Jump to content

Sait Bilal Golemi

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Bilal golemi)

Bilal Golemi (Golem, 1899 – Stamboll, 15 mars 1955) ka qenë doktor i shkencave të veterinarisë, shqiptar nga Shqipëria.

Mjek veterinar, mikrobiolog i shquar në fushën veterinare e mjekësore, patriot atdhetar e demokrat përparimtar. U largua nga Golemi kur ishte 7 vjeç, duke shkuar pas të atit në Stamboll. Kreu shkelqyeshëm studimet e larta në mjekësinë veterinare. U specializua për mikrobiologji në institutin «Pasteur» në Paris. Punoi si asistent e më pas si bashkëpunëtor i dy shkencëtarëve francezë me famë botërore, Ramon e Dyma, ku shpalosi talentin e tij duke marrë gradën Doktor i Shkencave në moshen 27-vjeçare. Për talentin dhe famën që fitoi, Instituti e ftoi të punojë aty, por ai bashkë me të shoqen dhe vajzën më 1928 kthehet në Atdhe më ëndrrën dhe dëshirën për t’i sherbyer popullit të tij. Me emrin dhe veprën e tij janë të lidhur ngritja dhe organizimi i shërbimit të veterinarisë, themelimi i të parit laborator bakteriologjik të veterinarisë, importimi i racave të kafshëve, ngritja e të parave stacione shkencore të përmirësimit racor si në Selenicë e Rozafaj. Prodhimi për herë të parë në vend i vaksinave kundër disa sëmundjeve të bagëtive, përgatitja e kuadrove të para veterinare, ndihmoi në organizimin e zhvillimin e shkollave të para bujqësore në Tiranë, Kavajë e Lushnjë. Ndërkohë ai është një martir i shkencës, që për hir të saj e ktheu trupin e tij në laborator studimi e vëzhgimi; duke iu infektuar rëndë, kjo i kushtoi me jetën e tij. Ai ishte sa shkencëtar aq edhe njeri i thjeshtë, i dashur, patriot demokrat e përparimtar që gëzonte simpati e dashuri të jashtëzakonshme nga njerëzit brenda e jashtë vendit.

Dr. Bilali nuk u pajtua me shtypjen dhe shfrytëzimin e egër, me prapambetjen e theksuar dhe varfërinë e madhe, prandaj u pozicionua përkrah forcave demokratike përparimtare dhe mori pjesë në lëvizjen e Vlorës që drejtohej kundër regjimit obskurantist të A. Zogut. Për këtë regjimi monarkist e burgosi më 1932 dhe e dënoi me 101 vjet burg. Mbajti një qëndrim burrëror e dinjitoz para gjyqit ku demaskoi ashpër regjimin e kalbur. Nën presionin e vijueshëm të protestave brenda dhe jashtë vendit, më 13 shkurt 1935 u lirua nga burgu, por shkencëtarit me përmasa evropiane iu mohua e drejta e punës dhe e jetesës ne Shqipëri nga regjimi zogist. I deshpëruar ne kulm, detyrohet të shkojë në Turqi ku e prisnin me padurim institucionet shkencore.

Me 1952 emërohet sekretar i përgjithshëm i institutit qendror veterinar në Ankara, po këtë vit zgjidhet ekspert i Organizatës Ndërkombetare të Shëndetësise. Studimet e tij patën jehonë të madhe në Evropë e botë. Më 1952 për studimet e tij shkencore në mikrobiologjinë veterinare qeveria franceze e deklaroi me medaljen «Légion d’honneur – Mérite agricole». Kreu mbi 50 studime e kërkime shkencore, mori pjesë në studime e ekspozita ndërkombëtare, bashkëpunoi me shumë institute nga të gjitha anët e botës duke u bërë kështu një figurë e shquar në forumet ndërkombëtare të shëndetësisë.

Dr. Bilal Golemi, përveç se hodhi bazat e zooteknisë si shkencë, themeloi shërbimin veterinar, ngriti laboratorin bakteriologjik veterinar dhe prodhoi per herë të parë në Shqipëri vaksina, serume dhe biopreparate të tjera. Ai ka meritën e hartimit të shumë ligjeve të kësaj fushe, organizimin e konkurseve dhe ekspozitave blegtorale dhe organizimin per herë të parë në Shqipëri të garave të hipizmit.

Ai u bë nismëtari i themelimit të shoqatës për mbrojtjen e kafshëve me kryetar Mit’hat Frashërin, një gjë kjo e çuditshme dhe e parakohshme për Shqipërinë e asaj kohe. Dr. B. Golemi ka hedhur bazat e shkencës së mikrobiologjisë shqiptare në përgjithësi. Ishte nisma e tij që laboratori bakteriologjik human, që deri atëherë ishte në Durrës, të transferohet në Tiranë dhe e vuri atë mbi baza të mirëfillta shkencore, e pajisi me mjete e aksesorët e nevojshëm, duke futur metoda të reja në diagnostikimin e sëmundjeve. Ishte Dr. B. Golemi dhe Dr. Bajram Emiri që diagnostikuan për herë të parë në Shqipëri sëmundjen e leishmanjozës në disa fëmijë të Tiranës.

Dr. Bilali ishte një liberal demokrat. Ai mori pjesë aktivisht në revolucionin demokratik turk të udhëhequr nga M. Q. Ataturku, gjë për të cilën është dekoruar nga qeveria turke me medaljen e pavarësisë. Duke qënë i tillë ai ishte edhe kundër monarkisë që u vendos në Shqipëri në vitin 1928 dhe për këtë arsye ai u përfshi në lëvizien antizogiste të Vlorës të vitit 1932.

I përzënë nga atdheu i tij, të cilit deshi t’i shërbente me gjithë shpirt, ai u vendos përfundimisht në Turqi. Këtu ai në fakt nuk ka punuar në sistemin e veterinarisë por në atë të shëndetësisë dhe pikërisht në Institutin Qëndror të Higjenës «R. S. Hıfzıssıhha» në Ankara ku pati edhe postin e zv/drejtorit dhe më vonë të sekretarit shkencor të këtij instituti. Në Turqi, Dr. Bilali kreu shumë studime të rëndësishme, kryesisht në fushën e zoonozave (sëmundjet që prekin kafshët dhe njerzit) të cilat u botuan në rreth 10 organe shkencore të institucioneve shkencore më prestigjioze të Evropës dhe në rreth 15 organe të tilla në Republikën e Turqisë, duke u bërë kështu shkencëtari shqiptar më i botuar në Evropë.

Në Turqi, ai u angazhua me prodhimin e vaksinës së difterisë së fëmijëve, me prodhimin e serumit kundër tetanozit dhe studioi në shkallën më të plotë sëmundjet e brucelozës, etheve Q, aujeskut dhe tularemisë prej së cilës edhe u infektua. Në katër vitet e fundit të jetës së tij ai punoi si drejtor i prodhimit të vaksinës kundër tuberkulozit të fëmijëve (BCG).

Me 15 mars te vitit 1955 pushoi zemra e këtij shkencëtari të shquar e atdhetari të madh në moshën më të pjekur e më produktive. Në krye të varrit të tij në Stinje ne Stamboll është gdhendur me mjështëri një libër i madh, ndërsa në faqet e hapura të librit të gurtë është skalitur në bazoreliev një mikroskop. Në nderim të veprës së tij Institutit të Studimeve Veterinare të Shqipërisëe iu dha emri «Instituti Dr. Bilal Golemi».

Tituj të veprave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • «Légion d’honneur – Mérite agricole» – medalje e qeverisë franceze dhënë më 1952 për studimet shkencore
  • «Instituti Dr. Bilal Golemi» – Institutit i studimeve veterinare të Shqipërisë

Kushtuar jetës dhe veprës së këtij shkencëtari dhe patrioti janë janë botuar monografia «Dr. Bilal Golemi» prej Dr. Vasfi Samimit e Dr. Hulo Hajdërit dhe libri «Një jetë për shkencë e atdhe – Dr. Bilal Golemi» me autor Manxhar Taka.