Albanët (familje)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Familja Albani)
Emblema e familjes Albani

Familja Albani[1] e ka prejardhjen nga familja fisnike e Mikel Laçit, nga Laçi i Kurbinit. Mikel Laçi pati dy djem Giorgio (Gjergj Mikeli i Laçit) dhe Filippo di Michele de’ Lazi, (Filip Mikeli i Laçit) ish luftëtarë nën urdhrat e Skënderbeut të cilët u vendosën në Urbino, ku Federico dhe Guidobaldo di Montefeltro i emëruan njerëz të besuar për çështje diplomatike dhe luftarake. Gjergji pati dy djem, Altobelin dhe Hanibalin, edhe Altobeli pati dy djem, Oracion dhe Karlin. Karli është babai i Gjon Franceskut, papës se ardhshëm.

Morën mbiemrin Albanesi që jetëgjati Altobello (1445-1564), e ndryshoi në Albani. Nga kjo familje rrodhën, përveç Klementit XI, kardinalë të shquar, diplomatë të mëdhenj dhe burra shteti të rrafshit të lartë:

- Giovanni Girolamo (1509-1591): kardinal dhe kont, zv-komandant i forcave të armatosura të Republikës së Venecias, kandidat për papë në dy konklave, historiograf, këshilltar juridik vetjak i papës Gregori XIII (1572-1584) dhe papës Sisto V (1585-90).

- Oracio (1576-1653): diplomat, emëruar senator i Romës nga Papa Urbani VIII (1623-44).

- Annibale (1682-1751): kanunor i Shën Pjetrit, president i Dhomës Apostolike, sekretar i Memorialëve, kardinal (1711) dhe nunc i jashtëzakonshëm papnor në Vjenë ku punoi për të ratifikuar zgjedhjen e perandorit Karli VI (1711-1740), kamerleng i Kishës Së Shenjte të Romës, kryekancelier i Dijes, kryeprift i Bazilikës së Vatikanit, peshkop i Sabinës e më tej i Porto e Santa Rufina, nëndhjak i Kolegjit të Shenjtë.

- Alkssandri (1692-1779): që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare u bë kolonel i ushtrisë së papës por shpejt e braktisi karrierën ushtarake, sekretar i Memorialëve, i dërguar në Vjenë, kardinal (1721), bibliotekar i Kishës Së Shenjtë të Romës, ambasador i Austrisë në Romë, mbrojtës i Mbretërisë së Sardenjës, mbrojtës dhe mik i Winckelmannit, ndërtues i Villa Albanit dhe përkrahës i shkëlqyer i arteve.

- Gjon Françesku, (1720-1803)nip i Klementit XI: kardinal (1753), mbrojtës i Çështjeve të Polonisë, mori pjesë në bisedimet me Katerinën II (1762-93) për të vënë në vend gjendjen e të krishterëve në Rusi, peshkop i Sabinës e më pas i Porto e Santa Rufinas derisa më 1775 si dhjak i Kolegjit të Shenjtë u bë peshkop i Ostias dhe Velletrit, mbrojtës i Shtetit Papnor kundër Francës revolucionare dhe luftëtar i zjarrtë për zgjedhjen e papëve Klementi XVII (1758-1769) dhe Pio VII (1800-23).

- Giuseppe (1750-1834): klerik i dhomës së papës Pio VI (1755-99), i dërguar i posaçëm në Vjenë për të çuar shiritin e bekuar në pagëzimin e kryedukës Ferdinand që më pas u bë perandor (1835-48), kardinal (1801) mbrojtës i perandorisë së Austrisë, bashkësekretar i Letrave Papnore dhe legat në Bolonjë, sekretar shteti i papës Pio VIII (1829-30), dhe komisar i jashtëzakonshëm i papës Gregori XVI (1831-46) i ngarkuar për të kthyer rendin nëpër Dërgata pas lëvizjeve revolucionare (1831-46), bibliotekar i Kishës së Shenjtë të Romës, peshkop i Urbinos dhe legat i Dërgatës së Pezaros dhe Urbinos.

Pas vdekjes së Filipit, më 1852 familja u shua. Është diçka e veçantë dhe për t’u vënë re që pothuajse njëkohësisht me familjen shqiptare të Albani-t, në Lindje, një tjetër derë e madhe shqiptare vezirësh të mëdhenj, përcaktonte fatet e perandorisë otomane në shekujt XVII-XVIII: familja e Qyprillinjve. Para papës Klementi XI, tre papë të tjerë kishin qenë me origjinë shqiptare: San Eleuterio (175-189), San Caio (283-296) dhe Giovanni IV (640-642).

Burim i të dhënave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Familja Albani[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]