Dyert e Mëdha
Dyert e Mëdha Shqiptare jan gjithashtu e njohur si Oxhaqet e Mëdhenj Shqiptarë.
Sfondi historik
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dyert e Mëdha Shqiptare ose Oxhaqet e Mëdhenj Shqiptarë, i korrespondojnë një kategorie të caktuar të shtresës së elitave tradicionale shqiptare të formësuara përgjatë historisë osmane shqiptare dhe më konkretisht, shtresës së feudalëve të mëdhenj shqiptarë, të cilët qenë njëherësh prijësit politikë të qeverisjes lokale dhe administratorë pasurish të patundshme.
Titujt distinktivë që mbaheshin nga anëtarët e këtyre familjeve, zakonisht Pasha ose Bej, korrespondonin me poste të catuara në administratën e Perandorisë Osmane, qendrore apo lokale, tituj të cilët u akordoheshin nominalisht së bashku me postin përkatës personave të caktuar nëpërmjet një Fermani ose Berati (Dekrete), lëshuar prej autoritetit sullanor të Perandorisë Osmane.
Në rastin kur nga e njëjta derë emëroheshin më shumë se një ose dy titullarë dhe ofiqarë të lartë lokalë ose qendrorë, zakonisht sanxhakbej, vali apo vezirë, dera niste të njihej si familje bejlerësh dhe pjesëtarët e këtyre familjeve identifikoheshin me titullin Bej ose Pasha. Këta tituj, fillimisht vetëm nominalë, në kushtet tejet specifike të trevave shqiptare nën autoritetin osman, gjatë periudhës së fundit të historisë osmane shqiptare, nisën të trashëgohen edhe në rast të mungesës së Fermanit apo Beratit nominal.
Pas reformave të Tanzimatit, kur administrata qendrore osmane vendosi t'i reformojë kushtet e bartjes të titujve të fisnikërisë, duke e demokratizuar shpërndarjen e tyre ndër gjithë ofiqarët dhe burokratët e perandorisë, titujt Bej dhe Pasha sigurisht që pësuan një inflacion të rëndësishëm, duke krijuar kështu konfuzion midis bartësve të tyre aristokratë tradicionalë dhe zyrtarëve të rinj pa prejadhje domosdoshmërisht fisnike.
Në vazhdën e këtij konfuzioni vijon të spikasë, në një masë të caktuar, edhe konfuzioni i sotëm lidhur me këta tituj dhe emërtimet e entiteve sociale, të cilat identifikoheshin tradicionalisht me ta në trevat shqiptare. Pjesë e këtij konfuzioni është edhe ai i cili ka nisur të haset shpesh në hapësirën shqiptare, në të cilën familjet me tradita patriotike të caktuara kanë nisur të emërtohen Familje ose Dyer të Mëdha.
Nuk ka asgjë të keqe që familje të caktuara të traditës patriotike shqiptare të krijojnë një emërtim specik i cili të përmbledhë kontributin e tyre historik nën një emërtim të caktuar, për sa kohë që ky emërtim nuk krijon konfuzion duke mos u specifikuar si i ndryshëm me atë të Familjeve Tradicionale Feudale Shqiptare, të cilat shkenca e historisë i njeh nën emërtimin Oxhaqe ose Dyer të Mëdha Shqiptare.
Për të ndihmuar lexuesin dhe amatorin shqipfolës të historisë për t'u orientuar sa më qartë në këtë terren konfuz të krijuar nga përshtjellimet terminologjike të krijuara kohët e fundit, lista e mëposhtme e Familjeve të Mëdha Feudale Tradicionale Shqiptare, përbën një listë të mirënjohur dhe verifikuar prej disa burimesh shkencore. Për fat të keq, kjo listë nuk mundet të jetë krejtësisht e plotë pikërisht sepse gjurmët e disa prej këtyre familjeve, sidomos ato të kohëve më të hershme, nuk janë ruajtuar mirë nga historia e trazuar shqiptare e shekullit XX. Sidoqoftë, hulumtimet e mëtejshme premtojnë të nxjerrin në pah më qartë identitetin dhe rolin e këtyre familjeve në historinë e trevave shqiptare.
Keqtrajtimet dhe keqkuptimet historike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Historia osmane shqiptare njihet përgjithësisht pak dhe keq prej publikut të gjerë. Një pjesë e mirë e familjeve të mëdha feudale tradicionale, e sidomos ato që mundën t'i mbijetojnë me gjatë historisë duke iu impozuar skenës politike shqiptare deri në mes të shekullit të XX, janë keqtrajtuar prej shkollës së historiografisë marksiste të sistemit diktatorial shqiptar prej 50 vitesh. Rrjedhimisht, roli i tyre historik është përshkruar në trajta legjendare tejet negative, trajta të cilat mbijetojnë edhe sot në segmente të caktuara të imagjinarit kolektiv.
Pas rënies së regjimit diktatorial, terreni i legjendës negative rreth rolit të këtyre familjeve, qoftë në historinë osmane shqiptare e qoftë në atë moderne shqiptare, është përshtjelluar ende më rëndë për shkak të ndërhyrjeve dhe trajtimeve të pakualifikuara që individë të caktuar, qoftë edhe qëllimmirë, janë munduar t'i bëjnë rolit të këtyre familjeve për t'i rehabilituar në sytë e opinionit publik në emër të së vërtetës së shtrembëruar.
Sidoqoftë, historia është një shkencë e mirëfilltë. Si e tillë, edhe ndërhyrjet qëllimmira të individëve të caktuar në kërkim të rehabilitimit të emrit dhe dinjitetit familjar apo personal, në rast se mbeten të pakualifikuara, krijojnë efektin e kundërt ndaj atij që dëshirohet. Ato i bashkëngjiten kështu banalizimit të historisë së shqiptarëve, gjendje prej të cilës e gjithë shkenca e historisë shqiptare mëton ta tejkalojë me shumë mundim.
Lista e dyerve feudale shqiptare
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Asllan Pashallinjtë e Janinës
- Begollët e Shkodrës dhe Pejës
- Vlorat e Vlorës
- Kaloshet e Dibres
- Dema e Dibres
- Hoxhollët e Dibrës
- Bargjinasit e Tiranës
- Vrionasit e Beratit dhe Fierit
- Toptanasit e Krujës dhe Tiranës
- Biçakçinjtë e Elbasanit
- Zogollët e Matit
- Bonotët e Peqinit
- Çokët e Ohrit
- Vërlacët e Elbasanit
- Bushatllinjtë e Shkodrës
- Dinot e Prevezës
- Kryezinjtë e Gjakovës
- Këlcyrajt e Këlcyrës
- Dragajt e Mitrovicës*Pervizio
- Alltunët e Kavajës
- Markagjonët e Mirditës
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- 1. Vepra IX: Personalitetet Shqiptare në Kâmûs al-A’alâm, Sami Bej Frashëri, Logos-A, Shkup, 1994
- 2. Kujtime: 1885-1925, Eqrem Bej Vlora, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Tiranë, 2003