Xhamia e Pidiçit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Xhamia në fshatin Pidiç)
Xhamia në fshatin Pidiç
Monument Kulturor
LlojiArkitekturore
VendndodhjaPidiq, Gjilan, Kosovë
Ndërtuar1645
Emri zyrtar: Monument /Ansambël
LlojiNën mbrojtje
Nr. i referencës226

Xhamia në fshatin Pidiç është një monument i trashëgimisë kulturore në Pidiq, Gjilan, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër.

Historiku[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në fshatin Pidiç, komuna e Gjilanit, gjendet Xhamia e Pidiçit. Xhamia e fshatit Pidiç supozohet se është ndërtuar në vitin e largët 1645. Është xhamia e tretë me radhë e ndërtuar në komunën e Gjilanit, pas asaj të Mireshit (1526) dhe asaj të Pogragjës (1625). Në të vërtetë, objekti i tanishëm, sipas dëshmive dhe gojëdhënave, është ndërtuar mbi bazën e xhamisë së vjetër dhe besohet se mund t’i ketë mbi 200 vite. Ndërtesa është dykatëshe dhe nuk ka minare, pra i takon tipit lokal të xhamive. Kjo xhami u ndërtua nga vendësit për dallim nga xhamitë e mëdha që sipas dëshmive ndërtoheshin nga pushteti osman. Ndërtimi fillestar është realizuar me gurë, hatulla prej druri e llaç balte, ndërsa më vonë, kah viti 1965, është bërë rinovimi i saj duke, iu shtuar një paradhomë e punuar me blloqe argjile dhe betonarme. Për muratimin e objektit, veç gurëve porozë të marrë aty afër, tek vendi i quajtur “Vrella”, janë përdorur edhe gurë të lumit, i cili kalon skaj fshatit. Hapjet e dritareve dhe të dyerve janë të vjetra, ndërsa dritaret janë vendosur më vonë. Dritaret në përdhese i ka katrore, ndërsa në katin e parë harkore. Kulmin e ka katërujor të mbuluar me tjegulla të reja. Muri prej guri ka një gjerësi prej 80 cm dhe është i lidhur me llaç balte. Për përforcim të tij janë përdorur tri rende hatullash horizontale. Xhamia ka një sipërfaqe katërkëndëshe: 11.20 x 7.70 m, ndërsa aneksi i shtuar ka një sipërfaqe prej 2.40 x 7.70 m. Në sallën e lutjeve ndodhet mihrabi, minberi dhe mahvili. Mungon qyrsi, i cili ishte zëvendësuar me një ballkon të dalë në rrethojën e mahvilit që ka shërbyer për myezinin. Mahvili është i punuar nga druri, me shtylla vertikale dhe horizontale, e këto të fundit janë të mbuluara me dërrasa. Rrethoja e mahvilit është punuar nga dërrasat gjithashtu. Shtyllat vertikale kanë edhe kapitele, dhe kanë një stil të veçantë të gdhendjes.

Kjo xhami për vite të tëra i ka shërbyer bashkisë lokale të fshatrave Pidiç, Shurdhan, Çelik, Isufaj, Goden e më gjerë. Në vitin 2014, xhemati i kësaj xhamie me vetëkontribut ka ndërtuar një xhami të re, ndërsa e vjetra ka mbetur siç ka qenë, por pa interesim për të.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.