Rozafa

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Legjenda e Rozafës - piktura murale

Legjenda e Rozafës është një legjendë e përcjellur brez pas brezi. Ajo është trashëguar dhe përshtatur më së miri nga penda e prozatorit të njohur Mitrush Kuteli për të gjithë lexuesit në librin (Tregime të Moçme Shqiptare).

Historia e kalasë Rozafa[redakto | redakto tekstin burimor]

"Krenare ngrihet mbi Bunën e gjanë e mbi qytetin e Shkodrës kalaja e lashtë e Rozafatit. Kur është hellur guri i parë në themelet e kësaj kështjelle nuk dihet?. Historia e sajë tretet në mjegullën e lashtësisë ilire, dhe banorëve të moçëm të kësaj mange. Një gja dihet mirë e kjartë: atë e kanë pasë dikur Labeatët e mandej Ardianët, që ishin fise të forta ilire.

Në atë kohë i gjithë bregu i këtejshëm i Adriatikut, deri në Tergestën e bujshme jase Triestën e ditëve tona, ishte breg ilir. Ma vonë, u derdhën këndej Romakët, ma vonë Sllavët, Normanët, Venedikët, Turqit e shumë popuj të tjerë të huej. Gjatë shekujve ata krepat e thatë nën muret e Rozafatit, si edhe vetë muret e kështjellës, janë lagë me përrej gjaku të atyre që e kanë sulmue dhe të atyre që e kanë mbrojtë. Të huejt erdhën e shkuen, kurse populli ynë mbeti i ngulun në këtë tokë ilire. Ndërtimi i kështjellës së Rozafatit ka një gojëdhanë të bukur e të hidhun që na ka ardhë nga lashtësia jonë.

Ç'farë thotë gojëdhana.

"... I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tanë. Tri ditë e tri netë kjo mjegull mbeti aty. Mbas tri ditësh e tri netësh një erë e hollë fryu dhe iku mjegullën. E iku (naltoi) dhe e dërgoi (shpuni) deri në kodrën e Valdanuzit. Aty në maje të kodërs tre vllazën punojshin. Ndërtojshin një kështjellë. Po, murin që ndërtonin (naltoshin) ditën u prishej natën, e kësisoj muri nuk ndërtohrj dot. Na kalon aty një plak i mirë. - Puna e mbarë, o tre vllazën. - Të mbarë paç, o plak i mirë. Po ku e shefë ti të mbarën tonë? Ditën punojmë, natën na shëmbet. A din me na diftue ndoj fjalë të mirë, çka të bajmë që t'i mbajmë muret më kambë? - Unë di, ju thotë plaku, por kam frigë me jua thanë se është mëkat. Atë mëkat hidhe mbi kokat (krytin) tona, se na duem të ndrtojmë një kështjellë. Plaku i mirë mëndohet e pyet; - A jeni të martuem, trima? A i keni ju të tri nuset (varzat) e jueja? - Po të martuem jemi - i thonë ata. - Edhe të tre i kemi nuset tona. Na thuej pra ç'farë të bajmë që të qëndrojnë k'jo kështjellë e paprishur?

- Në daçi me qëndrue, lidhuni me besa-besë dhe nuseve mosë ju tregoni (diftoni), në shtëpi mosë kuvëndoni për fjalët që do t'ju thom unë. Njëra prej tri nuseve që do të vijë nesër me ju sjellë (pru) bukë, ta merrni e ta murosni të gjallë në murë të kështjellës. Atëhere keni me pa se muri ka me nzanë vënd e me qëndrue për jetë e motë. Plaku kështu tha dhe shkoi: Tani (njitash) u pa dhe u zhduk. Medet! Vëllai i madh e shkeli besën e fjalën. Kuvëndoi në shtëpi, i tregoi nuses së vet kështu e kështu, i tha të mos vinte atje të nesërmen. Edhe i dyti e shkeli besën dhe fjalën; ia tregoi të gjitha (tana) nuses së vetë. Vetëm i vogli e mbajti besën dhe fjalën e dhënë: nuk kuvëndoi asgja në shtëpi, nuk i tregoi nuses së vetë. Në mëngjes (nadje), të tre ngrihen shpejt e shkojnë në punë. Çekanët dhe varreja kerciste me të madhe, gurët copëtohen, zëmrat rrahin, muret naltohen.


Në shtëpi, nana e djemve s'din gja, ajo po i thotë nuses së madhe; - Mojë nuse e madhe, mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me verë. Dhe nusja e madhe ia kthen: - Besa, nanë, sot s'mundem të shkoj se jamë e sëmurë. Kthehet i thotë të dytës: - Mojë nuse e mesme, mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me verë. - Besa, nanë, sot nuk mundem të shkoj, se kam me shkue te vllezërit e mij për me fjetë (bujtë). Nana e djemve i kthehet nuses së vogëël: - Moj nuse e vogël... Nusja e vogël çohet në kambë: - Urdhëro, nanë! - Mjeshtrit duen bukë e ujë; duen kungullin me verë. - Besa nanë, unë po shkoj, po e kam djalin të vogël. Drue se donë gji me pi e kjan. - Nisu, shko, se djalin ta shikjojmë ne, s'ta lamë me kja - i thonë kunatat. Ngrihet e vogla, e mira, merr bukë e ujë, merr kungullin me verë, e puth djalin në të dy faqet, niset e bjen në Kazenë, aty ngjit kodrën e Valdanuzit, i afrohet vëndit tek punojnë të tre vllezërit (të dy kunetrit dhe i shoqi). - Puna mbarë, o mjeshtër; - Të mbar paç. Po ç'asht njikështu? Çekanët ndalen, po zemrat rrahin fort e fort. Fëtyra i zbehet, kur e shefë i vogli të shoqen, hedh çekiçin prej dore, mallkon gurin e murin. E shoqja i thotë: - Ç'ke ti, o im zot? Pse mallkon gurin e murin? Hidhet kunati i madh: - Ti paske lindë në ditë të zezë, mojë kunata jonë. Na e kemi ba me fjalë me të murue të gjallë në mur të kështjellës.

- Shëndosh ju, o kunetër, vetëm unë do t'ju la një porosi; - Kur t'më muroni në mur, synin e djathtë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, kambën e djathtë të ma lini jashtë, gjinin e djathtë të ma lini jashtë. Se djalin e kam të vogël. Kur të nisë të qajë (kjajë); - me njërin sy do ta shikjoj, me njërën dorë do ta ledhatoj, me njërën kambë do ti lëkund (tund) djepin, e me njërin gji do ti japë me pi. Gjiri im u nguroftë, kështjella juaj përjet qëndroftë, djali i jem u trimnoftë, u baftë mbret dhe mbretnoftë!

Ata e marrin nusen e vogël dhe e murojnë në themel të kështjellës. Muret ngrihen, naltohen dhe nuk shemben ma si ma parë. Po rranxë tyne gurët janë edhe sot të lagun e të myshkun, sepse vahdojnë me pikue lotët e nanës për të birin e sajë... I biri u rrit, luftoi dhe trimëroi.