Jump to content

Sotir Caci

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sotir Caci (Borovë, 1917 - Tiranë, 1983) ishte arsimtar, poet dhe përkthyes shqiptar.

Lindi në BorovëKolonjës. Shkollën fillore e kreu në Ersekë, mësimet e mesme i kreu në “Normalen” e Elbasanit ku kishte si pedagog Aleksandër Xhuvanin. Më pas punoi si mësues në disa fshatra. Ndërkohë nisi të shkruante poezi, të cilat u botuan në shtypin e kohës si “Iliria”, “Java”, “Rilindja”. Poezitë e tij u botuan në të parën antologji të letrarëve të rinj, të asaj kohe, se bashku me Migjenin, Petro Markon, Dhimitër Shuteriqin, etj. Po atë kohë filloi të përkthente prozë e poezi franceze. Vepra e parë e rëndësishme ishte “Ura e psherëtimave” e Mishel Xevakos.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore humbet dy prindët në ngjarjet e masakrës së Borovës dhe i prekur nga kjo ngjarje shkruan poemën “Borova”, një nga krijimet më të mira të tij, e cila më vonë u muzikua nga Kristo Kono. Punoi në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, në kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe shef redaksie në entin botues “Naim Frashëri”. U nda nga jeta në moshën 66-vjeçare në vitin 1983, duke lënë pas mijëra faqe përkthime.

Vendin parësor në shqipërimet e Sotir Cacit e ka letërsia franceze, letërsia, që ai kishte më për zemër dhe që e shoqëroi tërë jetën. Falë kësaj lidhjeje të gjithanshme lindën shqipërimet e tij madhore, disa nga kryeveprat e kësaj letërsie, si komeditë më të spikatura të Molierit, romanet e njohura të Balzakut (“Kushëriri Pons”, “Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve” etj.), romani “Manastiri i Parmës” i Stendalit, tregime dhe novela të A. Dodesë, “Fëmija” e Zh. Valesë, deri dhe vepra të autorëve bashkëkohorë francezë, si romani “Familjet e mëdha” e M. Drionit dhe “Misteri i gjarprit me pendë” i R. Dyshato. Nga ana tjetër, fondi i shqipërimeve të Sotir Cacit nuk mund të kuptohet pa përkthimin e dy epopeve të letërsisë ruse, siç janë “Lufta dhe paqja” e L. Tolstoit dhe “Doni i qetë” i M. Shollohovit apo novelat e A. Çehovit, romani “Nëna” i M. Gorkit dhe “Garda e re” e A. Fadejevit etj. Gjithashtu, ai ka dhënë në gjuhën shqipe romane nga letërsia italiane, si romanet “Skënderbeu” i A. Xonkadës dhe “Çoçarja” i A. Moravias[1].

Përvetësim i pronës intelektuale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 2016 përkthyesja Klio Evangjeli pohoi se veprën "Evgjeni Grande" të Balzakut, të përkthyer prej saj dhe të dorëzuar tek shtëpia botuese "Naim Frashëri" tek shkrivania e drejtorit Sotir Caci, qe botuar sikur ishte përkthyer nga Nonda Bulka[2].

  1. ^ Jorgaqi N., Shqipëruesi - poet Sotir Caci: në 25 vjetorin e ndarjes nga jeta, Metropol. - Nr. 1356, 26 mars, 2008, f. 20.
  2. ^ K. Evangjeli, Si ma vodhën Balzakun Sotir Caci dhe Nonda Bulka, Panorama, 10 maj 2016.