Safete Juka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Safete Juka (Shkodra, 28 nëntor 1923 - New York, 6 nëntor 2005) ka qenë profesoreshë, akademike, përkthyese shqiptare që jetoi dhe punoi në kurbet pas pushtimit italian të Shqipërisë.[1]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Shkodër më 28 nëntor 1923, e bija e Musa Jukës dhe Sadete Shpuzës. I ati qe ndër personalitetet e pushtetit lokal dhe më pas qëndror në periudhën e mesluftërave botërore. Ndërsa e ëma vinte prej një familjeje ushtarakësh të Perandorisë Osmane dhe më pas të shtetit shqiptar, i ati Mehmet Kokotli Shpuza u zgjodh edhe kryetar i bashkisë Shkodër më 1926. Pas shkollimit fillor, Safetja ndoqi dhe mbaroi në Tiranë Institutin Femëror "Nana Mbretneshë" dhe me rënien e mbretërisë, së bashku me familjen emigroi në Turqi, Egjipt e më në fund në SHBA.

Shkollimin e mëtejshëm e ndoqi në Austri dhe Francë, ku dhe u doktorua në Sorbonë. Nisi punë në një kolegj frëng në Aleksandri, por u zhvendos prej atje pasi i ati ndërroi jetë. Ishte një studiuese e analiste e mirë e problemeve kosovare, ku dhà një kontribut të çmuar në këtë fushë. Ajo bashkëpunoi shumë me gazetën "Shkodra". Gjithë jetën e saj ìa kushtoi letrave dhe Kadareja e ka cilësuar si intelektualen më të madhe shqiptare. Dr. Juka ka dhënë mësim në Universitetin Georgetown/Washington. Është intervistuar nga departamenti amerikan i shtetit, gazeta me zë, dhe kanale televizive të SHBA gjatë luftës në Kosovë për mendim shkencor mbi origjinën e Shqiptarëve. Përgatitja dhe baza faktuale e S. Jukes kanë qenë mbresëlënëse për dëgjuesin e panjohur amerikan. Ka shkruar libra dhe botuar studime vetëm ose bashkë me F. Freundlich, bashkëshortin. "Albanian Golgotha" është në listën e Librarisë së Kongreseve.

Trivia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ky ishte amaneti i saj i fundit. Një ndihmë për Bibliotekën Kombë-tare. Jo pak, por 40,000 dollarë është shifra e depozituar në një bankë të Nju Jorkut dhe tanimë e kaluar në një bankë shqiptare, në emër të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Është një dhuratë e Prof. Dr. Safete (Sofia) Jukës. Katër vjet pas vdekjes plotësohet amaneti i studiueses, e cila mbetet e njohur në kulturën shqiptare për punimet e saj historike, ndër të cilat dallon monografia "Kosova: The Albanians in Yugoslavia in light of historical documents", Nju Jork 1984, (Kosova:Shqiptarët në Jugosllavi në dritën e dokumenteve historike) Mësohet se ka qenë e motra e studiueses, Lume Juka, e cila i ka komunikuar këtë dëshirë drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, "Prof. Dr. Safete Sofia Juka - motër e jemja e dashtun e njeri me vlerë -ka depozitue në nji Bankë të New York-ut nji shumë prej $ 40.000 (dyzet mijë dollarë) që t'i kalojnë Bibliotekës Kombëtare Shqiptare. Nuk ka kenë e pasun. Ia ka hjekë vetes me ia dhurue bibliotekës. Ka çue nji jetë fare të thjeshtë. Ka banue me qerá në nji apartament të vogël, pa lukse, por të mbushun me piktura të sajat dhe me libra në gjuhë të ndryshme. Ka pasë nji kulturë të gjanë, por gjithashtu nji modesti të pashoqe. Respekti që kishte për dije dhe për librin ishte i pafund. Lexonte pa u ndalë, qysh se ka kenë fmí dhe i thojshim: "TI KÉ LÉ ME LIBËR NË DORË". Nuk ka mendue kurrë me u ba "e njoftun". Çdo vepër e saj ka kenë vetëm në kërkim të së bukurës, të së mirës, të së vërtetës, tue u mundue që t'i shprehi ato në mënyrë të përsosun", i shkruan Lume Juka, drejtorit të BK-së, i cili na ofroi letërkëmbimin e tij me të. "Kët dhuratë, motra e ka ba me gjith zemër, e sigurtë se do të përdoret për të mirën e bibliotekës. Nuk ka vue asnji kusht apo konditë… Vetëm nëse, ju dhe komisioni, do ta shifni të arsyeshme me nderue nji gjest të tillë tue mendue se mund të frymëzojë edhe njerëz të tjerë me ba të njajtën gjâ, e kështu do t'u ndihmonte biblioteka", vazhdon Juka, duke cituar më poshtë një shkrim të gazetës "Illyria", 18-24 mars 2006, ku Ismail Kadare tërhoqi vëmendjen e Qeverisë shqiptare për moskujdesin e duhur ndaj bibliotekave shqiptare. "Lexuesit nuk kanë aq para sa të blejnë të gjith librat, ndaj duhen biblioteka të mira, të kompletuara, dhe me gjitha kushtet, në mënyrë që të tërhiqet sa më shumë lexuesi drejt librit.

Është përgjegjësi e Qeverisë shqiptare që të ua bëjnë të lehtë leximin e librit lexuesve", citon ajo. Nga ana e vet, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, i ka premtuar znj. Juka, se shuma e lënë prej së ndjerës do të miradministrohet në respekt të legjislacionit shqiptar në fuqi. Simbas vendimit të njëzëshëm të Këshillit Shkencor të Institucionit do të përdoret vetëm-e-vetëm për pasurimin e Bibliotekës Kombëtare me botime të fushave të Albanologjisë dhe Balkanologjisë. Sipas tij i gjithë koleksioni në fjalë do mbajë shënimin e dallueshëm: "Nga dhurimi i Znj. Safete Juka".

Apartamenti i saj i vogël, që ka pasur për "pasuri" vetëm libra dhe piktura, sikurse Ju tregoni, më kujton apartamentin tim, gjithashtu krejt modest, që për pasuri ka jo më shumë se "libra" dhe "piktura". Ndaj dhe ndihem dyfish i emocionuar për aktin bamirës të motrës Suaj dhe për modelin e jetës së Saj gjithnjë më të rrallë në ditët tona".

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 1074. ISBN 978 99956 10 28 9