Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës
Lloji | Fakultet i Universitetit Publik Nivele studimi: Bachelor, Master, Doktoraturë |
---|---|
Themelimi | 1954 |
Dekani | Prof. Dr. Artan Hoxha[1] |
Studentë | 5,000 |
Kampusi | Tirana |
Faqja zyrtare | www.fdut.edu.al |
Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës është një nga gjashtë fakultetet e Universitetit të Tiranës. Duke qënë një nga Fakultetet e Drejtësisë më me emër në vend, dhe një nga institucionet më të vjetra të edukimit të lartë në Shqipëri, Fakulteti i Drejtësisë ofron edukimin juridik dhe trajnimin e avokatëve në të tre nivelet e mësimdhënies: Bachelor, Master dhe Doktoraturë.
Historiku
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fakulteti i Drejtësisë është themeluar në vitin 1954, me emrin Instituti i Lartë Juridik.[3] Pas krijimit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, Instituti i Lartë Juridik u përfshi në këtë Universitet, si një nga të shtatë fakultetet, me emrin "Fakulteti i Drejtësisë". Në vitin 1965, fakulteti u riorganizua dhe u quajt “Fakulteti i Shkencave Politike dhe Juridike”, ku u përfshinë dega e Shkencave Politike dhe ajo e Drejtësisë. Këto degë përgatitnin, përkatësisht, specialistë të profilit politik për organet qendrore e lokale të pushtetit dhe juristë për organet e drejtësisë dhe të administratës shtetërore. Në vitin 1967, pranë këtij Fakulteti u çel edhe dega e Gazetarisë, e cila përgatiste gazetarë për organet e shtypit dhe të Radio-Televizionit Shqiptar.
Gjatë viteve '70, Fakulteti u riorganizua sërish, me degën e Shkencave Politike të ndarë në një Departament më vete, dhe me degën e Filozofisë të sjellë si pjesë përbërëse të fakultetit. Në vitin 1991, dega e Drejtësisë u nda nga ajo e Filozofisë, duke krijuar dy Fakultete të veçanta, ndërsa dega e Gazetarisë u transferua në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Deri në vitet ’70, kohëzgjatja normale e studimeve ishte katër vjet, ndërsa më pas ajo u reduktua në tre vjet studime, të ndjekura nga një vit praktikë mësimore pranë organeve të drejtësisë. Në vitet ’80, në këtë Fakultet u rikthye afati i studimeve katërvjeçare.
Pas rënjes së diktaturës së proletariatit në 1991, Fakulteti i Drejtësisë pësoi ndryshime të thella. Përfshirja e ideologjisë demokratike dhe e praktikave të reja të shtetit të së drejtës diktonte detyrimisht edhe reformimin e Fakultetit në aspektet akademike, shkencore, edukative dhe të kapaciteteve fizike. Ndaj, në fillim të viteve '90, kurrikulat dhe programet mësimore u ndryshuan dhe u hartuan sipas modeleve perëndimore, duke u përsosur më tej gjatë viteve 2000 si pasojë e Proçesit të Bolonjës. Tashmë, Fakulteti i Drejtësisë ofron një edukim juridik cilësor dhe përgatit juristët e rinj shqiptar në të tre nivelet e studimit: Bachelor, Master dhe Doktoraturë.
Fakultetin e Drejtësisë e kanë drejtuar gjatë viteve Dekanët:[3]
- Luan Omari,
- Zija Xholi,
- Ismail Lleshi,
- Kudret Çela (mandati i parë),
- Valentina Zaçe,
- Kudret Çela (mandati i dytë),
- Ksenofon Krisafi,
- Vasilika Hysi,
- Kudret Çela (mandati i tretë),
- Skënder Kaçupi,
- Altin Shegani,
- Artan Hoxha.
Pranimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Gjatë viteve të fundit, numri i pranimeve në Fakultetin e Drejtësisë është rritur goxha, dhe aktualisht në Fakultet janë të regjistruar gjithsej 5000 studentë. Regjistrimi i studentëve bëhet pas konkurseve të pranimit, të cilat organizohen çdo vit në shtator.[3]
Organizimi i Fakultetit në Departamente
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Fakulteti i Drejtësisë përbëhet nga tre departamente:
Departamenti i të Drejtës Publike
Departamenti i të Drejtës Penale
Departamenti i të Drejtës Civile
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Universiteti i Tiranës
- Fakulteti i Ekonomisë
- Fakulteti i Shkencave të Natyrës
- Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
- Fakulteti i Shkencave Sociale
- Fakulteti i Histori-Filologji
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Burim i të dhënave
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ UNITIR: Emërimi i Dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, Prof. Dr. Artan Hoxha, nga Rektori i UT, Prof. Dr. Mynyr Koni
- ^ FDUT: Organika
- ^ a b c https://fdut.edu.al/prof-dr-skender-kacupi/ Arkivuar 20 prill 2016 tek Wayback Machine (albanian)