Said Najdeni
Islam Said Najdeni (Dibër, 1864 - 21 nëntor 1903) i njohur edhe si Hoxhë Voka qe hoxhë, arsimtar dhe veprimtar i çështjes shqiptare.
Jeta
Lindi në Shehër të Dibrës, i biri i Islamit dhe Esma Najdenit. I ati zejtar me të parë që kreu shkëlqyeshëm shkollimin në vendlindje më 1882, e dërgoi në Stamboll ku ndoqi studimet e larta teologjike në medresen "Hajdar Pasha"[1].
Njihet me parinë atdhetare të shqiptarëve në kryeqytetin perandorak, Shemsedin Saminë, Naim bej Frashërin dhe Ismail Kemal bej Vlorën. I ndërgjegjësuar për gjendjen e atdheut nën hyqmin e otomanëve, më 1888 mbaron shkollën dhe kthehet në atdhe me një sasi abetaresh të shtypura nga Shoqëria e Stambollit. Jep mësim gjuhën shqipe më ato abetare në Dibër po atë vit[2]. Veprimtarinë e tij e shtriu jo vetëm në Shehër edhe në krahinë: në Gollobordë, në Grykë të Vogël, në Bllacë, në Maqellarë, në Brezhdan, në Dohoshisht e shumë fshatra të tjerë të Dibrës. Djalëria që mori mësim ndër tregtizat e pazarit të Shehrit më 1888 do ta ndihmonte për të shpërndarë kumtin e zgjimit kombëtar me abetaret që Hoxhë Voka i merrte nga Stambolla[3].
Autoritetet turke në vitin 1895 duke parë aktivitetin e Saidit e arrestoi atë dhe e internoi në Edrene[4]. Pas kthimit në Dibër, Said Najdeni së bashku me nxënësit e tij: Shaqir Daci, Shyqyri Qoku, Kadri Fishta, Hamdi Ohri, Nazif Sharofi, Hajdar Varvarica etj., në vitin 1896 organizuan brenda në Shehër (Dibër), në shtëpinë e Abdullah Manjanit, një kurs të fshehtë për mësimin e shkrimin shqip. Ky kurs dokumentohet si i pari kurs shqip në trevën e Dibrës[5]. Internohet sërish në Edrene atë vit dhe lirohet më 1897 dhe u kthye në atdhe ku propagandoi në Ohër, Strugë e Elbasan nevojën për shkolla shqipe[6]. Lidhje të vazhdueshme u mbajtën sidomos me shoqëritë shqiptare “Dituria” të Bukureshtit dhe “Dëshira” të Sofjes, me Kosovën dhe me Shqipërinë e Mesme nga vinin në Dibër abetare e libra shqip të rilindasve. Në Dibër u përhap në këtë kohë “Abetarja” e Sami Frashërit me të cilën raportonte konsulli austro-hungarez, A. Kral në Manastir: “Mësuan të shkruanin në gjuhën shqipe qindra dibranë. Deri në vitin 1899, kishin mësuar të shkruajnë e të lexojnë shqip më shumë se 300 dibranë”[7].
Sipas praktikës së përdorur për të urtuar njerëzit që mësynin nga ngritja e ndërgjegjes kombëtare, iu ofruan zyra në administratë dhe të qenit pedagog në medresen "Sulltan Ahmet" në Stamboll. Duke gjykuar toskërishten si të zorshme për dibranët e tij, Hoxhë Voka boton në Sofie "Abetare e gjuhës shqipe ndë të folë gegënisht" dhe tekstin fetar "Ferrëfenja myslimane" më 1900 në shtypshkronjën "Mbrothësia" të K. Luarasit[8].
Me organizimin e Lidhjes së Pejës nga Haxhi Zeka, punimet e të cilës ndikuan në punimet e kuvendeve të mbajtura në Dibër nën udhëheqjen e nxënësve dhe miqve të hoxhës, Selim Rusit dhe Hamdi bej Ohrit.
Më 1903 merr pjesë në një takim të mbajtur në Tarabulluz, me Ismail Qemali, Refik bej Toptanin aty ku ishte vali Rexhep pashë Mati. Tuberkulozi iu rëndua, falë miqve iu bë e mundur një konsultë në Romë por mjekët s'i dhanë shpresë e kësodore mblodhi forcat sa për t'u kthyer në vendlindje ku dha shpirt pak ditë më pas më 21 nëntor[4][9].
Burime
- ^ Hysa M, "Alamiada shqiptare" v. I, Logos-A, Shkup 2000, f.44.
- ^ Hysa M., Said Najdeni-Hoxhë Voka, veprimtar i Lëvizjes dhe Rilindjes Kombëtare, Harper Woods: Albanian Islamic Center, 1992, f.3-5.
- ^ Gazeta “Drita” e Sofjes 1903, nr. 2, 32/21, vjeshtë e tretë.
- ^ a b M.H.D, Said Najdeni, (Hoxhë Voka), Fondi XII/1, Dosje patriotësh, Dosja, nr. 495.
- ^ M.H.D, Dorëshkrim, Haki Stërmilli, “Dibra në prag të historisë”, Tiranë, 1940, f. 39.
- ^ Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë, 1972, f. 43.
- ^ Myziri H., “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë, 1978, f. 141.
- ^ Vozga R., "Libri Shqip 1555-1915", Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 200 ─ ISBN 978-99927-731-7-8.
- ^ Qemali I., "Kujtime", përkthyer nga A. Myftiu, "Toena", Tiranë 2009.