Oh (roman)
Stampa:Infobox libër Oh është roman i shkrimtarit Anton Pashku botuar në vitin 1971.
Përmbajtja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Formula strukturore e romanit është: ×{× [ y () y ] ×} × [1]
Heronjtë e "Oh"-it janë Ai dhe Ajo.[2] Ngjarjet në romanin “Oh” ndodhin të gjitha brenda harkut kohor të një dite. [3] Romani hapet me një rrëfimtar mashkull, Ai, që rrëfen në vetën e parë botën e tij jetësore dhe fizike, në shikim të parë të pakuptimtë. Ai, na rrëfen se si shkoi në banjë, si ishte bërë kaps, si hutohet duke vështruar jargët, si mbetet duke bërë disa veprime pakuptim dhe që i përkasin botës thjesht biologjike, por që në fakt flasin për gjendjen e njeriut të vetmuar modern dhe problemet e tij gati absurde. Që në rreshtat e parë kapet absurditeti i situatës dhe vetmia e personazhit.[4][3] Heronjtë e Oh-ut, Ai dhe Ajoi, si arketipe gjinore humane, japin habitshëm dy pole njerëzore të natyrave të ndryshme , dy qenie fare të ndryshme që grinden me njëri-tjetrin. [5] Mënyra e kalimit të rrëfimit nga Ai tek personazhi tjetër, që del më vonë - Plaku, bëhet në sajë të rastësisë, Ai rrëfen në vetën e tretë duke iu referuar shfaqjes së Plakut që ngjan me një shfaqje epifanike [4] Në këtë pjesë të romanit ndryshon krejt fryma e rrëfimit, këtu është historik dhe simbolik, pasi ndërtohet nëpërmjet simboleve të njëpasnjëshme. [6] Rrëfimi kalon nga Ai tek Plaku, i cili del edhe si simbol i dijes, i kujtesës historike, duke e vlerësuar të kaluarën. Plakut diçka i mungon dhe ajo është diçka esenciale, që e shtyn drejt një kërkimi tej kohor. Plaku ka 100 dele dhe gjithmonë i humbet një, gjithmonë mbetet në kërkim të njërës dhe pikërisht gjatë kërkimit të saj i humb tjetra. Kjo është e gjithë jeta e tij. [4] Ky personazh i afrohet figurës së Sizifit të dënuar përjetësisht, që me një shkëmb në krah t'i ngjitet malit dhe para se të arrijë në majë rrokulliset poshtë për t'u ngjitur përsëri.[7] Historia e deles se humbur dhe e barkës del, si histori kurrë e përfunduar e (mos)përmbushjes së ëndrrës së individit apo edhe të bashkësisë.[8]
Pas dialogut që bën me dy personazhet (mashkullin Ai dhe femrën Ajo), Plaku vazhdon rrëfimin e tij i cili është një kujtesë që në rastin konkret është shumë e madhe, shekullore. Me anë të Plakut, që merr rolin e rrëfimtarit, bëhet kalimi e ndërrimi i kohëve, nga bashkëkohësia në antikitet (Iliri), në kohën e kryengritjes së madhe ilire në vitin 9 të erës sonë.[4]. Këtu rrëfimi kalon nga Plaku tek rrëfimtarë të tretë, të cilët janë Breuku dhe Disidiati, ngjarjet rrëfehen dhe shpalosen me anë të dialogut që zhvillohet ndërmjet tyre, ndonëse brenda kujtesës së Plakut. Këtu kemi një hallkë tjetër të analepsës, thellimit të kohës, të një retrospektive tjetër brenda asaj të parës, që na kohën e pushtimit të Ilirisë nga romakët.
Ngjarjet historike pavarësisht rrejdhin në tekstin e romanit nëpërmjet bisedave të Breukut dhe Desidiatit, të cilët me anë të këndvështrimit të tyre i raportojnë për njëri – tjetrin dhe për lexuesin njëkohësisht. Ata të krijojnë përshtypjen e disa vëzhguesve të terrenit, që nuk përfshihen në atë që ndodh. Vëzhgimi është ngajashtë dhe e gjithë ngjarja historike, ndërtohet nëpërmjet simbolesh dhe detajesh simbolike, paralelizmash me natyrën dhe botën përrreth, për të nxjerrë në fund edhe shkatërrimin përfundimtar dhe dorëzimin e Ilirisë në duart e Romakëve.[9] Shkaktar për këtë bëhet tradhëtia dhe vëllavrasja mes dy vllezërve, mbretit ilir Gentit dhe vëllait të tij Platorit për ambicie personale për pushtet dhe për Etlevën e bukur, që duke e dhënë në prizmin e një mëkati fillestar, çka pashmangshëm të kujton tradhëtinë fillestare mes Abelit dhe Kainit, i jep veprës në këtë rast vlerat e rrezatimit universal të idesë. Me këtë vëllavrasje, shkatërrohet ekulibri dhe harmonia familjare. Shkatërrohet një sistem i brendshëm për zotërimin dhe zhvillimin e një sistemi tjetër, tejpersonal. Është ky “mëkat” fillestar i cili vulos fatin e të ardhmes, të gjithë bashkësisë, të cilën e pret i njejti fat sipas Pashkut, sepse mëkati “fillestar” ka ndodhur dhe përsëritja e tij është e pashmangashme si një lloj mallkimi.[10] [11] Në rastin e dytë, në dialogun e Breukut dhe Disidiadit jepet tradhëtia e Batos së Breukëve, i joshur nga pasuria që i premtojnë romakët. Në këtë rast kemi vrasjen e Batos se breukve prej Batos se desidiatëve sepse ai tradhëton, fisin dhe vendin. Tradhëti e cila simbolikisht paraqitet me anë të pasqyrave me dy faqe që kishte sjellë gjenerali romak Tiberi nga Roma për t'i mashtruar ilirët.[11]
Sipas Breukut, pylli shkatërrohet sepse jep bishta për sëpata, një simbolikë që lehtë kuptohet: kur pylli ia jep mundësinë sëpatës që t’i sjellë atij shkatërrimin. Nënvizohet lufta brenda llojit, me tëndin, duke sjellë kështu edhe idenë për bashkësinë e vet, që vetëm nga i veti i vijnë rreziqet, tradhëtitë dhe shkatërrimi. Duke aluduar për tradhëtinë që vjen nga brenda, në rastin fillestar në Iliri, e cila ishte brenda familjes dhe më vonë edhe në mes princave (tradhëtia e Batos së Breukëve ndaj Batos së Desidiatëve), autori arrin të theksojë për çdo lloj tradhëtie të tillë, por sidomos për atë që i bëhet vendit të vet.[10] Rrëfimi kthehet prapë tek Plaku i cili tregon pasojat e tradhëtisë në lashtësi.[10]
Bëhet edhe një kapërcim në kohë. Në këtë pjesë të romanit vazhdohet teknika e vënies përballë e dy alternativave, dy botëve, dy ideve, dy problematikave dhe dy mënyrave të zgjidhjes. Nëse në fillim kishim dyshen Ai – Ajo, pastaj dyshen Breuk – Desidiat, tash kemi dyshen Atë – Bir. Në këtë dyshe përballja dhe konflikti, qoftë i ideve, qoftë i veprimeve është i pranishëm dhe bëhet i ditur me anë të rrëfimit të Birit. Ati krijohet si personazh me anë të ligjërimit të Birit, që gjatë gjithë kohës i referohet atij.[12] Ati don tokën, dheun, vendin e vet, rrjedhimisht edhe kulturën, traditën, familjen, të vetin, të afërmin. Dhe njëkohësisht, është i gatshëm të sakrifikohet për të, për idealin dhe jetën që mbron. Biri nga ana tjetër don qiellin, urren dheun, urren familjen, martesën dhe shtëpinë e tij.[13] Autori prek konfliktin e gjithëkohshëm mes brezave, duke i dhënë veprës së Pashkut në këtë rast praninë e ideve shqetësuase dhe gjithëkohore që e shoqërojnë individin pavarësisht epokave të cilave ai u përket.[12]
Këtu rrëfimi merr natyrë retorike, propaganduese dhe parashtruese sepse është monolog që shpaloset në formën e një fjalimi të mbajtur në publik,[12] në një sallë të madhe vezake, të cilën të pranishmit e stolisin me balona shumëngjyrëshe. Biri flet pa ndalur për projektin e tij për një Utopi, ndërsa turma e ndëgjon dhe i brohorit. Këtë utopi Pashku e lufton në romanin Oh nëpërmjet tekstit ironik, të groteskës e satirës fshikulluese.[1] Krejt lufta propaganduese e Birit bëhet për idenë e tij, për një botë unike, ku çdo gjë të funksiononte e udhëhequr nga një dorë e vetme, një botë homogjene, e njëjtë në funksionim, duke nënkuptuar natyrisht për një botë të mbyllur dhe totalitare, e cila të sugjeron njejtësimin dhe ekzistimin e gjërave njëshe.
“...vetëm nji libër leximi, vetëm nji libër të historisë, vetëm nji libër të filozofisë, vetëm nji tregim, vetëm nji novelë, vetëm nji roman, vetëm nji dramë, vetëm nji sonet, vetëm nji baladë, vetëm nji gazetë të përditshme, vetëm nji revistë, do të ketë vetëm nji radiotelevizion...”[14]
Në fjalimin e Birit, i cili paraqitet si mizogam, insistohet në prishjen e institucionit të familjes. Kërkohen prishjet e kufijve shtetërorë dhe kombëtarë, kontinentalë, madje utopia e tij s’ka të ndalur dhe kalon edhe kufijtë e Tokës e Diellit. Në këtë totalitarizëm edhe ekonomia do të jetë e organizuar ashtu që çdo kënd i Kozmosit do të prodhojë vetëm një prodhim, p.sh. Toka do të prodhojë vetëm "gropa të nevojtoreve, kunja dhe shtupa". Numërohen me radhë gjitha fabrikat që do të prodhojnë vetëm një produkt të vetëm një prodhim.[1]
Në hovin e pandalshëm të radhitjes së fabrikave të Kosmosit e bën një gabim: “Vetëm nji karrigë”. Pra shqipton, kërkesën e vet për pushtet të pakufizuar, mbi të gjithë. Po kërkesa më tragjike është të fshihet trashëgimia, birësia dhe identiteti kombëtar. Ky fjalaman, është i pari kundër babait të vet, dhe do t’ia thente përmendoren sepse: “Mue më pëlqente të shikojsha kah qielli, atij i pëlqente të shikonte kah toka”. E babai që e donte më shumë tokën dhe botën ta shikonte nga çatia e shtëpisë së vet përdhecke, e ka leçitur. Sepse baba “... ishte i gatshëm të bahej dhé, dhé për atë dhé”.[1] Biri gjen si rrugëdalje arratisjen, largimin nga i ati, nga toka, dheu dhe çdo gjë që e përfaqëson Atin që na vjen nëpërmjet këtyre detajeve simbolike siç janë duhma e dheut dhe byku. Fakti që biri refuzon erën e dheut të atit të tij dhe preferon bykun e kumbarës, është edhe këtu devijimi dhe ikja nga udha tradicionale e dashurisë ndaj vendit dhe ndaj asaj që i përket. Në këtë mënyrë autori nënvizon, jo vetëm përplasjen e fortë mes brezash dhe botësh të ndryshme kundërta, por edhe idenë e fshehur se e reja, brezi i ri, ndonëse lindin në një dhe, ushqehen në atë tokë, po ikin, po e braktisin dhe ati është ai që mbetet vetëm dhe i braktisur nga i biri, i cili nuk e kupton. Me këtë personazh, jo vetëm nënvizon temën e përplasejeve mes kohëve dhe brezave, por na sjell një personazh që lidhet për nga realizimi dhe funksionimi i tij me modelin e birit plangprishës.”[15]
Në fund të romanit kthehemi edhe një herë aty ku romani ka zënë fill, tek rrëfimtari fillestar, Ai, i cili na tregon dhe parashtron një situatë gati të njejtë me atë të fillimit. Në fillim Ai kishte praninë e femrës, në fund nuk e ka, Ajo ikën gjithë poterë, duke e lënë në vetmi totale; vetmia e tij totale sugjerohet nga mbijetesa e vetëm një peshku në akuarium, nga i cili vetëm sa vërehej një pinë; pra, po mbetej gjallë me zor dhe “s’dukej as i mjerë e as i lumtur, as i hutuam e as i habitun”.[16]
Rëndësia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Botime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Oh, “Rilindja”, Prishtinë, 1971
- Oh, “Rilindja”, Prishtinë, 1979
- Oh, “Rilindja”, Prishtinë, 1986,
- Oh, “Rilindja”, Prishtinë, 1990
- Oh, “Pipaj-Camaj”, Shkodër, 2002
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b c d Hamiti 2013, p. 124-126
- ^ Rrahmani 2019, p. 143.
- ^ a b Brahaj 2017, pp. 28.
- ^ a b c d Brahaj 2017, pp. 18-20.
- ^ Rrahmani 2019, p. 143.
- ^ Brahaj 2017, pp. 21.
- ^ Letërsia
- ^ Rrahmani 2019, p. 139.
- ^ Brahaj 2017, pp. 79.
- ^ a b c Brahaj 2017, pp. 22-23.
- ^ a b Brahaj 2017, pp. 88-90
- ^ a b c Brahaj 2017, pp. 24-25.
- ^ Brahaj 2017, pp. 90.
- ^ Brahaj 2017, pp. 48.
- ^ Brahaj 2017, pp. 28.
- ^ Rrahmani 2019, p. 139.
Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Krasniqi, Nysret (2016). Letërsia e Kosovës 1953-2000. Prishtinë: AIKD.
- Aliu, Ali (2012). Kënaqësia e leximit. Prishtinë: ASHAK.
- Rrahmani, Kujtimt (2019). "Habia e Anton Pashkut: Oh". STUDIME: Revistë për studime filologjike, numër 25. Prishtinë: ASHAK.
- Brahaj, Manjola (2017). PROZA E ANTON PASHKUT MES MODERNES DHE EKSPERIMENTALES' - punim doktorature (PDF). Tiranë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 23 gusht 2020. Marrë më 23 gusht 2020.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja) - Hamiti, Sabri (2013). Utopia letrare. Prishtinë: ASHAK.
- Rrahmani, Kujtimt (2019). "Habia e Anton Pashkut: Oh". STUDIME: Revistë për studime filologjike, numër 25. Prishtinë: ASHAK.
- Krasniqi, Nysret (2019). "A/Z". STUDIME: Revistë për studime filologjike, numër 25. Prishtinë: ASHAK.
- Gashi, Agron (2020). "ANTON PASHKU: TREGIMI I PARË, RRËFIMI I FUNDIT". STUDIME: Revistë për studime filologjike, numër 26. Prishtinë: ASHAK.
- Hamiti, Muhamet (2020). "TOPOSI I VENDIT TË PËLQYESHËM (LOCUS AMOENUS) KARSHI BOTËS SË PËRMBYSUR TE OHU I ANTON PASHKUT". STUDIME: Revistë për studime filologjike, numër 26. Prishtinë: ASHAK.
- Çitaku, Muhamet (2018). "Romani simbolist i Kosovës". STUDIME: Revistë për studime filologjike, numër 24. Prishtinë: ASHAK.