Jump to content

Adrian Paci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Adrian Paci (2017)

Adrian Paci i lindur në Shkodër28 janar 1969, është artist shqiptar.

Leu në një familje të njohur shkodrane, i biri i Ferdinandit dhe Brigjildës.

Ndahet herët prej të atit, kur ishte ende 7 vjeç. Nderimin për të cilin do ta shprehte tridhetë vjet mbas ndarjes me të, kur veprat atnore iu shfaqën në një ekspozitë në Galerinë e Arteve, me këto fjalë:

“Unë isha shumë i vogël kur vdiq im atë dhe jam rritur me punimet e tija. Jam rritur duke shikuar studion e tij, duke hapur shpeshherë dosjet me vizatimet e tij dhe në një farë mënyre, marrëdhënia ime me tim atë, mund të përcaktohet si një marrëdhënie profesionale. Ajo krijohej përmes pikturës. Një marrëdhënie e tillë më ka shoqëruar gjithmonë, krahas asaj ndjeshmërie që ka një fëmijë për prindin e vet”.[1]

I mbrujtur në këtë mjedis familjar prirjet e tija e çuan drejt Akademisë së Arteve, të cilën e nisi më 1987, ku u formua për arte figurative. Më 1992 falë një burse ndjek kursin “Arte e Liturgia” pranë Institutit Beato Angelico në Milano. Më 1995 kthehet në Shqipëri ku do të japi Histori Arti e Estetike në Universitetin e Shkodrës për do kohë. Më 1997 për shkak të trazinrave shpërngulet bashkë me familjen në Milano, ku jeton e punon. Në mërgim zhvillon dialog me një tjetër medium për ndjesitë e tija artistike: videon, duke mos humbur sidoqoftë lidhjen me pikturën dhe fotografinë.

Disa nga ekspozitat e tij janë: “In the Gorges of the Balkans” kuruar nga René Block në Kunsthalle Fridericianum, Kasel, Gjermani (2003); “New Video, New Europe” kurue nga Hamza Walker në Tate Modern, Londër; në Bienalen e Seviljes, Spanjë, kuruar nga Harald Szeemann (2004). Në vitin 2005 ai prezantohet me ekspozitë personale në Moderna Museet në Stokholm dhe në Contemporary Arts Museum në Hjuston.

Ndërsa në vitin 2006 me të parën ekspozitë personale italiane në Modena, e cila vjen në pah pas daljes në Biennale-n e 51-të të Venecies. Ndër ekspozitat e mbrame që ia vlejnë të përmenden janë mbajtë në Jeau de Paum, Paris dhe PAC të Milanos në 2013; në Röda Sten Konsthall të Göteborg-ut, Suedi dhe në MAC (fr. Musée d’art contemporain – Muzeu i artit bashkëkohor) të Montrealit.

Përfaqësohet nga galeria Kaufmann Repetto në Milano dhe nga gal. Peter Kilchmann e Zyrihut.[2]

  1. ^ Bardhyli E., Ferdinand Paci “kthimi” i vonuar në Galerinë e Arteve, Tiranë: gazeta 55. – Nr. 244, 9 shtator, 2005, f. 19.
  2. ^ Vettese A., "Adrian Paci", Milano: Edizioni Charta, 2006.