vdiq më 1895 në moshën 21 vjeçare.
Norberti përfundoi shkollimin e mesëm me nota të shkëlqyera dhe hyri në fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Vjenës. Ku u laureua me summa cum laude më 23 qershor 1901. Pasi punoi një periudhë si stazhier ligjor, por më vonë vendosi t'i përkushtohej gjuhësisë.
Studjoi për gjuhësi indoevropiane, sllavistikë dhe romanistikë, duke u laureuar edhe aty me vlerësimet më të larta. Vjeshtën e 1903 filloi punën si stazhier në bibliotekën e Universitetit të Vjenës, ku punoi deri më 1938. Në moshën 30 vjeçare, nisi të thellohej në studimin e gjuhës shqipe duke ndjekur kursin e Gjergj Pekmezit, asokohe lektor i shqipes në universitetin vjenez. Më pas përforcoi njohuritë si autodidakt me ndihmën e studentëve dhe shqiptarëve të atëhershëm në Vjenë.[1]
Më 1913 ai qe Privatdozent në hullinë e "Gjuhësisë indo-europiane me specialitet gjuhët baltike, sllave dhe atë shqipe". Më 1923 u emërua Professor extraordinarius, dhe më 1937 Hofrat. Shkroi punime të shumta mbi albanologjinë dhe u bë specialist i shquar. Në prillin e 1933, paleontologu dhe albanologu Franc Nopça vrau sekretarin dhe veten e tij, dhe i la punimet e tij albanologjike trashëgim Joklit.
Pasi Adolf Hitler mori pushtetin në Gjermani, dorëshkrimet e Joklit nisën t'i refuzoheshin dhe ai nuk ftohej më nëpër konferenca. Më 20 maj 1938, u shkarkua si rrjedhojë e Anschluss-it të Austrisë dhe iu ndalua aksesi në mjediset e ish-vendit të punës. Dekani i Fakultetit të Filozofisë, Viktor Christian, u përpoq ta shpëtonte nga pushimi prej punës, por ishte e kotë. Më tej gjatë atij viti aplikoi (me mbështetjen e dekanit) që të vlerësohej si "person me gjak të përzier të shkallës së parë" në mënyrë që të kishte akses nëpër biblioteka. Aplikimi iu refuzua.
Georg Solta, që u bë profesor i gjuhësisë indo-europiane, e vizitonte shpesh vitet që pasuan që të mbante kontakt me prijësin e tij akademik dhe të thellonte studimet në indoeuropianistikë. Sipas dëshmive të lëna nga Solta, Jokli bënte jetë asketi, dy dhoma të shtëpisë së tij ishin të mbushura me libra, merrej vetëm me kërkime, dhe një shërbëtore i përgatiste për të ngrënë.
Përpjekja shqiptare për ta ndihmuar
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Duke ditur pozitat e tij, ish-studenti i tij Lasgush Poradeci i drejtoi një letër qeverisë shqiptare të kohës për ta ftuar që të punonte në Shqipëri, por përpjekja e tij u ndërpre nga pushtimi italian. Pas pushtimit, autoritetet shqiptare dhe filologu italian Karlo Taliavini u angazhuan po ashtu që ftonin në Shqipëri duke i ofruar punësim, ku do të merrte edhe bibliotekën e tij.[2] Jokli u arrestua më 4 mars 1942 në banesën e tij Vjenë, ku dy nëpunës të Gestapos e morën prej shtëpisë së tij në Neustiftgasse 76 dhe e futën në paraburgim së pari në Sperrgasse e mandej në kazermën Rossauer në Vjenë. Disa studjues austriakë pohojnë se Jokli vdiq nën tortura në kazermën Roßauer në Vjenë, ndërsa të tjerë pohojnë se vdiq në kampin e përqëndrimit të Maly Trostinec-it, një lokalitetit rreth 12 km në juglindje të Minskut. Dokumentet që përshkruajnë itinerarin e transportit dhe ndalesat e ndryshme, vë në dukje faktin se më datë 9 maj, kur treni mbërriti në Kajdanowo, në afërsi të Minskut, kishin vdekur 3 burra dhe 5 gra prej hebrenjve të internuar. Datë zyrtare se kur ndërroi jetë jepet 11 maji i 1942.
Më 29 prill 1982 senati i Universitetit të Vjenës vendosi të vendosë emrin e Norbert Joklit në tabelën e nderit të universitetit.
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Mbas një pune të zellshme dhe të pandërprerë i shkoi për dore të botojë veprën më titull "Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung" (Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes). Në këto studime i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes: në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj. Këtu dëshmon për burimin e një numri të madh fjalësh, që G. Meyer i merr për huazime të shqipes. Kjo vepër merret si arritja më e rëndësishme në fushë të shqipes pas fjalorit etimologjik të Meyerit. Etimologjia zë vendin e parë në gjurmimet e tij në fushë të leksikut të shqipes, kjo qe lëmia ku edhe kontribuoi më shumë, por një rëndësi të tillë i kushtoi edhe morfologjisë dhe fjalëformimit, kurse në fushë të fonetikës për periudhën parahistorike ai hapi shtigje të reja në punë të apofonisë dhe në konsonantizëm.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Maksuti, Izer (20 janar 2020). "Norbert Jokli, figurë e shquar e albanologjisë". botasot.info.
- ^ Alibali, Agron (2018). "Amaneti i papërmbushur dhe fjalori etimologjik i prof. Norbert Jokl" (PDF). peizazhe.com.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)