Shtëpitë shkolla në Kosovë
Shtëpitë shkolla ishin shkolla të vendosura në shtëpi ose objekte tjera private në Kosovë, për shkak të dëbimit të nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nga objektet e tyre legale, nga autoritetet shtetërore serbe. [1] [2]
Vështrim
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Puna në shtëpitë-shkolla filloi në vitin shkollor 1991/92, kur mësimi në gjuhën shqipe u pengua në të gjitha nivelet përmes përjashtimit të nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve shqiptarë nga objektet shkolore. Projektin për mbrojtjen e arsimit në gjuhën shqipe përmes vazhdimit ë procesit edukativ dhe arsimor nëpër shtëpitë shkolla e hartoi Enti Pedagogjik i Kosovës, mbështetur nga të gjitha instancat dhe subjektet politike të Kosovës, përfshirë edhe Qeverinë e Përkohshme të Kosovës në emigrim. Strategjinë me modalitetin e arsimit në shtëpitë - shkolla dhe planet e programet mësimore për rrethanat e krijuara e miratoi Pleqësia e Arsimit të Kosovës në vitin 1991. Strategjia parashikonte zhvillimin e mësimit jashtë objekteve të uzurpuara nga autoritetet serbe, në shtëpi private, në institucione të bamirësisë, në objekte private të pashfrytëzuara, në institucione fetare etj. E para shkollë që filloi mësimin sipas kësaj strategjie ishte Gjimnazi "Xhevdet Doda" në Prishtinë, i cili filloi mësimin më 6 janar 1992 në shtëpinë e Zijadin Gashit. Në shkolla të tilla funksionuan kryesisht shkollat e mesme të Kosovës dhe njësitë e Universitetit të Prishtinës.
Shtëpitë - shkollat vazhduan të funksiononin deri më 24 mars 1999, kur filluan bombardimet e NATO-s në caqet ushtarake dhe policore serbe. Financimi i këtyre institucioneve arsimore bëhej përmes kontributeve vullnetare, përmes skemës së vetëfinancimit, përmes fondacioneve të ngritura brenda dhe jashtë vendit, si dhe të mjeteve financiare të grumbulluara nga Këshilli për Financim i Qeverisë së Kosovës në emigrim. [1] [3] [4]
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Një kuadër i të gjitha përpjekjeve të pashembullta për vijimin e shkollës shqipe,ndonëse shkollat u dogjën e u shkatërruan, mësimi u zhvillua në shtëpitë, shkollat që liruan e rregulluan patriotët e kësaj treve heroike. Libri “Arsimi shqip në Kosovë, 1990-1999”,[5] na njeh me sfidat e shumta që po kalonte arsimi dhe shkolla si dhe me arritjet dhe aspiratat për të ardhmen e nxënësve dhe studentëve atje.Libri na njeh me ndihmesën e punëtorëve të arsimit, me rolin e nxënësve dhe të studentëve,me kontributin e të gjithë atyre kryefamiljarëve të cilët i lëshuan shtëpitë që të shndërrohen në shkolla, me kontributin e institucioneve profesionale në funksion të arsimit, me kontributin e individëve në krye të institucioneve,të cilët vazhdimisht ishin në ballë të mbrojtjes dhe të udhëheqjes së arsimit,me kontributine e partive politike dhe të shoqatave joqeveritare.Punëtorët e arsimit vazhdimisht,në rrethana okupuese,i edukuan dhe i arsimuan nxënësit dhe studentët, të uritur, të zbathur, të leckosur, të rrahur nga policia serbe dhe të vrarë.Libri paraqet me modesti rolin e arsimit dhe kontributin e të gjithë atyre kryefamiljarëve që i lëshuan shtëpitë për shkollën shqipe, por, meqë deri më tani pak është shkruar në këtë fushë dhe për të mos e kapluar pluhuri i harresës, autori bën përpjekje të shkruajë për atë që di, si njëri ndër aktorët e këtyre rrjedhave.Shënimet për nxënësit,arsimtarët,kryefamiljarët që i kanë lëshuar shtëpitë e tyre për mbajtjen e procesit mësimor,i ka siguruar në shumë mënyra. Shënimet për secilën shkollë fillore, shkollë të mesme dhe fakultete autori i ka ruajtur me kujdes. Ka pasur besimin të jetë sekretar i Këshillit Qendror të Financimit të Arsimit të Kosovës për tri vite me radhë. Këshilli Qendror për Financim i Kosovës për nevoja të veta ka grumbulluar të dhëna të shumta për nxënës dhe për arsimtarë. Me këto shënime të domosdoshme për financim janë kërkuar edhe shënimet për kryefamiljarët, të cilët i kanë lëshuar shtëpitë për organizimin e mësimit, qoftë në shkolla fillore, qoftë në shkolla të mesme. E njëjta kërkesë ka qenë edhe për shkolla të larta dhe për fakultete si dhe për institucionet shkencore, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Institutin Albanologjik, Institutin e Historisë, Institutin Ekonomik, Institutin Pedagogjik, Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, për arsimin kombëtar shqiptar, veçanërisht në vitet e vështira kur Kosova po luftonte për lirinë dhe të drejtat e saj, për çlirim nga mizoria serbe dhe për gjuhën dhe kulturën e saj. Kushtet e punës në këto shtëpi nuk ishin të përshtatshme, ngaqë nuk kishte inventar të domosdoshëm, nuk kishte banka dhe karrige, por me kalimin e kohës edhe në shtëpi-shkolla u bën meremetime dhe përshtatje të konsiderueshme. Vlen të ceket se, gjatë këtyre viteve, një numër i madh i shkollave ekzistuese u meremetuan, u riparuan, edhe një pjesë e tyre në të gjitha komunat e Kosovës, ku më pak e ku më shumë u ngritën objektet e reja shkollore me vetëkontribut të komunitetit dhe të ndihmuar nga fondi i Këshillit Qendror të Financimit të Kosovës. Gjatë atyre 8 viteve të punës jashtë objekteve shkollore, shtëpitë e tyrei kanë liruar mbi 3.200 kryefamiljarë. Disa nxënës të shkollave fillore dhe të shkollave të mesme si dhe studentët e shkollave të larta dhe të fakulteteve, sipas Marrëveshjes së vitit 1996, janë kthyer në objektet e tyre shkollore në vitin 1997 dhe 1998. Në vitin 1998, për shkak të shtrirjes së luftës në tërë territorin e Kosovës, posaçërisht në Drenicë dhe Dukagjin, shumë shkolla u dogjën dhe u shkatërruan. Në këto zona, procesi mësimor, sidomos në shkolla fillore, u organizua në shtëpi private, në Prizren, Gjakovë etj., ndërsa një numër i madh i nxënësve u sistemuan në zonat më të sigurta, sidomos në qytete më të mëdha, Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren etj. Në disa zona të Drenicës, në të cilat popullata ishte sistemuar nëpër tenda në fusha dhe pyje, procesi mësimor është organizuar në tenda, në kushte tejet të vështira. Në shtator të vitit 1999, të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të shkollave të mesme, si dhe të gjithë studentët e shkollave të larta dhe të fakulteteve u kthyen në objektet e tyre shkollore, me përjashtim të shkollave fillore, shkollave të mesme (Shkolla e Mesme e Mjekësisë dhe Shkolla e Mesme Teknike) në pjesën veriore të Mitrovicës, Shkollës së Lartë Teknike në Zveçan, Fakultetit të Xehetarisë dhe të Metalurgjisë në Mitrovicë, të cilëve iu pamundësua kthimi në objektet e tyre shkollore.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 2. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 1629–1630. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
- ^ https://ekonomiaonline.com/historite-e-ndritshme-kosovare-shtepite-shkolla/
- ^ https://telegrafi.com/historia-e-shtepive-shkolla-ne-kosoven-e-kohes-se-millosheviqit-video/
- ^ QIK (25 mars 1995). "Policia ndrhyri sërish në SHM Muharrem Bekteshi". Gazeta Bujku. fq. 15. Marrë më 2024-10-18.
- ^ Albanica (2024). "Arsimi Shqip në Kosovë". Shtëpit Shkolla. Marrë më 20 nëntor 2024.