Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2018/7

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Monumenti Newborn u zbulua në festimet e vitit 2008 pas Deklarimit të Pavarësisë së Kosovës po atë ditë, më 17 shkurt 2008, në kryeqendrën e Kosovës Prishtinë

17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar kërkoi vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.Më 22 korrik 2010, Gjykata konstatoi se Deklarata e Kosovës për Pavarësi, nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, qytetarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga ushtria e Sllobodan Millosheviçit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombetare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.

Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga misioni i Organizates së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosoves: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.