Jump to content

Tezat e zeza

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

"Tezat e zeza", siç do t'i quante më vonë Enver Hoxha ishin një material studimor "Tepër sekret" i hartuar nga një grup oficerësh madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes.

I pyetur gjatë hetimit, Beqir Balluku sqaroi se kur Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës, strategjia e mbrojtjes së vendit ishte hartuar në bazë të këtij bashkëpunimi. Pas daljes nga ky traktat, dhe veçanërisht kur u prishëm edhe me Kinën, në mendimin ushtarak lindi problemi i përpunimit të artit ushtarak, të strukturës së ushtrisë, e sidomos problemi i mbrojtjes. Në këtë situatë lindën edhe mendime në pikëpamje të strategjisë së mbrojtjes së vendit, të cilat u shtruan për diskutim. Mbledhjet ku u diskutuan këto probleme, ishin të hapura e jo të fshehtë. Hidheshin mendime mbi përpunimin e artit ushtarak, strukturën e ushtrisë, disa pikëpamje e koncepte mbrojtëse, problemet e armatimit e të tjera. Problemi ishte se si do të mbroheshim në kushte të reja, që u krijuan pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe inekzistencës sonë në Traktatin e Varshavësh.

Për këtë, u ngrit një grup pune që përgatiti materialin mbi bazat e Artit Ushtarak, parimet themelore të tij, etj. Ky grup filloi nga puna në mes të viteve 60-të. Grupi që u caktua për ta bërë një gjë të tillë, punoi për disa kohë. Ky material i përgatitur nga grupi i punës nën varësinë e Beqir Ballukut, nuk u pranua, pasi mendohej se nuk ishte i plotë dhe nuk pasqyronte realitetin. Menjëherë pas kësaj, Mehmet Shehu, mori përsipër të hartonte brenda një kohe të shkurtër tezat e Këshillit të Mbrojtjes, që përbënin bazën teorike të ushtrisë. Sipas Beqir Ballukut, në zbatimin praktik të tezave të Këshillit të Mbrojtjes u ndeshën vështirësi dhe probleme të ndryshme ushtarake. Nisën përsëri diskutimet dhe debatet, duke filluar që nga Kolegjiumi i Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë analizave të stërvitjeve dhe bisedave të ndryshme.

Beqir Balluku shpjegonte se në atë periudhë, ishin shfaqur edhe dy dokumentarë mbi luftën në Vietnam, ku në atë kohë ishin dërguar për të marrë eksperiencën e kësaj lufte edhe disa kuadro shqiptarë. Në këto dokumentarë dhe nga terreni sigurisht, duke parë taktikën e luftës amerikane, tregohej se si aeroplanët amerikanë goditnin me telekomandim objekte të ndryshme dhe i shkrumbonin. Një material tjetër filmik, bënte ekspozenë e luftës së Egjyptit me Izraelin, ku u pa efikasiteti i raketave antitanke SAM 1 dhe kundërajroret SAM 2, prodhime sovjetike. Po ashtu, kur ishte bërë një stërvitje në Bashkimin Sovjetik, në Dvina, një divizion i këmbësorisë së motorizuar kishte zbarkuar brenda një ore. Ushtarakët bënin edhe llogarinë e thjeshtë se nga Varna, pika më e afërt e vendeve të Traktatit të Varshavës, avionët donin vetëm një orë kohë të mbërrinin në hapësirën tonë. E zëmë se zbarkimi i trupave dhe mjeteve, do të donin dhe ata kohën e tyre, kështu që e shumta për tre orë, ata mund të ishin gati për luftë, kurse forcave tona u duheshin plot tetë orë për të zënë vijat e mbrojtjes.

Plenumin e 12-tëKQPPSH, u diskutuan problemet e ushtrisë. Në këtë Plenum, Beqir Balluku hodhi edhe parrullën “T´i kthejmë fushat në gërxhe dhe male”, pra, fortifikimin e vendit. Ndërsa, Mehmet Shehu hodhi idenë për forcat frenuese, bllokuese dhe forcat operativo-strategjike. Të parat, ishin forcat art-mitraliere në buzë të kufirit, që në rast agresioni kishin detyrë të frenonin armikun, deri në hapjen në organikë luftë të forcave të armatosura.

Pas Plenumit të 12-të, të KQPartisë së Punës së Shqipërisë, Beqir Balluku u ngarkua të përgatiste një material në zbërthim të kësaj mbledhjeje. Sipas Beqir Ballukut, atij i ishte dhënë detyrë që të hartohej një material i tillë edhe pse mund të binte në kundështim me tezat e Këshillit të Mbrojtjes, pasi po haseshin vështirësi për zbatimin e disa parimeve të këtyre tezave në praktikë. Sipas Beqir Ballukut, ai kishte marrë porosi, që materiali mund të binte në kundërshti me tezat, pasi sipas udhëheqjes së lartë ato ishin vetëm teza dhe do të pasuroheshin me të tjera gjëra të reja.

Kështu, nisi puna dhe u përpilua varianti i parë,por që nuk u pranua. U punua edhe një variant i dytë dhe më vonë një i tretë nga ushtarakët më të talentuar vendit Spiro Shalsi, Agron Çomo, Ernest Jakova e të tjerë dhe nisi varianti tjetër i përgatitjes së materialeve. Në vitin 1973, përfundoi puna për përpilimin e këtij materiali. Gjeneral Muhamet Prodani ishte një nga ata që nuk e pranoi materialin e tretë, pasi “Këto bien në kundërshtim me tezat e Këshillit të Mbrojtjes.S´jam dakord”.

Në verën e vitit 1974 ky material iu shpërnda për tu firmosur edhe drejtorëve të drejtorive të Ministrisë së Mbrojtjes dhe komandave të korpuseve. Ky material do të shërbente për pasurimin e tezave të Këshillit të Mbrojtjes e hartimin e artit ushtarak popullor. Ai ndryshonte shumë koncepte teorike e praktika të deriatëhershme, si në strukturën organizative (parashikohej krijimi i divizioneve), ashtu dhe në planin taktik (mënyra e organizimit të mbrojtjes).

Veli Llakaj shefi i Shtabit të Përgjithshëm në periudhën 1974-1983 i përshkruan kështu tezat "në materialin teorik për Këshillin e Mbrojtjes, struktura e korpusit paraqitej me regjimente dhe divizione, që për mua nuk luante asnjë rol të rëndësishëm që zëvendësoheshin me brigadat e hallka të ndërmjetme; regjiment e divizion. Në këtë formë, puna e ngarkesa e komandave të korpuseve lehtësohej shumë, pasi nga 15-24 njësi, do të reduktohej punë direkte me 4-5 njësi dhe ngarkesën tjetër e merrnin hallkat ndërmjetëse, kryesisht divizionet. Ndërsa në trajtimin e mbrojtjes në materialin „Tepër sekret“ (që më vonë u quajtën „Teza të zeza“), unë u befasova, sepse mbrojtja nuk ishte solide në buzën e ujit, por diku e tërhequr si në kodrat e Ardenicës-Pojanit-Levanit-Mifolit-Qafa e Koçiut, etj".

Për këtë çështje, Beqir Balluku është shprehur se territori ynë ishte i ngushtë dhe bregdeti i hapur. Ai shqetësohej se në bregdetin e Semanit nuk mund të organizoje një mbrojtje që në buzën e ujit në rast të zbarkimit me mjete amfibe të ushtrive armike. Pra, sipas tij, këtu dilte problemi se ku do të mbroheshim në kodrat e Ardenicës, apo në të tjerat.

Shumica e kuadrove ushtarakë, kishin rezervat e tyre për këto materiale. Prandaj, Beqir Balluku urdhëroi Petrit Dume, që të mblidheshin materialet që iu ishin dhënë për diskutim kuadrove drejtues të ushtrisë dhe madje të mos diskutohej më për ta, pasi nuk po pranoheshin. Që nga ky moment materialet u arkivuan. Sipas Beqir Ballukut, ky ishte një material studimor, ku ishin hedhur të gjitha preokupacionet për mbrojtjen e oficerëve të ushtrisë bërë publike në mbledhje dhe diskutime të ndryshme. Në tezat e Këshillit të Mbrojtjes, thuhej se ne mund të mbroheshim edhe nga koalicion armiqsh. Mirëpo, sipas ushtarakëve ky ishte një farë slogani, pasi vërtet ne kishim një ushtri të përgatitur, por që nuk mund t’i bënte ballë një koalicioni me potencial të madh njerëzor dhe ushtarak.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]