Jump to content

Demonstratat studentore të tetorit 1997

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Demonstratat studentore të tetorit 1997 të njohura edhe me emrin Protestat studentore të tetorit 1997 kanë qenë një varg demonstratash dhe protestash që kanë nisur më datën 1 tetor të vitit 1997 në Prishtinë dhe kanë vazhduar për disa ditë. Kërkesa kryesore e këtyre demonstratave ishte lirimi i të gjitha objekteve të institucioneve arsimore në Kosovë. [1]

Demonstrata dhe protesta studentore e 1 tetorit 1997 në Prishtinë ka qenë një organizim i gjithmbarshëm i studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilat u pasuan me protesta dhe demonstrata tjera gjithëpopullore kundër pushtetit serb. Lëvizja studentore e vitit 1997 drejtohej nga Bujar Dugolli, kryetar i Unionit të Pavarur Studentor, Albin Kurti, Muhamet Mavraj, Bujar Dugolli dhe Driton Lajçi, të përkrahur nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, profesori Hajrullah Koliqi si dhe nga profesorët e të gjitha fakulteteve. Rreth 30,000 studentë dhe profesorë, si dhe intelektualë të tjerë dhe mbi 100.000 qytetarë shqiptarë dolën në rrugë e sheshe në mbështetje të kërkesës së studentëve të Universitetit të Prishtinës (UP) për lirimin e objekteve shkollore dhe universitare të uzurpuara nga regjimi serb vite më parë. Marshi i protestuesve u nis nga lagja "Velania", ndërsa në udhëkryqin e "Tauk Bahçes" u ndaluan nga një kordon i madh i policisë speciale serbe të pajisur me makineri të blinduara, me armë dhe shkopinj gome. Në ballë të protestave ndodhej rektori i UP-së, Ejup Statovci, bashkë me liderët e lëvizjes studentore. Edhe pse protestat ishin paqësore autoritetet serbe u përgjigjën më arrestime dhe dhunë brutale. Radhët e studentëve, profesorëve dhe qytetarëve u sulmuan me gaz lotsjellës nga helikopteri i policisë serbe dhe nga njësitet e policisë speciale. Me atë rast u arrestuan rektori Ejup Statovci, prorektori Ahmet Gecaj, pastaj liderët e studentëve, Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi, Lulëzim Jagxhiu etj. Përfaqësues të shumtë diplomatikë dhe të medieve të njohura ndërkombëtare ndoqën me vëmendje ngjarjet në ditën e protestës. Pas kësaj ngjarje, gjendja u tensionua në mbarë Kosovën. Përdorimin e dhunës ndaj protestuesve paqësorë dhe arrestimet e shumta i dënuan të gjitha forumet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në shtetet perëndimore. [2] [3]

  1. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 310. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ https://www.epokaere.com/shtypi-shqip-i-kosoves-per-protestat-studentore-te-1-tetorit-1997/
  3. ^ https://kallxo.com/lajm/sot-shenohet-26-vjetori-nga-protestat-e-levizjes-studentore/