Presheva

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Presheva
Qytet
Njohur si Kosova Lindore
Lugina e Preshevës
noform
Pamje nga Presheva
Stema_figura
Emblema e Preshevës
Vendndodhja
Presheva (Serbia)
Presheva
Koordinatat:42°18′33.11″ Veri 21°38′57.12″ Lindje 42.3092, 21.649242°18′33.11″ Veri 21°38′57.12″ Lindje 42.3092, 21.6492
Administrimi
Shteti Flamuri Serbia
Komuna Komuna e Preshevës gjithsej 35 vendbanime
Distrikti Pçinja
Kryetari i Bashkisë Ragmi Mustafa
Partia PDSH(Partia Demokratike Shqiptare)
Statistika dhe Transporti
Lartësia 463 m (m.n.d.)
Vendasit Preshevarë (m)
Preshevare (f)
Sipërfaqja 264 km2
Zona Kohore ZKEQ (UTC+1)
Verore OVEQ (UTC+2)
Kodi Postal 17523
Prefiksi (+381) 17
Targa VR
Demografia
Popullsia 13,426 banorë
 •  aglomerati 34,904 banorë
Dendësia 132 banorë/km2
Faqja Zyrtare www.presevo.rs/sq

Komuna dhe qyteti me popullsi shumicë shqiptare në luginën me të njëjtin emër në jugun e Serbisë. Komuna e Preshevës ka pozitë strategjike në trekëndëshin kufitar Serbi-Maqedoni-Kosovë. Regjistrimi i popullsisë i vitit 1981, të cilën e bëri enti për statistikë në territorin e tërë ish-Jugosllavisë, ishte i fundit i cili i solli të dhënat e sakta mbi numrin e banorëve në Serbi. Komuna e Preshevës ka pasur 33,948 banorë. Shumica, mbi 91.3% (31,098), ishin Shqiptarë,6.5% (2,204) Serbë dhe mbi 1% (333) Romë. Nga 35 vendbanime në këtë komunë gjashtë (në mesin e tyre edhe Presheva) ishin etnikisht të përziera, por Shqiptarët ishin shumicë në mbi 82% prej tyre. Katër vendbanime ishin të banuara vetëm me popullatë serbe, ndërsa 25 me popullatë shqiptare. Konflikti i vitit 2001 solli zhvendosje të popullsisë drejt Kosovës.

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

Red right arrow.svg
 Artikulli kryesor: Historia e Preshevës.

Treva e Preshevës në kohërat antike ka qenë nën sundimin romak. Provinca e Dytë Provincia Dardanium ka qenë poashtu nën sundimin romak me kryeqytetin e saj Scup, Shkupi i sotëm. Gjatë dyndjeve sllave, gjatë shek VI dhe VII, në rajonin e Preshevës janë ndërtuar ca kështjella për t'u mbrojtur nga barbarët sllav. Për këto fortesa më së miri flet historiani bizantin Prokopie. Këto kështjella ishin Kalaja e Preshevës si dhe disa të tjera në Karadak (Malësia e Preshevës). Gjer në shek IX, rajoni i Preshevës mbetet nën pushtimin Bizantin. Nga gjysma e dytë e shek IX, gjer në shek X rajoni i Preshevës pushtohet nga ana e Mbretërisë Bullgare. Prej shek XI e deri në shek XII, Presheva me rrethinë gjendet nën sundimin Bizantin. Në fund të shek XII, sipas dokumenteve sërbe, Preshevën e gjejmë të pushtuar nga ana e Nemanjiqëve deri më vitin 1455. Gjat kësaj kohe, popullësia autoktone i takonte religjionit të krishterë të përhapur nga romakët. Krahas popujve tjerë, edhe shqiptarët e këtyre trevava u bënin rrezistencë pushtimit osman-turk. Si rrjedhojë e rrezistencës shpeshëherë, popullsia e këtyre anëve iu nënshtrohej zullumeve dhe represaljeve nga ana e barbarëve të ardhur nga Azia. Presheva, emrin që ka edhe sot, ka nga fjala latine që d.m.th. Presh-Purri dhe Eva-fushë, pra Preshevë d.m.th Fusha e Purrinjëve.

Rilindja Kombëtare[redakto | redakto tekstin burimor]

Gjate Rilindjes Kombëtare Presheva dhe preshevarët kanë qenë mjaft aktiv për çlirimin Kombëtar Shqiptar. Së bashku me bashkëkombasit e vet anë e mbanë Trojeve Shqiptare, kundërshtuan me forcë çdo ligj të dhunshëm të imponuar nga armiqtë e sidomos Reformat e Tanzimatit të vitit 1939, deri më vitin 1912, me pas morren pjese në luftërat dhe kryengritjet e ndryshme, si atë të Lidhjes se Prizrenit (1878), Lidhjen e Pejës (1898) si dhe kryengritjet e njëpasnjëshme të viteve 1908, 1910, 1912 etj.

Arkeologji[redakto | redakto tekstin burimor]

Meqë Presheva nuk ka patur mundësi të krijojë instuticione të veta të pavaruara kombëtare, gjithëherë kanë shfrytëzuar format prej më të ndryshme për t'i ruajtur vlerat kulturoro-kombëtare dhe etnicitetin e vet kombëtarë. Kështu, një ndër to me vlerë jashtëzakonisht të madhe është edhe muzeu i shkollës në Preshevë. Në këtë muze gjendet një numër i konsiderueshëm i eksponateve që flasin për kulturën dhe të kaluarën e shqiptarëve të këtyre viseve. Aty gjenden eksponate që i takojnë kohërave të lashta parahistorike, në keramikë, armë, filigranologji etj. Prej armëve janë gjetur eksponate të cilat i takojnë viteve 30 të e.s. në katundin e Ilincës (Malësia e Preshevës). Unaza dhe stoli tjera nga filigranologjia janë gjetur në katundin e Zhunicës e që i takojnë viteve 35-ta, më qartë në kohën e "Oktavian Augustit". Në Zhunicë dhe Preshevë janë gjetur edhe monedha të po kësaj kohe (vitet e 35-ta). Nga keramika janë zbuluar objekte apo pajisje të ndryshme që i takojnë periudhave të lashta parahistorike rreth 3500 vjet p.e.s.

Presheva nën sundimin Osman[redakto | redakto tekstin burimor]

Presheva gjatë kohës së sundimit OsmanBallkan, ishte e përfshirë nën pashallëkun e Shkupit. Struktura nacionale në këtë trevë ishte pothuajse e 100% shqiptare, e që gjatë shpalljes së pavarsisë së Serbisë nga Turqia ishin shpërngulur edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve nga viset Veri-Lindore të Arbërisë ( Vranja, Leskovci, Nishi, Piroti, Surdulica etj.). Si dëshmi e kësaj shpërnguljeje është fakti se sot shumë familje dhe fshatra të tëra dijnë prejardhjen e tyre nga viset Veri-Lindore të Arbërisë. P.sh. Banorët e fshatit Kokaj (Malësi) vijnë nga rrethina e Leskovcit nga fshati Klajiq, Seferët (fsh. Sefer, malësi) vijnë nga rrethina e Pirotit, Familja e Dodajve (Dodallarët, Preshevë) vijnë nga Nishi, banorët e fshatit Depcë (malësi) poashtu vijnë nga rrethina e Leskovcit.

Nga zullumet e turqve që i bënin shqiptarëve të këtyre viseve, çonin drej përleshjeve dhe kryengritjeve të kohëpaskohëshme të shqiptarëve kundër turqve. Kështu që në vitin 1843, shqiptarët e rrethinës së Kumanovës , Preshevës, Bujanocit dhe Gjilanit nën udhëheqjen e Bajram Vaksincës çuan krye kundër zullumve dhe shtypjes së Hysen Pashës. Hysen Pasha i plagosur, iku te miqtë e vet në Pçinjë ku atje edhe vdiq. Këtu nuk duhet harruar edhe kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve në përgjithsi ku si pjesmarrës të rregulltë ishin edhe shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës.

Presheva qendër kazaje në sanxhakun e Prishtinës - vilajetit Kosovës[redakto | redakto tekstin burimor]

[1] (Presheva sipas enciklopedisë Kâmûs Al – a’Lâm)-PRESHEVA është një qytet i vogël, qendër kazaje në sanxhakun e Prishtinës, të Vilajetit të Kosovës, i cili gjendet 50 kilometra në juglindje të saj dhe të Shkupit, pothuajse aq në verilindje të tij afër kufirit të Serbisë dhe mbi vijën hekurudhore. Popullsia e kësaj kazaje ishte rreth 3000 banor. Kazaja e Preshevës gjendej në skajin juglindor të sanxhakut të Prishtinës. Kufizohet dhe është e rrethuar nga ana verilindore me kufirin e Serbisë, nga ana veriperëndimore me kazanë e Gjilanit dhe në jug me sanxhakun e Shkupit, respektivisht me kazanë e Kumanovës. Në këtë kaza toka është pjellore dhe shumë prodhuese. Rrushi që rritet në këtë kaza është shumë i mirë. Kazaja e Preshevës përbëhej prej 134 fshatrave, me 39545 banor, shumica e të cilëve janë mysliman (shqiptarë) dhe të tjerët sllavë. Në këtë kaza gjendën rreth 13 xhami, 2 të tjera më të vogla që quhen mesxhide, 500 dyqane, 33 hane, 13 posta xhandarmërie dhe një spital ushtarak.

Politika[redakto | redakto tekstin burimor]

Si në tërë territorin e ish Jugosllavisë pas viteve '90 të, edhe në Preshevë lulëzoi një farë demokracie e brishtë, dhe lulëzoi pluralizmi Politik. Pas luftimeve mes UÇPMB-së dhe forcave serbe te sigurise në vitin 2001, u nënshkrua marrëveshja për demilitarizim në ndërmjetësimin e Piter Faith. Në vitin 2002 u riorganizuan zgjedhjet lokale për komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Në këto zgjedhje garuan 3 parti shqiptare, Partia për Veprim Demokratik (PVD) e udhëhequr nga Riza Halimi, Partia e Bashkuar Demokratike Shqiptare (PBDSH) e udhëhequr nga Zeqirja Fazliu dhe Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD) e udhëhequr nga Jonuz Musliu, ish ushtarak i UÇPMB-së. Zgjedhjet i fitoi PVD me 50 % (19 nga 38 këshilltarë), e dyta doli PBDSH me 29 % (11 nga 38 këshilltarë) dhe LPD me 13 % (5 nga 38) ndërsa koalicioni i partive serbe (SPS/SRS) fituan 8 % (3 nga 38).

Kryetar i Kuvendit u zgjodh Skender Destani, ndërsa për Kryetarin e Komunës së Preshevës, për herë të parë u votua drejtëpërdrejt nga elektorati. Në kandidim ishin Riza Halimi (PVD), Rahmi Zylfiu (PBDSH) dhe Abedin Selimi (LPD). Në raundin e dytë dolën vetëm Riza Halimi dhe Rahmi Zylfiu. Rezultet përfundimtre treguan se Riza Halimi fiton bindshëm dhe zyrtarisht merr postin e Kryetarit. Pas ngatërresave brendapartiake të PVD, dhe pamundësisë për të vazhduar normalisht rrjedha e seancave të Kuvendit Komunal, mbahen zgjedhjet e parakohshme në Preshevë. Zgjedhjet u caktuan për datën 19 Shtator 2004. Në këto zgjedhje konkuruan 4 parti shqiptare: PVD, PDSH, LPD dhe BDL e sapoformuar pas përcarjeve brenda PVD-së. Në këto zgjedhje PDSH doli me 15 këshilltarë ose 39 % të elektoratit, PVD me 12 ose 31.5 %, BDL me 5 këshilltarë ose 13.2 %, LPD gjithashtu me 5 ose 13.2 % dhe Koalicioni Serb me 1 këshilltarë ose 2.6 %. Pushtetin Lokal e themeluan koalicioni PDSH, LPD dhe BDL ndërsa PVD dhe këshillëtari serb mbeten në opozitë. Kjo ishte hera e parë që nga themelimi i saj kur partia e Riza Halimit ishte në opozitë, megjithëse vetë Riza Halimi ishte ende Kryetar i Komunës së Preshevës. Në vitin 2005, me iniciativën e Kuvendit të Komunës, Riza Halimi u revokua nga posti i Prefektit, dhe u zëvendësua nga Ragmi Mustafa. Që nga viti 2005, edhe tash është Kryetar i Komunës së Preshevës.

Gjeografia[redakto | redakto tekstin burimor]

Komuna e Preshevës, përfshin fushën e Preshevës në mes, pjesë të Malit të Karadakut në perendim dhe të malit Rujn në lindje. Fusha e Preshevës përfshin rreth 37,8%, Karadaku 45,4% dhe Rujni 16,6% të territorit të përgjithshëm. Relacioni fushë-mal është 37,8 me 62,0. Fusha e Preshevës, në veri është e lidhur morfologjikisht me fushën e Bujanocit e në jug, nëpërmjet të Kërruses së njohur të Preshevës, me fushën e Kumanovës. Mali Karadak shtrihet, në perendim, mes fushës së Preshevës dhe të Gjilanit, me një varg majash shumë të bukura, nga të cilat, sidomos, dallohet Ostrovica me lartësi prej 1168 metrave, që paraqet majen më të lartë në territorin e Komunës. Maja e Madhe (1034 metra) mbi Preshevë, Kodra e Peqenës(977 metra), etj. Në Karadak është zhvilluar relievi karstik, ku gjenden dy shpella të bukura: Shpella e Ilincës dhe Shpella e Arushës (Tërrnavës). Në lindje të fushës së Preshevës shtrihet Rujni, me majen më të lartë - Kodrën e Tukashit(807 metra). Fusha e Preshevës është e zgjatur në drejtim veri- jug, në gjatësi prej 17 km dhe gjërsi maksimale prej 8 km. Në këtë fushë shtrihet Kërrusja(ujëndarësja e ulët) e njohur e Preshevës, me lartësi mbidetare prej 460 m, që shtrihet në drejtim lindje- perendim. Pika më veriore e fushës është në lartësi mbidetare prej 405 m, ndërsa pika më jugore në lartësi prej 390 m. Kjo kërruese ka rëndësi të madhe komunikative nga se lidh dy luginat e mëdha, të Moravës dhe të Vardarit, të cilat paraqesin lugnajë të madhe me shtrierje përsëgjati Siujëdhesës Ballakanike. Nëpër këtë kërruese kalon hekurudha dhe rruga kryesore automobilistike, të cilat lidhin Detin Egje me Fushën e Panonisë. Klima e Komunës së Preshevës është e mesme kontinentale. Për shkak të morfologjisë dhe lartësisë së ndryshme mbidetare ekzistojnë ndryshime klimatike ndërmjet fushës dhe pjesëve malore, sidomos të Karadakut. Fusha e Preshevës merr diç mbi 600 mm, mesatarisht, të reshura në vit. Në të fryejnë erëra veriore dhe jugore. Pjesa në jug të Kërrusës, e kthyer kah jugu, ka klimë pak më të butë se sa pjesa veriore, pa e kthyer kah veriu. Shpeshherë bora mbulon vetëm këtë pjesë. Njësoj është edhe me mjegullën. Nganjëherë mjegull ka vetëm në jug të Kërrusës. Pjesa malore ka klimë më të ashpër, sidomos Karadaku, ku temperaturat janë më të ulta, bora është dukuri më e shpeshtë dhe me trashësi deri 80 cm. Karadakun e godet më shumë breshëri, sidomos pjesën e saj jugore. Në të mjegulla është më e shpeshtë, por nganjëherë në pranverë dhe vjeshtë, me rastin e temperaturave inverzare, mjegulla është dukuri vetëm për Fushën e Preshevës. Komuna është e varfër me ujëra tokësore. Lumenjtë më të mëdhenj janë: Lumi Llopushnicë, Lumi i Kurbalisë dhe Lumi i Tërrnavës. Më e pasur me ujë është Llopushnica, e cila buron në shpatin veri- lindor të Ostrovicës dhe derdhët në Moravën e Binçës te Kështjella e Pograxhës. Lumi i Kurbalisë rrjedh nëpër Preshevë, i cili teposhtë qytetit kthehet në lum tipik fushor me shumë bërryla dhe shpeshherë, në vjeshtë dhe në pranverë, del nga shtrati dhe vërshon sipërfaqe të tokës së punueshme.Komuna ka një liqen artificial përmbi katundin Rahovicë, i cili shërben vetëm për ujitje. Komuna ka edhe burime të nxehta (termale). Burime më të rëndësishme të këtij lloji janë: Gurra e Miratocit (Banjkë) dhe Gurra e Seferve. Pyjet e Komunës së Preshevës nuk janë njësoj të përhapura. Ato, thuajse, krejtësisht shtrihen në trevën e Karadakut. Dikur Karadaku ka qenë i njohur për pyje të larta dhe të dendura. Ato kanë pësuar ndryshime të mëdha nga se dora e njeriut i ka shkatërrur dhe sot paraqesin, kryesisht, pyje të reja. Këto janë pyje gjethrënëse (ahu, bungu, qarri, shkoza, krekëza, etj.). Kohëve të findit, aty- këtu, janë ngritur sipërfaqe të kufizuara të pishave. Shpërnguelja e popullsisë, nga vitet e gjashtëdhjeta, nga Karadaku ka ndikuar në rritjen e sipërfaqeve të kullosave si rrjedhim i këthimit të arave në kullosa. Kullosa ka edhe në trevën e Malit Rujn. Komuna e Preshevës është e pasur me shtazë dhe shpendë të egëra. Në Karadak jeton kaprrolli, lepuri, ujku, dhelpëra dhe derri i egër, kurse prej shpendëve: thëllëza e gurit, ndërsa pula e egër është zhdukur. Në fushën e Preshevës dhe në Kodrën e Rujnit ka mjaft lepuj dhe thëllëza të fushës. Në Llopushnicë ka peshq, ndërsa në Lumin e Kurbalisë, veçanërisht në pjesën e poshtëme, s’ka fare gjallesa. Peshq ka edhe Liqeni Artificial i Rahovicës.

Kultura[redakto | redakto tekstin burimor]

Shtëpia e kulturës Abdulla Krashnica në Preshevë

Jeta kulturore në Preshevë lidhet kryesisht me manifestimet në shtëpinë e kulturës “Abdulla Krashnica”. Prej vitit 1992, çdo qershor organizohet festivali i trashigimisë kulturore shqiptare (folklorit, dramës, poezisë dhe prozës). Në ndërtesën e Shtëpisë së Kulturës gjendet biblioteka, kinemaja, zyrat e organizatave të qytetarëve dhe TV Presheva.

Në këtë komunë ka edhe disa organizata joqeveritare të cilat me aktivitetet e tyre ndikojnë në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të qytetarëve. Organizatat joqeveritare në Preshevë shihen si potencial më i madh në resurset njerzore. Personat të cilët janë të angazhuar llogariten si të arsimuar, profilizuar në njohuri, entuziast dhe fleksibil në punë, të natyrës kritike, inovativ dhe të aftë të përgjigjen shpejt në problemet e perceptuara në shoqëri. Gjithashtu në tetor të vitit 2010Preshevë është krijuar Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore.[2][3]

Demografia[redakto | redakto tekstin burimor]

Përbërja Etnike
Viti Serb  % Shqiptar  % Total
1961 6,741 25.21% 18,229 68.18% 26,738
1971 5,777 19.22% 23,625 78.60% 30,057
1981 4,204 12.38% 28,961 85.31% 33,948
1991 3,206 8.23% 34,992 89.85% 38,943
2002 2,984 8.55% 31,098 89.10% 34,904

Komuna e Preshevës ka një popullsi shumicë shqiptar që flasin dialekin Gegë dhe popullsinë serbe pakicë që flasin dialektin Torlak. Përqindja e popullsisë shqiptare në Preshevë ëeshtë mbi 96 % që njëherit e bën qyetetin me më shumë shqiptarë në Serbi.

Shumica Shqiptare[redakto | redakto tekstin burimor]

Shumica e fshatrave janë me shumicë shqiptare përveç fshatrave: Lanik, Svinjishtë, Sllavujevc, Cakanoc dhe Mamicë ku serbët janë shumicë.


Gjithashtu, shumë fshatra kanë përbërje prej 99 % shqiptarë si: Rahovicë, Miratoc, Gerajt etj dhe fshatrat që janë etnikisht të përziera si: Bushtran, Golemidoll, Leran, Strezoc, Tërnavë, Çukarkë dhe vetë qyteti Preshevë.

Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përbëjnë treshën e mbetur jashtë territorit kulturor të Shqiptarëve.

Vendbanimet[redakto | redakto tekstin burimor]

Shiko edhe[redakto | redakto tekstin burimor]

Burim i të dhënave[redakto | redakto tekstin burimor]

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]

Literature[redakto | redakto tekstin burimor]

Referenca[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ [[1]]
  2. ^ Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë
  3. ^ Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë