Aleksandër Moisiu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Aleksandër Moisiu
Moisiu ca. 1920
Moisiu ca. 1920
U lind në2 prill 1879
Vdiq23 mars 1935

Aleksandër Moisiu ose Alexander, Alessandro Moissi ose Moisi, lindi më 2 prill të vitit 1879Trieste dhe vdiq më 23 mars të vitit 1935Vjenë, ishte aktor austriak me origjinë shqiptare.[1]

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Moisiu në veprën teatrale Frühlings ErwachenFrank Wedekind-it.

Moisiu lindi në Trieste, Itali. I ati ishte shqiptar nga Kavaja dhe e ëma ishte arbëreshe.[2] Në moshën 19 vjeçare shkon në Vjenë,[2] ku me ndihmën e Jozef Kainc iu përkushtua aktrimit. Më 1898 e nisi karrierën e vet si kompars (aktorë që luajnë rol të vogël) në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Max Reinhardt me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi ai u angazhua në shumë vende të Evropës dhe Amerikës Veriore.

Fusha e veprimit të Moisiut përmblidhte të gjithë spektrin e literaturës evropiane të teatrit, duke filluar që nga tragjedia antike greke e deri te koha moderne. Shumë të njohura u bënë interpretimet e tij të Hamletit, të Edipit, të Jedermann dhe të Fedja në veprën e Leon Tolstoit “Kufoma e gjallë”. Ai luajti po ashtu edhe rolet kryesore në premierat e pjesëve teatrale të Hauptmann-it (“Der weiße Heiland“), të Wedekind-it (“Frühlings Erwachen”) dhe të Hofmannsthal-it (“Jedermann”).

Në vitin 1920 ishte i pari që në Lojërat Festive të Salzburgut (Salzburger Festspiele) luajti rolin kryesor në “Jedermann”.

Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Lufta e Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse. Në periudhën mes dy luftërave ishte shumë kohë në turne. Në Berlin aktronte në këtë kohë vetëm si mysafir. Stili i tij i aktrimit llogaritej këtu si i vjetëruar dhe nuk mund të matej më me zhvillimet teatrore si ai i ekspresionizmit, apo teatri politik i Brecht-it apo i Piscator-it.

Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 10 produksione të filmave, 8 prej tyre ishin filma pa zë.

Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi këtë kërkesë, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes.

Varri në Morcote

Ai vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Ai është i varrosur në varrezat e komunës së Morcote-së, pranë qytetit Lugano në kantonin e Tessin-it në Zvicër.[2]

Moisiu sot adhurohet dhe respektohet sidomos në Shqipëri si një ndër aktorët më të mëdhenj të vendit, edhe pse ai që nga rinia e tij më nuk e vizitoi Shqipërinë. Shkolla e aktrimit në Tiranë, Universiteti i Durresit, Shkolla e mesme e pergjithshme në Kavajë dhe teatri i Durrësit e mbajnë emrin e tij.

Gruaja e tij Maria Moisiu ishte nga Vjena. Aleksander Moisiu është stërgjyshi i aktorit Gedeon Burkhard (ndër të tjera i njohur me rolin e tij kryesor në serinë “ Komisar Rex”).

Citate[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • "Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit." - Franc Kafka, shkrimtar i njohur botëror
  • "Hamleti është shkruar për Moisiun dhe Moisiu ka lindur për të interpretuar Hamletin, vetë ai." - Max Brod
  • "Unë gjeta te Moisiu aktorin e vërtetë që kërkoja." - Max Reinhard, regjisor dhe reformator i skenes gjermane
  • "Nepermjet interpretimit te rolit te Hamletiti, Moisiu fitoi dashurine e shikuesit francez." - Andre Antuan, reformist i teatrit francez

Filmografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Moisiu si Princ Kalaf në veprën TurandotCarlo Gozzi-t, Deutsches Theater, Berlin, dhjetor 1911.

Literaturë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Vangjel Moisiu: Alexander Moissi - Biografia në gjuhën gjermane, Tiranë 1980
  • Rüdiger Schaper: Moissi. Triest, Berlin, New York – Eine Schauspielerlegende. - Berlin: Argon 2000

Shiko edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Schaper, Rüdiger (2000). Moissi.: Triest - Berlin - New York. Eine Schauspielerlegende (në gjermanisht). Argon Verlag. fq. 42. ISBN 978-3-87024-513-9. Marrë më 1 nëntor 2013.
  2. ^ a b c Elsie, Robert (19 mars 2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 309–310. ISBN 0-8108-6188-7. Marrë më 10 mars 2019.

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Biblioteka Kombtare
  • Rüdiger Schaper (2000). Moissi. Triest, Berlin, New York. Eine Schauspielerlegende (në gjermanisht). Berlino: Argon. ISBN 3-87024-513-1.
  • Hans Böhm, red. (1927). Moissi. Der Mensch und der Künstler in Worten und Bildern (në gjermanisht). Berlino.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  • Vangjel Moisi (1980). Alexander Moissi (në gjermanisht). Tirana: Verlag 8 Nëntori. (Biografia në gjermanisht).

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]