Jump to content

Dukla

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Stema e Dukles

Dukla (malazisht dhe serbokroatisht: Дукља Duklja) është një krahinë në Malin e Zi emri rrjedh nga emri i fisit ilir Dokleat që jetonte në këtë zonë, përkatësisht në Malin e Zi të sotëm.

Gjatë dyndjeve sllave këtu vinë një numër fare i vogël sllavësh dhe në përgjithësi popullata mbetet iliro-arbëreshe. Pjesa jugore e Duklës që përfshinte edhe Malësinë, quhej Genta, kurse pjesa veri-perëndimore quhej Anamali (Podgorje, Submontana). Kronikat e vjetra serbe që përshkruajnë ekspansionin e shtetit serb të Rashës në Kosovë e në Diokle (Gentë) në shek. XII, bëjnë të njohur se serbët gjetën në ato treva një popullsi që ato e quajnë të huaj (barbare), ndërkohë që burime të tjera qoftë serbe, raguzane ose perëndimore, flasin në mënyrë më eksplicite për shqiptarë (Arbanasi, Arbanenses) në ato treva.

Në Diokle, krahas popullsive shqiptare edhe atyre sllave, në disa nga qytetet e bregdetit mbijetonin edhe grupe të vogla popullsish të romanizuara, të përmendura edhe nga historiani-perandor Konstandin Porfirogjeneti (shek. X). Për rrjedhojë, në shek. XIV Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend "me popuj e fe të ndryshme". Gjithsesi, gjatë gjithë mesjetës krahina e bashkësi të tëra, si Kuçi, Markajt (Markoviçët), Pastroviçët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviçët) etj., njihen si shqiptare. (1)

Në përgjithësi Dukla banohej nga arbëreshë dhe vllehë, që të dy racë ilire, dhe një pakicë fare e vogël sllavësh. Duklanët ishin katolikë. Pos kësaj kishte edhe bogumilë (pakica sllave), dhe paganë (në viset më të izoluara), por këto fe filluan të zhduken nën shtypjen e kishës katolike. Konvertimi në ortodoksë filloi vetëm pasi ra nga pushteti dinastia arbëreshe Vojisllav, në shek. 12.

Se këto vise banoheshin nga shqiptarë, sidomos nëpër zonat malore na flet edhe një dokument raguzan i viti 1284 ku thuhet: "Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën arbërishte" (Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca).