Jump to content

Rexhep Pashë Mati

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Rexhep Mati)
Rexheb Pasha

Rexhep pashë Mati (arabisht: رجب باشا; Batër, 1841 - Stamboll, 1908) ka qenë ushtarak shqiptar i Perandorisë Osmane, ministër dhe nëpunës i lartë. Për kontributin e tij në çështjen kombëtare, Çajupi e përmend në vargjet "Ngreu Rexhep Pasha ngreu / Ngreu se të pret atdheu".[1]

U lind në lagjen Hoxhaj të katundit Batër të Matit, i biri i Mulla Hasan Ruçit.[2] Xhaxhai i tij, furrtar në Edrene, e mori me vete në atë qytet, ku vazhdoi mësimet në një shkollë të mesme ushtarake, dhe pasi e mbaroi, kreu në Stamboll edhe mësimet e Akademisë dhe të Shtatmadhorisë ushtarake.[3]

Më 1864 u gradua kapiten në divizionin e 6 të ushtrisë perandorake. Qershorin e 1869 u gradua kapiten i klasit të parë në po atë divizion. Më 1871 u bë major dhe vali ushtarak në grupin e pestë Armatës së 6-tëBagdad. Më 1875 me gradën e nënkolonelit u transferua në rojen kufitare të vilajetit të Janinës. Më 1877 si kolonel u dërgua në Armatën e 8-të në divizionin e Bosnjes dhe mandej po me atë grade e me po atë armatë u caktua në Divizionin e 3 në Janinë. Më 1883 i graduar gjeneral divizioni, u transferua nga Janina si komandant i Divizionit të 6-të në armatën Selanik-Kosovë.[4]

Më pas u dërgua vali dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë në Tripoli. Ndonëse me kompetenca të gjëra, mbahej atje si gjysmë i internuar. Sipas Sejfi Vllamasit, Rexhep Pasha bashkëpuntonte ngushtë me Ismail Qemalin, veprimtarinë e të cilëve e përkrahnin edhe dy patriotë të tjerë, Xhaferr Mbreshtani dhe Hoxhë Vokrri. Veprimtaria e tyre nisi që në 1900, bashkëpunim i cili ishte për t'i ardhur në ndihmë Shqipërisë që kërcënohej nga rreziku i coptimit të afërt të perandorisë në agoni. Ata kishin rënë dakord në bazë të një plani veprimi që konsistonte:[3]

  1. Ismail Qemali do të siguronte përkrahjen e qeverive të huaja në favor të autonomisë shqiptare, pas një kryengritje do të shpërthente në Shqipëri;
  2. Në Shqipëri, pasi të përgatiteshin kushtet për një kryengritje nga Hoxhë Vokrri dhe Xhaferr Mbreshtani e shokë, me të shpërthyer kryengritja, Rexhep Pasha me ushtrinë e tij, befas, do të zbarkonte në Selanik dhe do të delaronte autonominë e Shqipërisë.

Ismail Qemali ndër kujtimet e veta e lakon Mareshalin Rexhep Pasha, komandant i Armatës në Tripolitani, si njeri i përshtatshëm dhe "me guximin e denjë të një shqiptar, sikundër ishte, dhe me ndjenjë të fuqishme atdhetarie" për të ngritur një kryengritje duke shqyrtuar mundësinë që nëse merrte Selanikun me një pjesë të ushtrisë, do të tërhiqte në anën e tij bashkëkombësit shqiptarë; kurse, po të zbarkonte në Bolajir nga Gjiri i Sarosit, duke shfrytëzuar autoritetin që gëzonte në ushtrinë osmane, ai do të bëhej zot i pikës më të fortë ushtarake që kishte perandoria. Me anë anë të një korrespodence në mirëbesim që patën, u dhanë garanci njëri-tjetrit se do të vinte në jetë ky plan po të siguroheshin mjetet e transportit, mjetet materiale si dhe të garantohej që më përpara mbështetjen e fuqive të interesuara për mbarëvajtjen e Perandorisë Osmane, sidomos të Britanisë së Madhe.[5] Gjatë qëndrimeve të Ismail Qemalit në Napolit, priste takime me Xhaferr Brezhdanin dhe Said Efendiun për të kuptuar se ç'qëndrim do të kishte Rexhep Pasha për këtë lëvizje, lëvizje e cila nuk arriti të zbatohej për shkak të kushteve të ngatërruara dhe pamundësisë për të njësuar një front politik solid.[6]

Me shpalljen e Kushtetutës, Rexhep pashë Mati prej Tripolit e thërrasin në Stamboll ku ishte emëruar ministër i Luftës i qeverisë së parë të Hyrrijetit, por pas 24 orësh ndërroi jetë në moshën 60-vjeçare.[3]

  1. ^ Çajupi, Andon Zako (1957). Shuteriqi, Dhimitër (red.). Vepra. Tiranë: Ndërmarrja shtetërore e botimeve. OCLC 796226064.
  2. ^ Stërmilli, Haki (1982) [30 korrik 1941]. "Rexhep Pashë Mati". Vepra letrare. Vëll. 3. Tiranë: Naim Frashëri. fq. 153.
  3. ^ a b c Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 34–35. ISBN 978-9928-140-54-8.
  4. ^ Stërmilli 1982, fq. 154.
  5. ^ Qemali, Ismail (2009) [1920]. Kujtime. Përkthyer nga Myftiu, Abdurrahim. Tiranë: Toena. fq. 351. ISBN 978-99943-1-558-1.
  6. ^ Qemali 2009, pp. 354-357.