Jump to content

Nonda Bulka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Epaminonda Bulka)

Nonda Bulka (Leusë, 1906 - Tiranë, 14 nëntor 1972) ka qenë publicist, shkrimtar e përkthyes shqiptar.

Lindi në fshatin Leusë pranë Përmetit. Studimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Liceun frëngKorçës deri më 1929 kur e përfundoi. Vijoi shkollimin e lartë në Francë për drejtësi, me anë të një burse shtetërore. Pas kthimit në atdhe punoi si mësues në Korçë, Elbasan dhe Tiranë;[1] shumë shpejt do të shfaqte prirje për letërsi e gazetari.[2]

Bulka bëri emër si publicist e satirik duke trajtuat tema të ndryshme shoqërore, kurse më pas si tregimtar e poet. Sprovat me humor e ironi si dhe skicat në prozë, të botuara me pseudonimin Chri-Chri, u bënë të njohura për kritikën therëse ndaj kushteve politike e shoqërore nën qeverisjen e Mbretit Zog. Në artikullin e shkurtër "Horizonte të reja për letërsinë kombëtare", të botuar më 1932 në të përmuajshmen e Tiranës "Minerva", ai mundohej të bindë lexuesin se, ndonëse letërsia klasike kishte vendin e vet të paprekshëm në kulturë, në letërsinë e shekullit të njëzetë ndihej nevoja për diçka të re, që do të pasqyronte njeriun bashkëkohës dhe aspiratat e tij.[2]

Së bashku me Migjenin dhe Petro Markon i dha tonin letërsisë së angazhuar në Shqipëri në vitet tridhjetë. Skicat e tij të shkurtëra u botuan fillimisht në vëllimin "Kur qan e qesh bilbili", Korçë 1934, dhe pas lufte Bulka u ngrit lart nga kritikë marksistë. Ndër botimet e tij pas luftës, nga viti 1950 e derisa vdiq, la tregime të shkurtra deri në njëzet faqe dhe poezi, por zemërata e zjarrtë e Chri-Chrisë, që pati shfaqur në moshën e rinisë, nuk vërehet më, pasi kushtet e mungesës së lirisë së shprehjes nën regjimin socialist nuk lejonin më kritikë sociale. Një përmbledhje me krijime të tij është përkthyer gjithashtu në anglisht me titullin "Sketches and short stories", Tiranë 1984.[2]

Akuzë për përvetësim të pronës intelektuale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 2016 përkthyesja Klio Evangjeli pohoi se vepra Evgjeni Grande e Balzakut, e përkthyer prej saj dhe e dorëzuar te shtëpia botuese "Naim Frashëri" në shkrivaninë e drejtorit Sotir Caci, u botua sikur ishte përkthyer nga Nonda Bulka.[3]

  • Kur qan e qesh bilbili, 1934;
  • Skica dhe tregime, 1950.
  • Ne driten e yllit, 1952;
  • Bij te shkrepit, 1963;
  • Fabula, 1965;
  • Legenda e nje fisi, 1966.
  1. ^ Gazetare dhe publiciste shqiptare. Fjalor enciklopedik, red. Sejdin Cekani, Tirana 2005, ISBN 99943-678-5-4
  2. ^ a b c Robert Elsie (1997). Histori e Letërsisë Shqiptare (PDF). Përkthyer nga Abdurrahim Myftiu. Pejë: Dukagjini.
  3. ^ Klio Evangjeli (10 maj 2016). "Si ma vodhën Balzakun Sotir Caci dhe Nonda Bulka". panorama.com.al. Panorama. Marrë më 28 shkurt 2020.