Bekim Berisha
Bekim Berisha | |
---|---|
Pseudonimi/et | "ABEJA" |
Lindur më | 15 Qershor 1966 Graboc, Komuna e Pejës, Kosovë |
Vdekur më | 10 Gusht 1998 Junik, Kosovë |
Në aleancë me | |
Vite shërbimi | 1991 – 1998 |
Grada | Komandant Gjeneral-Major |
Në komandë | Zona Operative e Dukagjinit, Kosovë |
Betejat/luftrat | |
Çmimet |
|
Bekim Berisha (15 Qershor 1966 – 10 Gusht 1998) i njohur me nofkën e luftës "ABEJA" ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), i cili fitoi rëndësi në Luftërat Jugosllave. Ai luftoi në Luftën e Kroacisë, në Luftën e Bosnjës dhe në Luftën e Kosovës. Lindi më 15 qershor 1966 në fshatin Graboc të Komunës së Pejës dhe ra dëshmorë më 10 gusht 1998 në Betejën e Junikut. Ishte njëri ndër luftëtarët më të dashur jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, por në mbarë opinionin liridashës të Kosovës. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së e dekoroi me gradën Gjeneral–Major.
Jeta e hershme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rrjedh nga një familje shumë bujare dhe liridashëse. Gjyshi i tij Nexhip Selmani kishte luftuar kundër pushtuesve serbë vite me radhë. Prindërit Fazli dhe Fahrije Berisha kishin gjashtë fëmijë: pesë djemë dhe një vajzë, ndërsa Bekimi ishte fëmiu i gjashtë me radhë. Bekim Berisha Shkollën fillore e kreu në Gorazhdevc të Pejës, ndërsa Shkollën e Mesme të Artit, në Pejë.
I rritur dhe i edukuar me kujdes dhe krenari nga gjyshi dhe babai, të cilët me dashuri ia kultivuan ndjenjat kombëtare në shpirtin e njomë të luftëtarit të ardhshëm të lirisë së Kosovës. Bekim Berisha, në pamundësi që të vazhdojë studimet, u detyrua ta braktisë Kosovën. Stacioni i parë për mërgimtarin e ri nga Graboci i Pejës ishte Kroacia. Në fillim punoi si punëtor krahu. U mor me punë të rënda fizike, në mënyrë që të sigurojë ekzistencën, vetëm e vetëm që ta ndihmojë familjen dhe të regjistrohet në Fakultetin e Hotelierisë në Opati dhe atë të Veterinarisë në Zagreb. Të dy këto Fakultete i përfundoi me sukses. Sa qëndroi në Kroaci, Bekim Berisha mësoi gjashtë gjuhë të huaja, kështu që arriti të lexojë edhe literaturë të ndryshme, ekonomike, turistike e deri tek ajo ushtarake. Pas disa vitesh në Kroaci, Bekimi u shpërngul në Holandë ku u fejua dhe u vendos atje për një kohë.
Lufta në Kroaci dhe Bosnjë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në këtë kohë, në fillim në Kroaci e më vonë edhe në Bosnjë, shpërtheu lufta e kroatëve dhe boshnjakëve kundër regjimit kolonial serb. Kur filloi Lufta Kroate për Pavarësi, Bekim Berisha e la jetën e tij në Perëndim pas vetes në moshën 25 vjeçare dhe u kthye në Kroaci më 7 gusht 1991 për të dalë vullnetar në Gardën Kombëtare Kroate. Edhe pse me profesion nga fusha e turizmit dhe veterinarisë, Bekim Berisha pa hezituar iu përgjigj vullnetarisht ftesës për luftë kundër këtij regjimi shovinist. Ai u radhit përkrah ushtarëve kroatë, përkatësisht njësiteve elite kroate. Si luftëtar dhe strateg në luftën kundër serbëve në Kroaci, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Kroate e dekoroi Bekim Berishën me gradën e "Gjeneralit".
Ai u bashkua me një batalion që mbronte fshatrat binjake Donje Komarevo dhe Gornje Komarevo afër Sisakut. Më vonë mori pjesë në betejat e Sllavonisë Lindore, në vijën e parë kundër Ushtrisë Jugosllave, para se të plagosej atje më 16 qershor 1992. Ai u lirua me një paaftësi të konsiderueshme dhe jetoi në Opati deri në vitin 1996.
Gjatë luftës kroate ai u intervistua edhe nga BBC ku deklaroi se Kroacia brenda dy muajsh do të lirohej nga ushtarët serbë pasi lufta shkoi shumë mirë. Vetëm disa ditë më vonë filloi ofensiva përfundimtare kroate dhe Bekimi ishte një nga ushtarët e vijës së parë.
Ai gjithashtu mori pjesë në Luftën e Bosnjës, gjatë betejës së Kotorskos u godit nga gjashtë plumba më 15 qershor 1992. Ai u dërgua në një spital ushtarak në Kroaci dhe më vonë u kthye përsëri në vijën e frontit.
Situata pas luftës në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë tregonte qartë se nuk ishte e largët dita kur edhe në Kosovë do të fillonte lufta. Andaj Bekim Berisha në fillim të marsit të vitit 1998 me një grup shokësh mërgimtarë hyn në mënyrë ilegale në Kosovë, duke u sistemuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Lufta e Kosovës
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Vetëm dy vjet më vonë, Bekimi e zhvendosi vëmendjen e tij drejt ndihmës së fraksionit etnik shqiptar të Kosovës. Shqiptarët e Kosovës filluan të organizohen në aksione ushtarake kundër forcave serbo-jugosllave që ishin vendosur në Kosovë. Bekimi ishte një nga organizatorët kryesorë pas sulmeve të hershme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fillim të vitit 1998, ai hyri ilegalisht nga Shqipëria në Kosovë me disa luftëtarë të tjerë të cilët më pas u vendosën në një qytet të vogël në luginën e Drenicës dhe filluan të organizojnë disa sulme në rajon. Ai ishte konsulenti dhe komandanti kryesor në zonë, duke trajtuar stërvitjen e rekrutëve të rinj.
Në fillim u sistemua në Açarevë të Drenicës. Këtu filloi organizimin dhe përgaditjet e para me ushtarët e rinjë për mësimin e artit ushtarak. Më 22 prill 1998 në Açarevë, Bekim Berisha me luftëtarë të tjerë të UÇK-së ngriti flamurin shqiptar dhe hapi Akademinë Ushtarake. Mirëpo në këtë kohë luftimet në mes të forcave serbe dhe atyre të UÇK-së u ashpërsuan shumë në Zonën Operative të Dukagjinit. Bekim Berisha sëbashku me dëshmorin Bedri Shala shkuan në Gllogjan të Deçanit, duke u bërë kështu krahu i fortë i komandantit Ramush Haradinaj dhe luftëtarëve të Dukagjinit. Këtu Bekim Berisha tregoi shkathtësi në përgaditjen ushtarake të ushtarëve të rinjë, e sidomos edhe në bartjen, sigurimin dhe grumbullimin e armatimit. Luftëtari i UÇK-së Bekim Berisha, në Betejën e Junikut më 29 maj 1998, u angazhua në mbrojtje të kësaj zone, e cila kishte një rëndësi të veçantë strategjike, duke dhënë kontributin maksimal në mbrojtjen e këtij fshati që të mos bie në duar të forcave serbe të cilat e kishin rrethuar me një arsenal të madh ushtarak e njerëzor.
Megjithatë, kishte probleme më të mëdha në pjesën perëndimore të Kosovës (Dukagjinit), rajoni i tij i origjinës ishte nën presion të madh nga policia serbe. Së bashku me shokun e tij të ngushtë Bedri Shala, ata udhëtuan për në Gllogjan, një fshat i vogël vetëm disa minuta larg fshatit të tij të lindjes, Grabocit. Atje, ata u bashkuan me luftëtarë të tjerë të UÇK-së, në mesin e tyre Ramush Haradinaj dhe vëllezërit e tij, dhe e mbrojtën fshatin Gllogjan nga një bastisje e policisë serbe. Gjatë Betejës së Gllogjanit, Bekim Berisha shihej si një nga figurat më të rëndësishme të UÇK-së, ai ishte përgjegjës për logjistikën, komunikimin dhe lëvizjen e luftëtarëve brenda dhe jashtë Gllogjanit.
Komandanti i përgjithshëm i rajonit, Ramush Haradinaj, ka vendosur që Bekim Berishën dhe Bedri Shalën t'i vendosë në qytetin e Junikut. Ky qytet i vogël kishte një rëndësi strategjike si për UÇK-në ashtu edhe për Ushtrinë Jugosllave. Ishte një nga bastionet kryesore të UÇK-së gjatë luftës (kryesisht për shkak të përpjekjeve të Bekim Berishës dhe Bedri Shalës kundër një ushtrie shumë më të pajisur serbo-jugosllave).
Gjatë betejës, ai insistoi në riorganizimin e UÇK-së, ai kërkoi që UÇK-ja të ndërronte strategjinë e saj dhe të fillonte një ofensivë të madhe në vend që të forconte veten brenda qytetit të Junikut. Gjatë majit të vitit 1998, autoritetet e rrethuan Junikun nga të gjitha anët dhe e granatuan vazhdimisht me artileri të rëndë. Gjatë granatimeve të pamëshirshme, më 10 gusht 1998, partneri dhe shoku i tij më i ngushtë, Bedri Shala, plagoset rëndë dhe u kthye në kamp nga vija e frontit. Kur Bekimi mori lajmin se Bedri Shala po vdiste, ai shkoi me disa ushtarë në vijën e frontit dhe ndërmori sulme goditëse kundër automjeteve jugosllave që kishin arritur në pjesën jugore të Junikut.
Sipas ushtarëve të mbijetuar, Bekim Berisha është prekur rëndë nga rënia e Bedri Shalës. Ndryshe nga betejat e tjera, Bekim Berisha nuk mbajti asnjë kontakt radiofonik me komandantin e tij, përkundrazi ai dhe disa ushtarë të tjerë u vendosën në një shtëpi të vogël që ndodhej ndoshta njëqind metra larg pozicioneve serbe dhe u përballën me armikun me zjarr snajperi dhe mortaja.
Vdekja
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas disa orë luftimesh, serbët vendosën të thërrisnin një tank për mbështetje. Sapo mbërriti, ai iu afrua shtëpisë në të cilën ishin ngujuar Bekim Berisha dhe luftëtarët e tjerë të UÇK-së dhe më pas gjuajti një predhë që vazhdoi t'i shkëpuste krahun e djathtë Bekim Berishës nga trupi, duke e plagosur për vdekje.
Elton Zherka, Përmet Vula dhe Bashkim Lekaj ranë në të njëjtin vend, Bekim Berisha i plagosur u kthye në shtabin e improvizuar të UÇK-së në qendër të Junikut dhe ndërroi jetë në të njëjtën ditë me shokun e tij Bedri Shala. Vetëm disa ditë pas vdekjes së tij, Juniku ra në duart e forcave serbe.
Ishte kjo dita e 10 gushtit 1998 kur ra dëshmorë Bekim Berisha, duke hyrë në përjetësinë e luftës për çlirim të Kosovës nga forcat serbe.
Për meritat dhe heroizmin e Bekim Berishës në luftë kundër regjimit të egër serb që sundoi gati një shekull në Kosovë, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së pas përfundimit të luftës, e gradoi me gradën "Gjeneral-Major". Trupi i dëshmorit Bekim Berisha në fillim u varros në Junik. Më vonë u bë rivarrimi në vendlindje dhe aty iu ngrit lapidari që shëndrit nure dhe është udhërrëfim për brezat e ardhshëm.
Trashëgimia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Edhe pse historianët mendojnë se domeni i fushëveprimtarisë së individit e ngushton fushën e interesimit të historianit, figurat markante siç është figura e Bekim Berishes, është përgjegjësi e madhe për çdo pendë historike që do të merret me këtë figurë.
Sipas dëshmitarëve, Presidenti kroat Franjo Tugjman thuhet se mbajti zi për humbjen e Bekim Berishës, duke pretenduar se ai ishte "një ushtri e vetme, me të cilën Kroacia dhe Kosova do të ishin krenar përjetësisht".
Ish-Gjenerali i tij në Kroaci, Janko Bobetko gjithashtu qau duke folur për Bekim Berishën gjatë një dokumentari për jetën e Bekimit. Duke pretenduar se ai ishte "një nga burrat dhe ushtarët më të mirë me të cilët ka marrë ndonjëherë kontakt". "Bekimi ishte me të vërtetë unik, nuk mendoj se dikush në Kroaci dhe as në Kosovë e dinte vërtet vlerën që ai kishte për luftën e pavarësisë kundër Serbisë. Duhet të jeni krenar që ai ishte anëtar i kombit tuaj".
Disa rrugë, shkolla dhe institucione të tjera mbajnë emrin e tij sot në Kosovë. Në gusht të vitit 2010, Bekim Berisha u shpall Hero i Kosovës.
Ivica Panxha, një kolonel në pension i Ushtrisë Kroate, i cili kishte shërbyer me Bekim Berishën, filloi hetimin e trashëgimisë së Bekim Berishës në vitin 2007. Ai gjurmoi dokumentet e humbura të Berishës në Komarevo që çuan në gjetjen e "Medaljes Memoriale të Luftës së Atdheut të Berishës" në arkivat e Ministrisë së Mbrojtjes. Në vitin 2013, Bekim Berisha u dekorua me "Urdhërin e Kryqit Kroat".
Emri i Bekim Berishës është brum historik për brezat e ardhshëm, është emër veprat e të cilit do të jetojnë përgjithmonë. Është emër që përbën figurën më të pastër dhe më të pasur atdhetare, figurë e cila shkëlqen në lartësinë dhe madhështinë kombëtare, në vetëqënien dhe ardhmërinë mbarëkombëtare.