Filip Papajani
Filip Papajani (Elbasan, 1878 - 1945) Shkrimtar e publicist. Pasi kreu mësimet e para në Elbasan, studioi për mjekësi në Rumani. Mori pjesë në lëvizjen patriotike demokratike të viteve 1921-24. Publikoi gazetën politike-letrare "Shkumbini" (1921). Shkroi në disa gjini: poemat Osman Maria (1913) dhe Ndreka (1925), përmbledhjen poetike "Elbasani" (1938), tregimet e gjata "Pelasgë! Vllaznim! Qytetnim!" (1923), "Bardhushi" (1930), "Fatbardhi" (1934), drama "Mojsi Golemi" (1928) etj.
Në veprat e Filipit zotërojnë temat karakteristike për letërsinë e Rilindjes Kombëtare. Në disa vepra tregoi jetën e vështirë të vegjëlisë ("Proka", 1936).
U njoh me psedonimin LIPI.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në lagjen Kala të Elbasanit më 1878. Që në vogëli kishte shfaqur tendenca pavarësie dhe mosbesimi në çdo gjë. Nuk i besonte fesë dhe "tallej" me “njerëzit e zotit”, priftërinjte e hoxhallarët, megjithëse me kalimin e viteve u lidh me miqësi të ngushtë me ta.
Kur ishte i vogël e dërgonin për të çuar meshën në kishë dhe i jepnin edhe një grosh për të paguar priftin për shërbesën fetare. Në atë kohë gjella e përditshme në familje ishin fasulet e zjera me pak kripë dhe buka e misrit. Vetëm me rastin e Pashkëve apo Kremteve të tjera si dita e emrit gatuheshe ndonjë gjellë tjetër. Filipi me groshin blinte djathë të bardhë dhe me bukën e grurit më të cilën ishte gatuar mesha ulej dhe hante bukë e djathë prapa murit të kishës. Aty dikush e pa dhe lajmëroi familjen. Rezultati i gjithë kësaj ngjarje ishte një e rrahur e mirë dhe që prej asaj dite nuk e dërguan më për të çuar meshën në kishë.
Nuk dihet se çfarë shkolle të mesme arriti të përfundonte, por fakti është se shkoi në Rumani me në xhep adresën e një dajës së tij që kishte shkuar emigrant shumë vjet më parë dhe lajmet që vinin në Elbasan e tregonin se kishte arritur të bëhej pasanik i madh. Dajën e gjeti shëndoshë e mirë por sa për pasurinë, vetëm në ëndërr e kishte parë. Kishte mbetur pjatalarës nëpër restorantet më të mira të Bukureshtit.
Filipi me të mbërritur u rregjistrua në Universitet, në Fakultetin e Mjekësisë. Për të mundur të paguante studimet dhe jetesën punoi edhe ky, me rekomandimin e dajës, si pjatalarës nëpër restorante në turnin e dytë e të tretë.
Në Rumani gjeti një ambient ku vlonte fryma e zjarrtë patriotike e ku të gjithë shqiptarët e kolonisë së Bukureshtit punonin dhe përpiqeshin për Shqipërinë. Në Koloninë patriotike të Bukureshtit Filipi mori pjesë në Lëvizjen për një Shqipëri të pavarur që drejtohej nga Princi Albert Gjika, rumun me origjinë të largët shqiptare, personalitet mjaft i dëgjuar në qarqet politike e letrare rumune të asaj periudhe. Ai ishte i vëllai i shkrimtares mjaft të njohur Elena Gjika e cila në letërsi njihet me pseudonimin “Dora d’Istria”.
Filipi pranoi gjithashtu që Princ Gjika t’i vinte kurorën e martesës në Kishën Katedrale të Bukureshtit. Kjo ngjarje për arsye të personalitetit të Princ Gjikës u pasqyrua në faqet e para të shtypit të kohës duke u bërë shkas që çështja shqiptare të marë karakter të veçantë publik, duke ngjallur interes e diskutime të veçanta në shtyp pikërisht në një periudhë kur Shqipëria ishte ende nën zgjedhën turke. Shumë pak (për të mos thënë aspak) njihej në popullin rumun ekzistenca e saj dhe problemet që e preokuponin në botën e jashtme.
Filipi bënte pjesë gjithashtu në grupin e shqiptarëve të Kolonisë së Bukureshtit të cilët më 23 Prill 1905 organizuan në sallën e Teatrit Kombëtar të Bukureshtit një Kongres ku morën pjesë si të ftuar përfaqësues nga kolonitë shqiptare nga bota mbarë e nga Shqipëria, si dhe personalitete politike, publike, e letrare nga e gjithë Rumania. Kongresi doli me kërkesën e propozuar nga vetë Princ Gjika për një Shqipëri të Pavarur. Kongresi zgjodhi një komitet qëndror e vendosi të botojë një gazetë me emrin “Kombi”. Kongresi mori gjithashtu vendimin që të përgatitej kryengritja e armatosur. Për këtë caktoi një organ drejtues në të cilin bënte pjesë edhe Filip Papajani.
Filipi bashkëpunoi me gazetat në gjuhën shqipe që botoheshin në Bukuresht. Ai u bë mik i ngushtë i Asdrenit dhe kur ky i fundit aty nga vitet ’30 erdhi për një vizitë në Shqipëri, qëndroi për disa ditë si bujtës i Doktor Filipit në Pogradec.
Filipi në Bukuresht u njoh me familjen e një emigranti nga Korça i cili ishte vendosur përfundimisht në Rumani dhe kishte marrë me vete gjithë familjen duke e ndërruar mbiemrin në Kostandinesku. U fejua me të bijën e tij dhe u martuan po në Bukuresht më 1909. Aty në 1910 lindi vajza e parë Margarita.
Si patriot dhe nacionalist i zjarrtë, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, lë familjen në Bukuresht dhe vjen në Atdhe së bashku me Asdrenin me një delegacion të kryesuar nga Pandeli Evangjeli për të përkrahur vendosjen e Princ Wid-it si Mbret të Shqipërisë. Ai erdhi edhe dy herë të tjera në Korçë me një grup vullnetarësh për të luftuar kundër andartëve grekë që kishin zaptuar Korçën dhe kishin vrarë priftin Ballamaçi.
Më pas Filipi u bashkua me çetën e Mihal Gramenos duke u bërë shkas të krijohej edhe një miqësi e shëndoshë familjare, miqësi që gratë e tyre Niqi e Mihal Gramenos dhe Angjeliqia e Filipit e mbajtën gjithmonë.
Luftoi gjithashtu kundër bandave të Esat Pashës dhe të Haxhi Qamilit duke e konsideruar lëvizjen e këtij të fundit si anakronike dhe rikthim tek pushtimi turk.
Në vitin 1919 thërret në atdhe familjen dhe së bashku vendosen në Elbasan ku filloi të punojë si mjek duke lënë një përshtypje shumë të mirë në popull e duke i shërbyer me përkushtim atij, veçanërisht kur në Elbasan u parhap epidemia e kolerës dhe e gripit spanjoll.
Filipi vazhdon të shkruajë dhe më 1921 themelon me shpenzimet e veta gazetën “Shkumbini” në të cilën boton disa kryeartikuj shumë të fortë kundër regjimit që po vendosej në Shqipëri. Këtë aktivitet patriotiko-demokratik e vazhdoi deri në vitin 1924.
Në arkivat e muzeut të Elbasanit është zbuluar së fundmi edhe marshi muzikor i shkruar për emrin e shquar dhe patriotin shqiptar Aqif Pashë Biçaku. Teksti i marshit është shkruar nga Filip Papajani. Sipas historianit Shyqyri Demiri në një biografi të shkurtër të shkruar në vitin 1976 me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Aqif Pashës, teksti i këtij marshi është shkruar nga Fillip Papajani, i cili i ka bërë një vlerësim me vend Aqif Pashës.
Meqë klima e Elbasanit ishte e papërshtatme për familjen e cila ishte mësuar me klimën e thatë e të ftohtë të Bukureshtit, Filipi vendoset në Pogradec. Duke qenë nga natyra romantik ndërton shtëpinë në bregun e Liqenit të Ohrit, aq afër sa në dimër kur frynte veriu dallgët e liqenit përplaseshin tek muret e shtëpisë. Nga ana tjetër disa thonë se një nga arsyet e largimit të Doktor Lipit nga Elbasani ishte edhe intriga e kurdisur nga feudalet vendas (veçanërisht Vërlaci), sikur Filipi në vizitat e tij mjekësore nëpër familje kishte vizituar dhe rënë në dashuri me atë që konsiderohej në atë kohë si gruaja më e bukur e Elbasanit.
Ndërsa në të vërtetë njerëz të afërm të familjes e shpjegojnë kështu arsyen e largimit të tij nga Elbasani. Gjatë kohës që ushtroi profesionin e mjekut, në periudhën e kolerës dhe të gripit spanjoll, ai kishte fituar një sasi napolonash flori të cilat ja la nuses së dajës, në shtëpinë e të cilës ishte vendosur, për t’i ruajtur. Tashmë i sigurt që kur të kthehej do të ndërtonte një shtëpi të tijën, u nis për të marrë familjen në Bukuresht. Nga nisja për në Rumani, përgatitja e familjes dhe kthimi në Shqipëri, kaluan pothuaj afërsisht gjashtë muaj. Me të ardhur në Elbasan i kërkon nuses së dajës që t’i kthejë napolonat për të ndërtuar shtëpinë. Si për habi ajo i thotë se parartë u shpenzuan për të mbajtur shtëpinë.
Filipi nuk e prishi terezinë. Ai mori familjen dhe u vendos në Pogradec. Me t’u larguar Filipi, daja i tij ndërtoi në Elbasan kafen më të madhe dhe më luksoze të qytetit. Kjo ishte pra e vërteta e largimit të tij nga Elbasani.
Por nuk duhet të harrojmë se një nga shkaqet ishin dhe kryeartikujt që botonte në gazetën e tij “Shkumbini” si dhe aktiviteti i tij perparimtar, antifeudal e në favor të fshatarësisë. Që prej asaj dite e deri sa vdiq më 1945, Filipi nuk shkeli më në Elbasanin e tij të dashur, të cilit i kushtoi edhe një poemë plot mall me titull “Elbasani”. Kjo poemë vazhdon akoma në ditët e sotme të kujtohet, të mësohet përmendësh dhe të recitohet në ambiente shoqërore apo familjare.
Due t'këndohet Elbasani
Vendi em, ku un' kam le;
Shok e vllazën za më mbani
Dhe ti Zanë, ja me ne
Kangës për krye tyt eti,
Thueja holl' me za të naltë
Qarku, rrethi dhe qyteti
Sot t'mos mbeten zhy me baltë.
Elbasani asht qyteti
Begatia e Shqipnisë,
Mbi qytetet, qytet mbreti
Vend, fole e ditunisë.
Shpati varet tatëpjetë
Tyk' u unjun dalëngadalë,
Zbresin malet lart nga retë
N'kodra, n'brigje palë-palë.
Në Dumre t'harroj idhninë
Që mka jetën fort brengosë;
N'Mokër t'egër ta shoh dhinë;
N'Krrabë kur bie bari n'kosë.
Kur të vdes, shokë, t'më shtini
N'Ebasan afër Shkuminit,
N'hije t’arrës ven më gjini,
Pran t'jet druja e ullinit.
Përmbi vorr t'mos vini rrasë,
Gurë t'randë t'Elbasanit,
Veçse shkruni n'nji dërrasë:
Ktu fle Lipi i Papajanit.[1]
Filipi që në rininë e tij në Rumani ishte marrë me gazetari duke pasur pasionin e të shkruarit. Në Bukuresht më 1913 ai boton poemën “Osman-Maria” ku dy të rinj me fe të ndryshme bien në dashuri. Këtë dëshirë ja plotësoi djali i dytë Bardhyli i cili u martua me myslimanen Nexhibé duke lindur tre djem, Ovidio, Iliri e Skënderi e duke kaluar një jetë shumë të lumtur së bashku.
Aty në breg të liqenit sa herë që kishte kohë të lirë dhe kur i qëllonte të mos shkonte sa nga një fshat në tjetrin për vizitat mjekesore e për të kuruar të sëmurët, hipur në kalë (i vetmi mjet trasporti i asaj kohe), i mbështjellë me gunën e barinjve, me pushkë në krah e revole në brez, Filipi frymëzohej e shkruante vjersha e tregime duke u renditur bashkë me shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare në fillim me pseudonimin “Rasa e Bardhë” dhe më vonë deri sa vdiq me pseudonimin “LIPI”. Me këtë emër njihet edhe në letërsinë shqiptare ashtu siç është cilësuar edhe në F.E.SH. Ndërsa në popull e thërrisnin “Doktor shurdhi” për arsye se nuk dëgjonte mirë nga veshët.
Nga shkrimet e tij mund të përmendim tregimet e gjata “Pellazgë, Vllaznim-Qytetnim” (1923), poemen “ Ndreka” (1925), dramat “Moisi Golemi” (1928), “Bardhushi” (1930) e “Fatbardhi” (1934). Për jetën e vështirë të vegjëlisë shkroi tregimin e gjatë “Proka Dhe Vepra të Tjera” (1936), si dhe përmbledhjen poetike “Elbasani” (1938) i influencuar aty këtu edhe nga poeti i madh rumun Eminescu.
Në lidhje me tregimin “Proka” kemi gjetur një shënim nga shkrimtari elbasanas Hyjni Ceka shkruar në Enciklopedinë e personaliteteve elbasanase të titulluar “Në Panteon, drejt Panteonit” i cili shkruan se tregimi i sipërpërmendur është ekranizuar edhe nga “Kosova Film” duke fituar çmim në Festivalin e Kanës ku u prit shumë mirë nga publiku europian.
Filipi shkroi edhe tregime të shkurtra si ai me titull “Kukudhi i Kavajës” i cili u botua në vitin 1923 në gazetën “Shkumbini” e që më vonë zuri vend në antologjitë e leximeve letrare të shkollave. Ky tregim u ribotua më vonë në “Antologji e Tregimit Shqiptar 1884-1939”, botuar në vitit 1986.
Në ambientin e asaj periudhe pati një riperkusion edhe në shtypin e kohës pasi kur Prefekti i Kavajës lexoi tregimin, duke kujtuar se po trajtohej një ngjarje e vërtetë që kishte ndodhur në qytetin e tij, protestoi energjikisht në shtypin lokal të kohës. Sipas tij pas hetimesh të kujdesshme që kishte urdheruar të kryheshin, nuk i kishte rezultuar që kjo ngjarje të kishte ndodhur në Kavajë por me siguri që do të kishte ndodhur në ndonjë qytet tjetër si p.sh. në Durrës.
Filipi nuk hoqi dorë nga mendimet përparimtare duke ia ngulitur këto mendime edhe fëmijëve të tij. Të dy djemtë e tij si Virxhili (Xhili) ashtu dhe Bardhyli (më revolucionari prej të dyve) dolën partizanë për çlirimin e vendit.
Në kulmin e luftës në 1943 zgjidhet kryetar i të parës Këshillë Nacional Çlirimtare të qytetit dhe më vonë Kryetar i Këshillit të Rrethit të Pogradecit duke u bërë shkak që banda e Xhevat Starovës ti vjedhë e ti djegë shtëpinë. Për shkak të aktivitetit të tij të hershëm patriotik e letrar, si dhe për shkak të lidhjeve që kishte krijuar që në rini me shokët e tij të fëmijërisë në Elbasan, pati një miqësi të ngushtë me të gjitha shtresat politike të vendit.
Miqësi të ngushtë pati veçanërisht me Lef Nosin, edhe ky elbasanas e shok fëmijërije, i cili ndërhyri pranë Komandaturës Gjermane dhe ja shpëtoi të birin Virxhilin i cili ndodhej në burgun e Selanikut i kapur rob dhe i dënuar me pushkatim. Gjithashtu e ruajti miqësinë me Kryepeshkopin e Shqipërisë Imzot Kristofor Kisin dhe me Kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar Haxhi Hafiz Musain, të cilët kur vdiq në Mars 1945 e përcollën që të dy për në varreza duke ecur njëri në të djathtë dhe tjetri në të majtë të arkivolit. Kjo bëri përshtypje shumë të madhe pasi njerëzit pyesnin “ky që vdiq ishte kristian apo mysliman?”. LIPI ishte dhe mbeti vetëm SHQIPTAR.
Për “LIPIN” profesori elbasanas Besim Qorri ka botuar edhe një monografi mjaft të detajuar me titullin “Proka dhe Vepra të Tjera”.
Shkruante lirshëm, me fantazi dhe krahasime të goditura në një stil që tashmë konsiderohet si “naif”, duke patur kujdes veçanërisht rimën. Një ditë para së të vdiste, shkroi një vjershë lamtumire të cilën ja dorëzoi nipit të tij Robertit, në atë kohë 15 vjeçar, i cilit e kishte bërë zakon që sapo dilte nga shkolla të shkonte me vrap çdo pasdite dhe të qëndronte me orë të tëra pranë krevatit të gjyshit në Pavionin e XII të Spitalit Civil të Tiranës. Vjersha ruhet akoma sot e kësaj dite në dokumentat e familjes Cipo.
Një qen i zi
I zi sterrë
Si skëterrë
I math! Sa një ari
N’oborr m’aulliu
Ktë gjak ç’m’a ngriu
Një korb qyqar
m’erth n’oborr
mor i gjorë!!
Shtiu llahtar!!
Këndon, ç’këndon?
Mjerim lajmon.
Një tra kercet
Shkak? Pa shkak!!
Derth helm n’gjak
Ky zan’i shkret
Plot tmer, trishtim
mbush shpirtin t’im
Gjà s’perpërin
Dhoma varr
Trupi zjarr
Nga frika ngrin
Qaj e vajtoj
Po vdes, po shkoj
Një yll perëndon
Shokët lé
Bije përdhe
Udhën harron
N’errsin’u zhyt
U shojt, u mbyt
LIPI
Do të ishte shumë me vend që të përmendim edhe dy tregimet mjaft të goditura të shkrimtarit e vjershëtorit tone të dëgjuar Prof. Dhimitër Shuteriqi, i cili i ka njohur nga afër si doktor Lipin ashtu dhe Prof. Kostaq Cipon, të dy elbasanas dhe miq të familjes, duke na dhënë një përshkrim të goditur të këtyre dy figurave dhe marrdhënieve midis tyre.
Meqënëse Prof. Dhimitër Shuteriqi në tregimet e tij i ka dhënë personazheve të mësipërm emra të improvizuar, ne do të marrim guximin që t’jua kthejmë atyre emrat e vërtetë që kanë patur në jetë. Të dy tregimet janë botuar në librin “60 Tregime Në Një” dhe më vonë u përmblodhën në vëllimin e 9-të “Tregime” të Veprës Letrare të Dhimitër Shuteriqit.
Në kapitullin e veçantë në të cilin ai shkruan kujtimet mbi Cipon, kemi të përfshirë edhe tregimet e Prof. Shuteriqit që kanë të bëjnë me Doktor Lipin e Prof. Cipon me titullin “Osman Maria”. Ndërsa në një tregim tjetër janë përshkruar kujtimet mbi profesorin e tij të gjuhës në Liceun e Korçës së bashku me kujtimet edhe te nxënësve të tjerë të Liceut për profesorin e tyre.
[1] Këto strofa janë shkëputur nga vjersha "Elbasani" e Filip Papajanit, botuar më 1938.