Romët në Shqipëri
Romët në Shqipëri janë pakicë kombëtare. Shqipëria nuk i ka numëruar kurrë anëtarët e pakicës rome me përjashtim të vetëdeklarimit të vitit 2011, por qeveria shqiptare në strategjinë për përmirësimin e kushteve të pakicës, miratuar në vitin 2003, citon burime të ndryshme për të vlerësuar popullatën rome mes 60 mijë dhe 120 mijë vetëve.
Por, censusi i vitit 2011 identifikoi gjithsej 8301 romë në të gjithë vendin. Romët janë vendosur në Shqipëri në shekullin e 13-14, të ardhur nga Turqia e asaj kohe, ku dhe kishin emigruar më parë nga India e veriut.
Historia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Faktet gjenetike, gjuhësore dhe historike, tregojnë se romët kane emigruar nga India rreth shekullit të njëmbëdhjetë.[1] Zona nga ata kanë emigruar është India veriore e veriperëndimore e sotme dhe Pakistani Lindor i sotëm.
Kultura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Romët dallohen për kërcimet dhe këngët e tyre dhe për një shumëllojshmëri kulturash. Si instrument përdoret gjerësisht lodra (tupani), instrument që përdoret nëpër dasma edhe në Indi.
Gjuha
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Romët në Shqipëri flasin gjuhën shqipe, megjithëse dallohen nga theksi apo gramatika e përdorur, dhe në të njejtën kohë dhe gjuhën e tyre amtare, gjuhën rome. Ka shumë grupe rome që lëvizin shpesh nga një vend në tjetrin nëpër Shqipëri, të cilët nuk flasin shqip por vetëm gjuhën e tyre rome. Gjuha rome ka ngjashëri me gjuhët e folura në Indinë e veriut dhe Pakistanin lindor.
Meçkarët janë fisi më i madh rom dhe më i vjetër në Shqipëri. Ata jetojnë në qytetet e Tiranës, Durrësit, Lushnjes, Fierit dhe Vlorës dhe janë marrë tradicionalisht me bujqësi dhe kultivim në ferma. Çergarët në Shqipëri kanë ardhur në dy drejtime; njëri nga Maqedonia e sotme, të cilët në fillim u vendosën në qytetin e Korçës dhe më vonë dhe deri më sot shumicën e tyre i gjejmë në qytetin e Peqinit; dhe tjetri nga Mali i Zi dhe Serbia të cilët u vendosën në zonën e Shkodrës rreth vitit 1920. Në zonat qendrore të Shqipërisë, çergarët merreshin me tregtinë e kuajve, dhe krijimin e prodhimeve artizanale (si p.sh. kazanë rakie, ibrikëve prej bakri, dhe sitave), që më pas i shisnin në fshatrat përqark. Fisi i Arlinjve emigruan nga Turqia për në Greqi, dhe më pas në Shqipëri, gjatë një emigrimi të popullsisë në 1920 ndërmjet të dy vendeve të përmendura. Fillimisht të vendosur në qytetin e Korçës, ata më vonë migruan në Pogradec, Elbasan, Durrës, Tiranë dhe Fushë-Krujë. Ata kryesisht ishin tregtarë të vegjël, dhe aftësitë e tyre tradicionale përfshinin tregtinë e kuajve, artizanatin dhe thurjen e koshave. Bamillët është një tjetër fis i cili ka ardhur së bashku me çamët. Ata i gjejmë sot në qytetin e Gjirokastrës, pjesërisht në Levan dhe Fshatin Rom të Fierit. Shumica e familjeve bamille, shquhen për trashëgiminë muzikore. Kurtofët erdhën në qytetin e Fierit rreth 60 vjet më parë nga territori i Maqedonisë së sotme, dhe profesionet e tyre përfshinin tregtinë e vogël dhe artizanatet. Tradicionalisht romët jetonin një jetë shtegtarësh, por që prej viteve ‘30 shumica e fiseve Rome u kthye gradualisht në gjysmë-shtegtues apo edhe totalisht të qëndrueshme. Të tjerë u vendosën në vendqëndrime të qëndrueshme gjatë periudhës së socializmit.
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Luba Kalaydjieva; Gresham, David; Calafell, Francesc (2001). "Genetic studies of the Roma (Gypsies): A review". BMC Medical Genetics (në anglisht). 2: 5. doi:10.1186/1471-2350-2-5. PMC 31389. PMID 11299048. Marrë më 2008-06-16.
{{cite journal}}
: Mirëmbajtja CS1: DOI i lirë i pashënjuar (lidhja)