Jump to content

Trifon Xhagjika

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Trifon Xhagjika (Peshtan, 20 prill 1932 - Tiranë, 23 dhjetor 1963) ka qenë ushtarak, komandant artilierie, gazetar dhe poet disident shqiptar, i aktivizuar në grupin e vitit 1963 me bindje sovjetike. Ai shkruante poezi me përmbajtje politike, kundër sistemit totalitar të diktaturës komuniste në Shqipëri. Bashkë me anëtarët e grupit arrestohet në vitin 1963 dhe dënohet me vdekje. Të afërmit e tij janë ende në kërkim të eshtrave. Është autori i poezisë që u bë himni i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve nëpërmjet kompozimit të Kostandin Trakos.

1.1. Prejardhja dhe familja

Trifon Xhagjika vinte nga një familje e thjeshtë nga Peshtani, një fshat i vogël pranë lumit Vjosë, i cili ndan Këlcyrën me Tepelenën. Banorët e tij janë të dy feve, ortodoksë dhe myslimanë, të cilët jetonin në mirëkuptim dhe paqe me njëri-tjetrin. Fshati piktoresk dhe bashkëjetesa fetare do të ndikonin në formimin e Trifonit, i cili kaloi atje fëmijërinë e tij. 

Një ndikim të rëndësishëm në formimin e tij luajti i ati i tij, Lame. Megjithëse familja ishte e besimit ortodoks dhe i ati e njihte shumë mirë gjuhën greke, ai nuk ua mësoi anjëherë fëmijëve greqishten si rezistencë ndaj pretendimeve të Greqisë se shqiptarët ortodoksë në jug ishin grekë. Gjithashtu Lame Xhagjika kishte bindje noliste, të cilat ua transmetoi edhe fëmijëve të tij. Dy vëllezërit më të mëdhenj të Trifonit, Anastasi dhe Ylli u angazhuan që fëmijë në Luftën e Dytë Botërore si DEBATIK-as.

Trifoni ishte fëmija i katërt nga 5 fëmijët e Lames dhe Kaliopit: Sotira, Anastasi, Ylli, Trifoni dhe Aleksandra. 

U rrit në Peshtan deri në moshën 9-vjeçare. Në këtë moshë, në vitin 1941, bashkë me familjen u detyrua të zhvendoset në Tiranë, pasi fshati u dogj nga lufta e dytë italo-greke. U vendosën fillimisht tek “Rruga e Veriut” në krah të shtëpisë së Beshirëve në Tiranë. Më pas ndërruan disa herë banesë duke u vendosur tek shtëpia e Manol Kumes dhe në fund tek shtëpia e tyre në rrugën “Mine Peza”.

Trifoni u shkollua në Normalen e Elbasanit, pastaj mbaroi një kurs gazetarie e filozofie. Në vitin 1954 u diplomua në Shkollën e Bashkuar[1] si oficer i artilerisë kundërajrore dhe filloi punë në repartin e rraketave 3700 te "Rrapi i Treshit", por me këmbënguljen e tij mori një kualikifim për gazetari e histori. Filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”.[2]

Dy herë rresht kërkoi të shkonte në Moskë me studime për Gjuhë-Letërsi, por nuk e lejuan. Kishte një pasion të fshehur për muzikën dhe së bashku me Kostandin Trakon ka bërë himnin e Shkollës së Bashkuar.[1]

Bashkë me një grup miqsh u arrestua gushtin e 1963 dhe u dënua me pushkatim,[2] para trupit gjykues recitoi poezinë e tij "Atdheu është lakuriq".[3] Vendimi u ekzekutua dhjetorin e 1963. Nuk i dihet akoma vendvarrosja.[2]

Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Më 1959 përfundoi dhe botoi librin e tij të parë me poezi të titulluar "Gjurmët", duke lënë edhe shumë dorëshkrime.

Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”.[2]

  1. ^ a b Baze, Mero (23 dhjetor 2017). "Trifon Xhagjika, 52 vjet pa varr dhe histori". Koha Jonë. Arkivuar nga origjinali më 25 shkurt 2018. Marrë më 26 shkurt 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b c d Imaj, Afrim (22 maj 2006). "Trifon Xhagjika në gjyq: po të kisha një top do të qëlloja regjimin: historia e poetit të pushkatuar në rrëfimin e motrës Sotira Tole". Panorama. Marrë më 27 shkurt 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Çefa, Anton (2005). Analizë letrare. Shkodër: Phoenix v. 9, nr. 1-6 (40). fq. 72–92. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)