Kisha e Shën Prokopit
Kisha e Shën Prokopit (greqisht: Εκκλησία Αγίου Προκοπίου Ekklysía Agíou Prokopíou) është ndërtuar ne vitin 1780[1] për nder të Shenjtorit mbrojtës të Tiranës, Shën Prokopit, i cili kremton më 8 korrik. Në historinë e kishës së Shën Prokopit bën pjesë gjithashtu edhe Skënderbeu (1953). Në ambientet përreth kishës është inskenuar ngjarja e Kuvendit të Lezhës, takimi me të dërguarin e Venedikut dhe largimi nga jeta i Skënderbeut. Në vitin 1967 edhe kisha e Shën Prokopit pati fatin e të gjitha objekteve të tjera të kultit. Ajo u gjymtua, duke iu hequr pjesët harkore. Në vend të saj u ngrit kafe-restorant “Liqeni”. Çka mbeti nga kisha e Shën Prokopit iu kthye funksionit të mëparshëm, vetëm pas gati 30 vjetësh, në 1993. Në dhjetor 2017 Erjon Veliaj, kryebashkiak i Tiranes, deklaroi se ka një projekt që kisha të rindërtohet, ashtu si ishte para vitit 1967.[2]
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas studjuesit të arkitekturës Artan Shkreli është e vështirë të rindërtohet panorama shoqërore e asaj se çfarë ndodhi me trevën e Tiranës pas shfarosjes sistematike që ushtritë osmane i bënë gjatë shek. XV popullatës së qarkut të Arbanës (episcopus Arbanensis), por dimë se me vendosjen e plotë të Pax Turcica-s, aty nga shek. XVII, u zhvillua bërthama urbane e Tiranës, me një përbërje krejtësisht muhamedane në qytet e me mikro-komunitete të krishtera në periferi (më tepër ortodokse se katolike – për arsye që dihen). Burimet dëshmojnë se komuniteti ortodoks, në ndryshim nga ai katolik, është i ardhur në trevë nga viset lindore, kryesisht përmes udhës së Mbretit (rruga Egnatia) duke pasur dhe mbështetjen e Mitropolisë së Durrësit. Kjo mbështetje mishërohej te figura e njohur e Grigor Kostandinidhit, i ashtuquajtur Voskopojari, që më 1769 bëhet mitropolit i Durrësit. Vijuesit e gogëve (sikundër quheshin në qytet çobanët) të cilët kishin kolibe disi fikse në malësinë e Tiranës dhe kësolla të përkohshme në fushën e saj, u koaguluan në një jetë më sedentare, sidomos që nga viti 1769. Pas këtij viti, në fakt, regjistrohen ardhje konsistente muhaxhirësh ortodoksë si pasojë e trazirave që lindin në Shqipërinë Juglindore – zona e Voskopojës e më gjerë. Ndryshe nga ata pak ortodoksë që gjendeshin rrotull Tiranës, kjo gjindje ngërthente në vetvete një vetëdije të formuar shoqërore e religjioze. Këtu duhet kërkuar motivi se pse kjo valë u shndërrua shpejt në “komunitet” dhe ndër gjërat e para që i kërkoi kreut të qytetit, Ibrahim Bargjinit, ishte leja për ndërtimin e një kishe në periferi. Në fakt, ortodoksëve të ardhur u qe lejuar të hapnin dyqane në pazarin e Tiranës për shkak të zotësive të përmendura të tyre në fushën e artizanatit. Dhe pikërisht nga krahu i pazarit, një të shtënë pushke larg, në drejtim të jugut, rrëzë kodrës së Pashës, aty nga viti 1787 bargjinollët mirënjohës ndaj ndihmës së ortodoksëve në mbrojtjen e Tiranës nga Kurt Pasha i Beratit, lejuan ndërtimin e kishës kushtuar shenjtit Prokop. Nuk duket rastësi pra që kisha iu kushtua këtij shenjti: në hagjiografi ai paraqitet shpesh si ushtar. Ishte kisha e parë në Tiranë që pas themelimit të saj si qytet.
Kisha e vjetër
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kjo Kishë e ka origjinën rreth 2 shekuj përpara dhe ka qenë ndërtuar në afërsi të Lanës. Kisha u ngrit aty ku sot është oborri i Presidencës, në një zonë plot ujëra. Ishte një ndërtesë e ulët, që respektonte kanunet e lejuara nga administrata osmane, e që për mbërritjen lartësisë së kërkuar në brendi të saj, dyshemeja e sallës qendrore ulej pak shkallë nën kuotën e hajatit me shtylla nga jashtë. Çatia e stërmadhe me kapriatë druri, refleks i kishave të Voskopojës, e cila ndrynte brenda harqe të afreskuara, ish e mbuluar me tjegulla vendi; ndërsa hyrja për në sallën e errët plot piktura bëhej përmes dy portave. Gjelbërimi aty pranë, ushqyer edhe nga ujërat e Prroit’ Verbët, krijonte freskinë e duhur për mjediset jashtë saj ku çlodheshin besimtarët që vinin nga rruga e drejtë që lidhte me Tiranën e që kalonte mes fushës së zhveshur. Kisha, me dimensione përafërsisht 22×13 m, dhe hapësira e varrezave që gravitonte djathtas saj, valloheshin prej një rrethimi të ulët në trajtë pesëkëndëshi të çrregullt. Sikundër në mjaft faltore ortodokse të kohës, të ngritura në zona me shumicë muhamedane, rifiniturat e jashtme të saj qenë të varfra, por brendia krijonte surprizë me pasurinë e punimeve artistike në mure dhe kryesisht me ikonostasin e gdhendur në buazeri, i cili përmblidhte një seri ikonash të mëdha e të vogla. Ndërtimi më 1874 i kishës së Evangjelizmosë brenda në Tiranë (aty ku sot është Hotel Tirana) shenjoi të ardhmen e Kishës së vjetër të Shën Prokopit. Fluksi i besimtarëve ra pasi tani përballohej nga kisha e re dhe qetësia që pllakosi mbi Shën Prokopin thyhej vetëm të kremtet e mëdha dhe në ditën e shënuar të pajtorit, më 8 korrik. Pas pavarësisë, Tirana e përgjumur filloi të ndryshonte. Shkundjen e parë ajo e pati gjatë Luftës së Parë Botërore, por ndryshimi i strukturës urbane erdhi njëherazi me shpalljen e saj kryeqytet më 1925. Po atë vit u ftua për të realizuar planin rregullues të qendrës së re të kryeqytetit, arkitekti roman, Armando Brazini. Ky, duke u mbështetur dhe mbi projektet e paraardhësve austriakë përcaktoi boshtin e bulevardit të madh, që e përfundonte në jug me Pallatin Presidencial, në aks të t’cilit qëndronte një statujë ekuester. Redaktimi konkret i stadtregulierungsplan-it për Tiranën u udhëhoq në nivel global nga inxh. Eshref Frashëri, ndërsa sa i takon sheshit “Skënderbej”, nga De Fausto. Kështu Frashëri, në vitin pasues 1926, për shkak të gjerësisë së bulevardit dhe sistemimeve të gjera për pallatin e ardhshëm presidencial, nuk kundërshtoi shembjen e kishës së vjetër të Shën Prokopit parashikuar nga Brasini, pasi shkelja e rrugës ekzistuese nga bulevardi i ri, do ulte disi shpenzimet për shpronësime. Planet ndoqën njëri-tjetrin, ndërsa punimet për bulevardin filluan aty nga fundi i viteve njëzetë. Shembja e kishës do vinte vetëm në kapërcyellin 1937-‘38, me planifikimin e fillimit të sistemimeve për pjesën e bulevardit në jug të ministrive. Në vitin 1937, në kushtet e planit urbanistik, ndërtimit të bulevardit të madh dhe ministrive, u zhvendos dhe u ndërtua nga italianet atje ku është edhe sot, tek kodrat e liqenit artificial në Tiranë.
Kisha e re e Shën Prokopit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Plani rregullues italian konfirmoi spostimin e kishës së vjetër aty ku vendi qe zgjedhur përpara hartimit të tij. Ndonëse në aks të bulevardit do të ngrihej Pallati Mbretenuer, komuniteti ortodoks, nuk kish pranuar të largohej shumë prej vendit të vjetër dhe u ra dakord që kisha e Shën Prokopit të spostohej më në Jugperëndim, për nga kodrat e Saukut, mbi një çukë panoramike 25 m mbi nivelin e bulevardit të ardhshëm, e me kundrajë të mrekullueshme që rrokte krejt pamjen e qytetit dhe të Tiranës së Re që po lindte.
Me paratë e shpronësimit të kishës së vjetër dhe të truallit të saj përqark u krye blerja e tokës dhe u planifikua ringritja e Shën Prokopit. Kryepeshkopi i autoqefalisë së porsanjohur (njohja zyrtare 17 prill 1937) imz. Kristofor Kisi në konsultë me këshillin qendror vendosi t’ia komisionojë punën për projektimin e kishës arkitektit të ri shqiptar, Skënder Luarasi. Ky, në linjë atërore, ishte pinjoll i një trungu veçanërisht të shquar në tradita patriotike dhe në rininë e parë qe edukuar në një mjedis familjar ku patriotizmi ushqehej jo vetëm nga vetëdija e qartë e përkatësisë shqiptare që kishin ortodoksët e qarkut Korçë-Kolonjë, por edhe nga burime intelektuale breznore që ia kishin dalë ta strukturonin këtë vetëdije drejt një pjesëmarrje aktive në jetën politike e shoqërore të Shqipërisë. Bir i Kristo Luarasit, Skënderi, që kishte mbaruar studimet për arkitekturë në Vjenë, e ku ish formuar në të njëjtin mjedis me studentët të shquar shqiptarë si Lasgush Poradeci, Qemal Butka, Eqrem Çabej, Rrok Geraj apo Selman Riza, kishte rënë shpejt në sy me projektet e tij harmonike e moderne në Tiranë e Korçë. Luarasi pranoi me entuziazëm detyrën për projektimin e kishës kushtuar Prokopit dhe realizoi padyshim një ndër projektet më të bukura për komunitetin ortodoks të Shqipërisë.
Risia në Arkitekturë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Bëhet fjalë për një konceptim tipik mbështetur në traditën hapësinore të kishave post-bizantine të Ballkanit Jugperëndimor, sipas tipologjisë së ashtuquajtur kryq me kupolë. Absidën, a kungën, si zakonisht e orientoi për nga lindja ndërsa mjediset shtojcë, që lidheshin përmes një korridori të vogël me kishën, nga jugu. Kisha ekspozohej hijshëm me hajatin e saj verior, mbulesën e së cilës arkitekti përmes një analize reduktiviste e kish abstraguar në një lojë trekëndëshash që shoqëronin harqet e ndërshtyllave. Faqata kryesore ngërthente po ashtu një monumentalitet të kërkuar dhe të arrirë. Arkitekti këtu, pasqyroi me anë të një triptiku simetrik (ku elementi qendror qe më i lartë) esencën e volumeve të brendshme të kishës. E meqenëse kisha nuk qe në dimensione shumë të mëdha, ai përdori një marifet gjenial për t’i dhënë asaj madhështi: pjerrësoi pilastrot vertikale të faqatës kryesore, të asaj që sheh nga perëndimi, ndërkohë që kurtinat e po asaj faqate i mbajti vertikale (shih maketin). Efekti do të qe vërtet mbresëlënës nëse ky pjerrësim i pilastrove do ish zbatuar gjatë realizimit të projektit në vepër – gjë e cila për shkaqe të panjohura nuk u realizua – e megjithatë, kisha e re, Shën Prokopit u bë tregues se si një vëllim modest mund të trajtohej me sukses si vëllim masiv. Moderniteti që përçoi arkitekti nuk duhet parë pra si konceptimin radikal i hapësirës së brendshme apo trajtim modernist i faqatave; kanonet e kishës ortodokse, ndryshe nga ajo katolike, nuk është se lejonin shumë hapësirë në këtë kuptim, por theksimi i linearizmit përmes dritëhijeve dhe gjeometrizimi i kërkuar i elementeve, të cilat të parat bien në sy të shikuesit, janë ende sot të pakapërcyera në trajtimin e kishave ortodokse në Shqipëri. Skënder Luarasi e arriti këtë nëpërmjet modelimit paraprak të vëllimit të kishës me anë të një maketi të cilin e punoi vetë dhe që i lejoi kontrollin e çdo detaji të jashtëm. Konstruksioni i kishës u konceptua prej beton-armeje, risi absolute kjo për kohën, aterial të cilin Luarasi e njihte mirë e që me inteligjencë do ta vinte në punë edhe në punimet e ardhshme të tij.
Realizimi i projektit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ndërtimi u realizua nga ndërmarrja italiane Ing Lucca & Co, Milano-Napoli e specializuar për punime beton-armeje, e cila ndërkohë kishte hapur disa kantiere në Shqipëri, por drejtimin e punimeve në vepër arkitekt Luarasi e udhëhoqi vetë në bashkëpunim të ngushtë me kishtarë shqiptarë.
Prej vitit 1942, kur kisha e Shën Prokopit mbaroi (ndonëse për shkak të luftës, përurimi zyrtar i saj u bë vetëm në maj të 1945-s), e deri në vitin 1968, kur ajo u rrënua nga furia shkatërruese e revolucionit të imponuar antifetar, në murin e saj qëndronte pllaka e mermertë me mbishkrimin:
“THEMELUE NË VITIN 1940 NË KOHËN E KRYEPISKOPIT TË GJITHË SHQIPNIS IMZOT KRISTOFORIT – me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e pleqësis kishtare dhe të kujdestarisë së kishës të Tiranës, ndërtue me t-ardhunat e çpronësimit të kishës së vjetër të Shën Prokopit dhe me ndihmat e popullit ortodoks, projektue dhe drejtue prej ing. arch. Skënder Luarasit, zbatue prej sipërmarrjes Ing. Lucca e C, Milano”.
Kisha pati jetë të shkurtër, por impakt të rëndësishëm; pas ndërtimit të saj e gjithë zona filloi të quhej Kodrat e Shën Prokopit, dhe me krijimin e parkut periferik të kryeqytetit në vitet e pesëdhjeta, Parku i Shën Prokopit. Brezi të cilit unë i përkas ndiqte të dielave familjen e cila shkonte për piknik (drekën me vete e birrën jashtë) në Shën Prokop. Kjo mikrotoponimi u ruajt e gjallë deri aty nga fillimi i viteve tetëdhjetë, për t’i lënë më pas vendin toponimit të ri Kodrat e Liqenit apo Parku i Liqenit Artificial. Por funksioni i asaj kishe, ende pa dalë nga përdorimi religjioz, ish edhe më i gjerë; vështirë se mund të gjendej kund në Shqipëri vend më të mirë për të inskenuar pjesë nga filmi legjendar “Skënderbeu”. Regjisorët sovjetikë zgjodhën pikërisht mjediset e Shën Prokopit për të dhënë atmosferën e Bizantit perëndimor që ka mbizotëruar në krejt Arbëninë mesjetare – ashtu sikundër edhe në ato zona t’Italisë që kanë qenë nën ndikimin e Kostandinopojës – dhe kjo, në këtë rast, dëfton ndjeshmërinë e lartë të Luarasit ndaj traditës trashendentale të truallit mbi të cilin ai vepronte.
Aktualiteti
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kisha pret ende të rindërtohet. Në dhjetor 2017 Erjon Veliaj, kryebashkiak i Tiranes, deklaroi se ka një projekt që kisha të rindërtohet, ashtu frymëzuar nga stili si ishte para vitit 1967.[2]
Shkolla e kishës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Përpara vitit 1841 kisha kishte kurse mësimore, po jo në rang shkolle. Në vitin 1841, ajo krijoi një shkollë të rregullt fillore, ku mësimet bëheshin në turqisht dhe greqisht. Në vitet e para mësimet zhvilloheshin në ambjentin e kishës. Në 1846 komuniteti ortodoks bleu truallin e një ndërtese për 2 mije groshë dhe shkolla filloi të funksiononte në godinë më vete nga kisha. Shkolla kishte katër salla të mëdha. Në vitin shkollor 1847-1848 mësues ka qenë Grigor Përliçev nga Ohri, i cili më vonë është shquar si poet, dhe një nga poezitë e të cilit ishte "Skenderbeu", me subjekt thjesht shqiptar. Më vonë, në vitet 1850-1854, mësues ka qenë Kostandin Kristoforidhi, i cili u mësonte nxënësve shqip fshehurazi, pasi shqipja nuk ishte një nga gjuhët e njohura zyrtarisht nga Perandoria Osmane. Prej tij mësuan të shkruajnë shqip me alfabetin e Stambollit mësuesit e ardhshëm të gjuhës shqipe si Jorgji Pano, Anastas Pano, Stefan Koja, Simon Dimaroçi e të tjerë. Në vitin 1869 mësues të shkollës ishin Anastas Dhima nga Pogradeci dhe Mihal Xhaxho nga Narta e Vlorës. Në vitin 1872 shkolla u be 5-vjeçare dhe më 1894 u bë shkollë qytetëse 6-vjeçare. Në 1894-1895 filloi t'i kishte mësimet në një godinë dykatëshe, e njëjta ndërtesë ku më vonë do kishte selinë Mitropolia dhe që u shemb gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, në vitin 1890 u hap një shkollë për vajzat me 5 klasë fillore, me iniciativën e eforit Themistokli Dhimitri, i cili nuk donte që vajzat e Bashkësisë Vllehe të Tiranës të shkonin në shkolla italiane.[3]
Në 1897 shkolla u bë 7-vjeçare dhe programin mësimor e merrte direkt nga Mitropolia e Durrësit, e cila i konformoheshe programeve të shoqërisë kulturore Epirote të Stambollit. Mitropolia e Durrësit kishte nën mbikëqyrje gjithë shkollat e bashkësive ortodokse në rrethet e Durrësit, Elbasanit, Tiranës, Kavajës, dhe Pogradecit. Programi përmbante lëndët e mësimit të fesë, greqishtes, historisë, gjeografisë, këngës, gjimnastikës, matematikës, fizikës, kimisë, vizatimit, turqishtes, dhe frëngjishtes. Mësuesit Kostandin Nishku, Stefan e Jorgji Vuçani, elbasanasi Petro Dodbiba e të tjerë, në orën e frëngjishtes u mësonin nxënësve edhe gjuhën shqipe me shkrim, edhe pse kjo ishte e ndaluar me ligj. Me këtë organizim shkolla vazhdoi deri në vitin 1920, kur, me formimin e shtetit shqiptar dhe krijimin e shkollave unike, u riorganizua brenda këtij sistemi dhe u shkëput nga kisha, e, si rrjedhojë, nga programi mësimor i mitropolisë. Sipas studjuesit Beduli shkolla e Kishës së Shën Prokopit, edhe pse ishte në gjuhën greke, është e gabuar të konsiderohet si shkollë greke, pasi mësuesit dhe drejtuesit ishin të gjithë të përfshirë në lëvizjen për pavarësi kombëtare, dhe shkolla kishte për rrjedhojë një prirje të pastër shqiptarizuese, e asnjëhere pro-greke.[3]
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Shkreli, Artan (4 May 2012). "Kisha e Shen Prokopit". Gazeta Shqip.
- Ruches, Pyrrhus J., Albanian historical folksongs, 1716-1943: a survey of oral epic poetry from southern Albania, with original texts (1967), Argonaut
- Tona, LLazi (July 2010). "Themeli i Bashkësisë Ortodokse Vllehe të Tiranës dhe nismëtarët e saj (1818-1922)". Mokra.
- Beduli, Dhimitër (1997), Kodiku i Kishës së Shën Prokopit të Tiranës 1818-1922, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ javanews.al (1 korrik 2019). "Projekt për rehabilitimin e Kishës 237-vjeçare të Shën Prokopit". Arkivuar nga origjinali më 1 korrik 2019. Marrë më 1 korrik 2019.
Kisha e Shën Prokopit në Parkun e Liqenit të Tiranës, e ndërtuar në vitin 1780, do të rikonstruktohet.
{{cite news}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ a b Gazeta Shqip (19 dhjetor 2017). "Veliaj: Kisha e Shën Prokopit dhe Liqeni do të kthehen në identitet". Marrë më 27 korrik 2018.
Kemi marrë një vendim për ta rikthyer kishën siç ka qenë, për t'u siguruar që jo vetëm komunitetet e besimit, por edhe Liqeni që është ndërtuar rreth kishës së Shën Prokopit, të kthehet në identitet të plotë
{{cite news}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ a b Beduli 1997, p. 38-44