Jump to content

Stacioni i trenit në Drenas

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Stacioni i Trenit në Drenas
LlojiArkitekturore
VendndodhjaDrenas, Kosovë
Ndërtuar1936
Emri zyrtar: Monument /Ansambël
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës4116

Stacioni i trenit në Drenas është një stacion i trenit (stacion hekurudhor) dhe njëkohësisht është monument i trashëgimisë kulturore në Drenas, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër.

Binari hekurudhor, Fushë KosovëPejë është ndërtuar në vitin 1936 dhe përgjatë kësaj vije e cila shërbyer si urë lidhëse për dy pjesët vitale të shtetit të Kosovës: Rrafshin e Dukagjinit me Rrafshin e Kosovës e me këtë përmes Rrafshit të Dukagjinit edhe Anadrininë përmes vijës hekurudhore Klinë – Prizren e cila është ndërtuar në vitin 1963. Përgjatë kësaj linje kanë funksionuar një numër i konsiderueshëm i stacioneve hekurudhore për një kohë të gjatë të cilat kanë përbërë një pjesë të konsiderueshme të punëve prej të cilave hekurudhat kanë krijuar të hyra si nga transporti i mallrave ashtu edhe nga transporti i udhëtarëve. [2]

Sipas të dhënave deri me ndërtimin e këtij binari qendër e rajonit të Drenicës ka qenë Komorani i cili ka qenë i përqendruar në rrugën magjistrale e cila ka lidhë kryeqendrën e Kosovës me Rrafshin e Dukagjinit – Pejën, Deçanin dhe Gjakovën. Pas ndërtimit të binarit në vitin 1936 qendra e rajonit të Drenicës kalon në Drenas dhe prej atëherë edhe ky stacion ka një rëndësi të veçantë duke përmbushur kërkesat e popullatës së Drenicës për transportin e udhëtarëve dhe të mallrave. Rëndësia e stacionit të Drenasit ka qenë e madhe para lufte, gjithashtu edhe sot është pothuajse stacioni kryesor prej nga sigurohen të hyrat e konsiderueshme për Hekurudhat e Kosovës duke e renditur tani për tani menjëherë pas stacionit hekurudhor në Miradi. Për udhëtarët e kësaj qendre treni ka qenë dhe është gjithnjë një mjet transporti i cili ka përmbushur kërkesat e tyre si nga baza materiale, ashtu edhe për nga komoditeti që ofron treni, sepse stacioni ndodhet në mes të qendrës dhe udhëtarët me mjaftë lehtësi mund ta përdorin për udhëtim. Duke marrë parasysh numrin e udhëtarëve që qarkullojnë brenda ditës nëpër këtë stacion problem të konsiderueshëm paraqet salla e pritjes sepse kapacitetet e sallës ekzistuese janë shumë të vogla për t’i plotësuar kërkesat e udhëtarëve dhe njëra prej vërejtjeve të udhëtarëve dhe personelit është pikërisht në këtë çështje. Por kur merret parasysh gjendja e popullatës së këtij rajoni dhe mundësit e tyre materiale hekurudha prapëseprapë është një mekanizëm shumë i rëndësishëm i transportit për këtë pjesë. Transporti i mallrave në këtë stacion gjithashtu zënë vend të rëndësishëm. Përmes këtij stacioni realizohet transporti i mallrave për nevojat e NewCo Feronikelit dhe kështu brenda një ndërrimi në këtë stacion manipulohet mesatarisht me nga 18 trena për nevojat e kësaj kompanie me të cilën Hekurudhat e Kosovës kanë kontratë për transport të mallrave. Kjo kompani realizon transport nga miniera e xehes së feronikelit në Gllavicë – Medvec dhe nga Kastrioti ku bartet një sasi e konsiderueshme e thëngjillit, gjithashtu edhe nga stacioni i Vollkovës për Feronikelin bartet xehe, thëngjill dhe kontejner nga Indonezia dhe vend tjera.[3] [2]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 353. ISBN 9789951615846. OCLC 1083870022.
  3. ^ https://infrakos.com/wp-content/uploads/2012/06/REVISTAHEKURUDHAII3.pdf
Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Stacioni i trenit në Drenas.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]