Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2019/46

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Tempulli i Shiva-s, faltorja kryesore e Prambanan-it, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe tempulli më i madh Hindu në Indonezi.
Tempulli i Shiva-s, faltorja kryesore e Prambanan-it, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe tempulli më i madh Hindu në Indonezi.

Tempulli hindu (mandir) është një strukturë e projektuar për të bashkuar qeniet njerëzore dhe zotat në një vend, duke përdorur simbolizmin për të shprehur idetë dhe besimet e Hinduizmit. Simbolizmi dhe struktura e një tempulli hindu janë të rrënjosura në traditat vedike. Një tempull përfshin të gjithë elementet e kozmologjisë hindu – duke paraqitur të mirën, të keqen dhe njerëzoren, ashtu si dhe elementet e sensit hindu të ciklit kohor dhe esencës së jetës - duke paraqitur simbolikisht dharman, kaman, arthan, moksan dhe karman.

Parimet shpirtërore të përfaqësuara simbolikisht në tempujt hindu janë paraqitur në tekstet e lashta sanskrite të Indisë (psh., Vedat dhe Upanishadet), ndërsa rregullat e tyre strukturore janë përshkruar në traktate të ndryshme në sanskritisht mbi arkitekturën (Brhat Samhita, Vastu Sastrat). Planimetria, motivet, projekti dhe procesi i ndërtimit përbëhet nga rituale të lashta, simbole gjeometrike dhe pasqyron besimet dhe vlerat e shkollave të ndryshme të Hinduizmit. Një tempull hindu është një destinacion shpirtëror për shumë hindu, ashtu si janë dhe pika referimi ku kanë lulëzuar artet, festat komunitare dhe veprimtaritë ekonomike.

Tempujt hindu janë realizuar në shumë stile, të vendosura në vende të ndryshme, përdorin metoda të ndryshme ndërtimi dhe janë i janë kushtuar hyjnive dhe besimeve të ndryshme vendore, megjithëse të gjithë ndajnë disa ide, simbole dhe tema themelore. Ata gjenden në Azinë e Jugut, veçanërisht në Indi dhe Nepal, në vendet e Azisë jug-lindore si Kamboxhia, Vietnami dhe ishujt e Indonezisë dhe Malajzisë dhe vende si Fixhi, Mauritius, Guyana, Trinidadi dhe Tobagoja, Karaibet, Surinami, Afrika e Jugut, Evropa dhe Amerika Veriore me një komunitet hindu domethënës. Gjendja e tanishme dhe pamja e jashtme e tempujve hindu pasqyron artet, materialet dhe dizajnin siç kanë evoluar përgjatë mijëvjeçarëve; ata pasqyrojnë gjithashtu efektin e konflikteve midis hinduizmit dhe Islamit që nga shekulli i XII.