Shko te përmbajtja

Petraq Qafëzezi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Filmi Lulëkuqet mbi mure

Petraq Qafzezi (Korçë, 11 mars 1935) është shkrimtar, inxhinier ndërtimi dhe pionier i aviacionit shqiptar të pasluftës, romani autobiografik i të cilit "Bonjakët" shërbeu si bazë për filmin "Lulëkuqet mbi mure".

I mbetur pa nënë kur ishte vetëm dy muajsh, nga mosha tre deri trembëdhjetë vjeçare u rrit në jetimoret e Korçës, Shkodrës dhe Tiranës, në një periudhë që përkon me zhvillimin e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri (në Korçë gjatë luftës italo-greke, në Tiranë gjatë betejës për çlirimin e Tiranës nga nazistët më 17 nëntor 1944).[1]

Pas tre vitesh studime të larta për inxhinieri ndërtimi në Teknikumin e Ndërtimit në Tiranë, në vitin 1958 nis kursin aviacionit ushtarak fillimisht në Tiranë dhe më pas në Qytetin Stalin. Pas disa aksidentesh me avionë gjatë kursit në verën e vitit 1960, njërit prej të cilëve në gusht të atij viti i mbijetoi, (gjatë një fluturimi stërvitor, avionit të tij Mig-15 i bllokohen krahët në 4000 metra lartësi dhe nis të bjerë, Qafzezi parashuton veten duke u hedhur nga avioni me katapultë), [1][2] kryen një kurs një vjetor për aviacionin në Krasnodar të Bashkimit Sovjetik por ndërpret studimet si aviator pasi rebelimit të grupit të studentëve shqiptarë për kushtet e trajtimit nga shkolla.[1]

Kur kthehet në Shqipëri, përfundon studimet për inxhinieri ndërtimi dhe nis punë si arkitekt në Ministrinë e Ndërtimit në Tiranë. Në vitin 1966, vendoset me banim në qytetin e Durrësit, ku punon në zyrën shtetërore të projekteve të ndërtimit. Në Durrës, ka qenë bashkarkitekt në projektimin e Pallatit të Sportit dhe kinoteatrin e qytetit si dhe në konvertimin e xhamisë së qytetit në objekt kulturor laik.[1]

Qafzezi u mor me krijimtari letrare dhe u njoh si autor autor poezish, tekstesh këngësh dhe romanesh kryesisht për fëmijë.

Ka shkruar tekste për këngë gati në të gjitha festivaletRadio-Televizionin Shqiptar, deri në festivalin e 13-të në vitin 1974. Mes tyre, "Si mimoza që çelën", "Sot jam njëzet vjeç" e kënduar nga pionierja e muzikës së lehtë shqiptare këngëtarja Vaçe Zela, dhe "Nënave shqiptare".[3]

Në vitin 1972 ai botoi romanin autobiografik “Bonjakët”, i cili në konkursin e Lidhjes së Shkrimtarëve fitoi çmim të parë. Romani shërbeu si bazë e filmit më të njohur të Kinostudios "Shqipëria e re", "Lulëkuqet mbi mure" të regjizorit Dhimitër Anagnosti.[3]

Petraq Qafzezi ka shkruar dhe romanet e tjera me elementë autobiografikë "Moshatarët" (1976̠) dhe "Rruga e fluturimeve" (1981).

Jeton në Torino të Italisë që nga viti 1998.

Burimet e informacionit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. 1 2 3 4 Puto, Fatos; Kalemasi, Aleks (22 nëntor 2012). "Petraq Qafëzezi - Si e shkruajta skenarin e filmit Lulëkuqet mbi mure". Gazeta Dita. Arkivuar nga origjinali më 3 mars 2013. Marrë më 26 shkurt 2013.
  2. Aleksandër Cala, Komandanti i Mig-ve -21, piloti myzeqar Dhori Zhezha, intervistë. Postim në faqen në Facebook të Shoqatës AK "Myzeqeja", 24 prill 2021.
  3. 1 2 Demo, Elsa (21 shtator 2012). "Jeta ime, lulëkuqe mbi mur". Gazeta Shekulli. Arkivuar nga origjinali më 5 tetor 2012. Marrë më 27 nëntor 2025.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]