Jump to content

Plani i Kombeve të Bashkuara për ndarjen e Palestinës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Rezoluta 181 (II))

Plani i Kombeve të Bashkuara për ndarjen e Palestinës ishte një propozim i Kombeve të Bashkuara, i cili sugjeroi një ndarje të Mandatit Britanik të Palestinës në fund të Mandatit Britanik. Më 29 nëntor 1947, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Planin si Rezolutën 181 (II). Rezoluta sugjeroi krijimin e shteteve të pavarura arabe dhe hebreje të lidhura ekonomikisht dhe një Regjim Ndërkombëtar të Veçantë për qytetin e Jeruzalemit dhe rrethinat e tij.

Shteti arab duhej të kishte një territor prej 11,100 kilometrash katrorë ose 42%, shteti hebre një territor prej 14,100 kilometra katrorë ose 56%, ndërsa 2% i mbetur – që përfshinte qytetet e Jeruzalemit, Betlehemit dhe zonën fqinje – do të bëhej një zonë ndërkombëtare. Plani i Ndarjes, një dokument me katër pjesë bashkëngjitur rezolutës, parashikonte përfundimin e mandatit, tërheqjen shkallë-shkallë të forcave të armatosura britanike dhe përcaktimin e kufijve midis dy shteteve dhe Jeruzalemit.

Pjesa I e Planit përcaktonte që Mandati do të ndërpritej sa më shpejt që të ishte e mundur dhe Mbretëria e Bashkuar do të tërhiqej jo më vonë se 1 gushti 1948. Shtetet e reja do të krijoheshin dy muaj pas tërheqjes, por jo më vonë se 1 tetori 1948. Plani synonte t'i drejtohej qëllimeve dhe pretendimeve kundërshtuese të dy lëvizjeve konkurruese, nacionalizmit palestinez dhe nacionalizmit hebre, ose sionizmit. Plani bëri thirrje gjithashtu për Bashkim Ekonomik midis shteteve të propozuara dhe për mbrojtjen e të drejtave fetare dhe të pakicave. Organizatat hebraike bashkëpunuan me UNSCOP gjatë diskutimeve dhe udhëheqja arabe palestineze e bojkotoi atë.

Kundërshtarët e planit e konsideruan planin e propozuar si prosionist, me 56% të tokës që i ndahej shtetit hebre, megjithëse popullsia arabe palestineze kishte dyfishin e popullsisë hebreje. Plani u festua nga shumica e hebrenjve në Palestinë dhe me ngurrim u pranua nga Agjencia Hebraike për Palestinën me dyshime. Udhëheqësit sionistë, në veçanti David Ben-Gurion, e panë pranimin e planit si një hap taktik dhe një hap drejt zgjerimit të ardhshëm territorial mbi të gjithë Palestinën. Komiteti i Lartë Arab, Lidhja Arabe dhe udhëheqës e qeveri të tjera arabe e refuzuan atë, pasi përveç se arabët formuan një shumicë prej dy të tretash, ata zotëronin edhe shumicën e tokave. Ata gjithashtu treguan një mosgatishmëri për të pranuar çdo formë të ndarjes territoriale, duke argumentuar se ajo shkelte parimet e vetëvendosjes kombëtareKartën e OKB-së, e cila u jepte njerëzve të drejtën për të vendosur për fatin e tyre. Ata njoftuan synimin e tyre për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të penguar zbatimin e rezolutës. Më pas, një luftë civile shpërtheu në Palestinë, dhe plani nuk u zbatua.