Engjëll Sedaj
Engjëll Sedaj (Kabash, 14 korrik 1943 - Prishtinë 3 qershor 2006) ka qenë filolog dhe latinist shqiptar nga Kosova.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Kabash të Vitisë, i biri i Jakut dhe Magdalenës, me prejardhje nga Stublla e Eperme e Malësisë së Karadakut. Pas mbarimit të shkollës fillore në Kabash dhe Viti, ndoqi mësimet në gjimnazin klasik në Pazin të Kroacisë, të cilin e përfundoi në vitin 1962. Studioi filozofi në Fakultetin Teologjik në Zagreb, Kroaci (5 semestra) dhe filologjinë klasike në Fakultetin Filozofik në Shkup, ku u diplomua ne vitin 1971. Studimet pasuniversitare i ndoqi në Degën e Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku në vitin 1980 mbrojti tezën e doktoraturës me temë "Homeri tek shqiptarët".
Disa herë qëndroi në Romë dhe në universitete të tjera të Italisë për kërkime shkencore, por edhe për të ndjekur ligjërata mbi latinishten mesjetare të prof. Renzo Avesani.
Karriera shkencore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Karrierën e tij si mësimdhënës e filloi në vitin 1968 në Gjimnazin e Ferizajt, kurse nga viti 1971 punoi pa ndërprerje në Fakultetin Filozofik (Filologjik) të Universitetit të Prishtinës. Ishte profesor ordinar i Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës në lëndën Gjuha latine. Një vit akademik ka mbajtur mësim edhe në Universitetin e Tetovës, kurse ligjërata të veçanta ka mbajtur edhe në Beograd, Tiranë, Kozencë etj. Ndërkaq, me kumtesa e kontribute të tjera është paraqitur në më shumë se 50 mbledhje dhe konferenca shkencore në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Duke filluar nga viti 1974 e deri ne fund te viteve '80 ka marre pjese rregullisht ne te gjitha kongreset e filologeve klasike te Ish-Jugosllavisë (gjithsej pese).
Është autor i shumë studimeve për kulturën, letërsinë dhe gjuhësinë shqiptare. Shkrimet e para i botoi në vitin 1970-1971 dhe që nga ajo kohë, vazhdimisht ishte i pranishëm në organet tona shkencore e letrare, duke trajtuar tema pak të njohura ose edhe të trajtuara nga e kaluara kulturore, e sidomos tema historiko-letrare dhe gjuhësore shqiptare dhe antike greko-romake. Botoi dhjetëra punime në revistën "Viva antika" (Antika e gjalle) (organ i Shoqatës së filologëve klasikë të ish-Jugosllavisë), me anë të të cilave dëshmoi formimin e tij shkencor si filolog klasik dhe ndihmoi në ndriçimin e atyre vlerave shpirtërore e kulturore shqiptare, të cilat konfirmojnë lidhjet e ngushta historiko-kulturore të Shqipërisë me Evropën dhe përkatësinë evropiane të shqiptarëve si komb.
Është marrë aktivisht me letërsinë antike greke dhe romake, duke përkthyer në shqip autorët fondamentale: Aristotelin, Virgjilin, Horacin, etj.
Kryeredaktor i revistës shkencore "Dardania Sacra".
Veprimtaria politike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Prof. Sedaj është marrë edhe me veprimtari politike, duke qënë një ndër themeluesit e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK).
Vepra
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Etnokultura në Peshojë (2001), Ndërmarrja Botuese "Gjon Buzuku"
- Bibla & Përkthimet e saj në gjuhën shqipe, (1999), Prishtinë
- Papa shqiptar Klementi XI-Albani & Kuvendi i Arbenit, (1998), Ndërmarrja Botuese "Gjon Buzuku"