Kostaq Cipo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kostaq Cipo
Ministër i Arsimit
Në detyrë
13 janar, 1945 – 21 mars, 1946
Paraprirë ngaGjergj Kokoshi
Pasuar ngaSejfulla Malëshova
Të dhëna vetjake
U lind më25 dhjetor, 1892
Elbasan, Perandoria Osmane
Vdiq më6 janar, 1952
NënshtetësiaShqiptare
ArsimimiUniversiteti i Romës
Punësimipublicist, mësues, nëpunës

Kostaq Cipo (Elbasan, 25 dhjetor 1892 - 6 janar, 1952) qe publicist, mësues, gjuhëtar, përkthyes, korrektor dhe ministër shqiptar[1].

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi në Elbasan, i biri i Simonit dhe i Agnije Xhuvanit. I ati ishte zanatçi, por e mbylli jetën si nëpunës i rangut të ulët në bashkinë e qytetit. Agnija, e ëma, ishte e bija e Jan Xhuvanit, priftit të varfër të fshatit Shtërmen dhe e motra e patriotit të shquar dhe gjuhëtarit të madh Aleksandër Xhuvani.

Në moshën 6 vjeçare, më 1898, u regjistrua në shkollën 7-vjeçare të qytetit, që ishte në gjuhën greke. Më 1906, pasi kreu mësimet në këtë shkollë, u regjistrua në një gjysmëgjimnazin turqisht i cili ishte hapur në Elbasan. Më 1910 vazhdoi dy vitet e fundit të gjimnazit në Manastir. Në këtë kohë u njoh me patriotë të shumtë si: Gjergj Qirjazin, Muço Qullin dhe Shahin Ypi Kolonjën. Vitin e fundit të gjimnazit Cipoja nuk arriti ta përfundonte për shkak të Luftës Ballkanike dhe u kthye në Elbasan më 1912.

Gjatë periudhës së pushtimit serb shërbeu si bibliotekist pranë familjes së Aqif pashë Elbasanit, për të sistemuar dhe kataloguar librat e bibliotekës së tij të pasur. Në vjeshtë të vitit 1913 (në moshën 20 vjeçare) iu dha një bursë për në Shën Mitër Korona, në kolegjin e Shën Adrianit, pikërisht në atë shkollë ku kishte dhënë mësim për tre vjet rresht (1906-1909) daja i tij, Aleksandër Xhuvani. Shkollën e filloi në shtator 1913 dhe e ndoqi pa shkëputje për 4 vjet.

Në vjeshtë të vitit 1917 regjistrohet në Fakultetin e Letrave dhe të Filozofisë në Romë, në grupin e filologjisë klasike. Për pak kohë Cipoja ishte redaktor i jashtëm i gazetës "Kuvendi" që botohej në italisht nga S. Gjika.

Më 1919 me rastin e vizitës në Itali të Presidentit amerikan Wilson, një grup i vogël shqiptarësh, midis tyre edhe Cipo, i dërgon atij një mesazh proteste për shkak të ndërhyrjes së Italisë në punët e brendshme të Shqipërisë. Në këtë periudhë u njoh me personalitete të politikës dhe letrave shqipe si: P. Gjergj Fishta, Mehdi bej Frashëri, Dhimitër Berati, Imzot Bumçin etj. Këtu forcoi edhe më shumë miqësinë me Luigj Gurakuqin. Miqësi të veçantë pati me një bashkëstudentin e tij, Mustafa Krujën, me të cilin do të prishej vitet e pushtimit fashist.

Në dhjetor të vitit 1921 Cipoja u kthye në Tiranë dhe po atë ditë u emërua mësues në shkollën Normale të Elbasanit. Transferohet për një periudhë dyvjeçare (1923-1925), si profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin e Shkodrës. Në Shkodër e forcoi edhe më tepër lidhjen me P. Fishtën dhe së bashku me të u caktuan në Komisionin për përzgjedhjen e Himnit Kombëtar.

Në vjeshtë të vitit 1925 transferohet në Korçë si profesor në Liceun Francez në të cilin ndenji plot 14 vjet, deri më 1939. Për shkak të një konflikti me Ministrinë e Arsimit të asaj kohe pati si rezultat burgosjen për 12 ditë në burgun e Tiranës. Martohet më 1929 me Margaritën, të bijën e dr. Filip Papajanit.

Kur hyri Italia fashiste në Shqipëri ai ishte Nëndrejtor i Liceut dhe mbajti një qëndrim të prerë kundër anëtarësimit të pedagogëve të Liceut në Partinë Fashiste, gjë që u pasua me mosvajtjen në ceremoninë e organizuar me rastin e vizitës së Jakomonit në Korçë. Kjo bëri që të niste vëzhgimi i tij dhe që në qarqet intelektuale të qytetit të njihej si "Il grande rifiuto". Në gusht të 1939 e arrestojnë dhe nga burgu i Korçës e transferojnë në atë të Tiranës dhe prej këtej e internojnë në Itali, në Colfiorito. Në këtë fshat të humbur dhe me klimë jashtëzakonisht të ashpër ndenji dy vjet së bashku me të shoqen dhe tre fëmijët.

Pas dy vjetësh, kohë që përkon edhe me përfundimin e luftës Italo-Greke, kthehet në Pogradec, tek i vjehrri, dhe e gjen shtëpinë, e sidomos bibliotekën e tij mjaft të pasur e me ekzemplarë unikë nga letërsia, historia dhe, veçanërisht, gjuhësia e përgjithshme e albanologjia, të plaçkitur e të rrënuar nga njerëz që dinin se çfarë duhet të merrnin e çfarë duhet të digjnin nga ky thesar. Në këtë kohë Cipoja harton një deklaratë e cila iu kërkua të gjitha familjeve që kishin pësuar dëme nga qëndrimi i ushtarëve grekë në qytet. E përmendim këtë fakt pasi nëpërmjet këtij dokumenti do të mund të krijonim një ide të përgjithshme për vlerat e madhësinë e bibliotekës dhe, për rrjedhim, edhe të pronarit të saj, si personalitet në fushë të dijes dhe kulturës shqiptare.

"...Për bibliotekën t'ime, jashtëzakonisht të pasun, të pajisun me 1200 vëllime, nga të cilat 800 u vodhën a u dogjën nga grekët si zjarr për t'u ngrohur, mendja më thotë se librat nuk do jenë djegur, por do të jenë ngritur e dërguar në Greqi..."

Për një kohë prej shtatë muajsh qëndroi i papunë dhe më pas e ftojnë në Tiranë ku e emërojnë profesor në dispozicion të Ministrisë së Arsimit, por pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Më vonë e emërojnë inspektor arsimi.

Në shtator të këtij viti u ftua për të marrë pjesë në Konferencën e Pezës si patriot dhe antifashist, por për arsye shëndetësore nuk mori pjesë. Në këtë kohë ai ishte 50 vjeç. Mbas një viti pune largohet nga Ministria e Arsimit dhe punësohet si përkthyes në shtëpinë botuese italiane "De Agostini Novara". Këtu qëndroi deri në shtator të vitit 1943. Për pak kohë u punësua si korrektor në shtëpinë botuese "Ismail Mal Osmani".

Pas një periudhe heshtje boton tek "Revista Letrare" e Vedat Kokonës një artikull me titull "Libri, kujtime, mendime" ku trajtonte problemin e rëndësisë që ka libri dhe rolit që luan ai në jetën e kombit për bashkimin dhe përparimin e tij, për formimin e ndërgjegjes kombëtare. Pas çlirimit kreu vetëm për një muaj detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare.

Nga janari i vitit 1945 deri në prill të 1946 ishte Ministër i Arsimit, dhe, si i tillë, ndikoi dhe ishte nismëtar i hapjes së Institutit Pedagogjik Dyvjeçar. Në maj të po këtij viti u emërua Drejtor i Institutit të Studimeve, i cili, si Institut i Shkencave, iu aneksua Kryeministrisë më 1948. Që nga ajo kohë e deri sa vdiq punoi si anëtar i këtij Instituti, si specialist i gjuhës shqipe. Në këtë periudhë iu kushtua me të gjitha forcat veprimtarisë mësimore dhe asaj studimore-shkencore.

Më 1946-1952 u zgjodh deputet dy herë me radhë për qarkun e Elbasanit.

Ndërroi jetë më 6 janar të vitit 1952.

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë kohës kur punoi për të përkohshmen e Gjikës, shkruajti me nofkën Skampensis (Elbasanasi). Ndër artikujt e shkruar në këtë periudhë spikat komenti i gjatë për vjershën e Fishtës "I dëbuemi". Po kështu ai shkruan një seri artikujsh për krijimtarinë e Naim Frashërit dhe të De Radës, ndërsa në fushë të gjuhësisë spikat artikulli studimor "Studime etimologjike të gjuhës shqipe të krahasuar me atë greke, latine, gjermane e persiane". Të gjithë këta artikuj janë shkruar në italisht. Në krye të artikullit për etimologjinë spikat një shprehje e Foy " I lumtur ai shkrimtar që i ngre një monument vendit të tij".

botonte veprat e tij më të rëndësishme: Gramatikën e Gjuhës Shqipe, Sintaksën dhe Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Për “Sintaksën” Cipoja u vlerësua edhe me Çmimin e Republikës. Gjithashtu Prof. Cipo është nderuar me titullin "Mësues i Popullit".

Së bashku me Xhuvanin dhe Çabejn mori pjesë në hartimin e Udhëzuesit të Parë Drejtshkrimor të gjuhës letrare (1948-1950) dhe në përpunimin e disa terminologjive kryesore shkollore. Punoi një gramatikë të gjuhës shqipe për shkollën shtatëvjeçare, dhe një varg studimesh gjuhësore mbi fjalitë e përbëra (ndër të parët që nisën trajtimin e thelluar të tyre), mbi gjuhën e Pjetër Budit etj. Përgatiti një botim shkencor të "Historisë së Skënderbeut" të Naim Frashërit, mbi bazë kriteresh filologjike të pajisur edhe me komente gjuhësore edhe letrare.

Me gramatikën shqipe në dy vëllime, e para gramatikë joshkollore e karakterit shkencor në gjuhën shqipe, hapi shtigje të reja në studimin e gjuhës shqipe, veçanërisht në fonetikë e sintaksë. Kjo gramatikë u përdor edhe si tekst mësimor për shumë vjet dhe shërbeu edhe si mbështetje për tekstet e tjera të mëvonshme më të gjera e më sistematike.

[Morfologjia historike e shqipes (1947)] [Fonetika (1947)] [Rreth disa kompozitave (1948)] [Kompozitat determinative (1948)] [Gramatika për klasat e V,VI e të VII të shkollës shtatëvjeçare (1948)] [Vërejtje fonetike, morfologjike e sintaktike mbi “Doktrinën e Krishtenë” të Budit (1618) e pabotuar.] [Fillimet e stilistikës e letërsisë A. Xhuvani, K. Cipo (1930)] [Gramatika (fonetikë e morfologji) 1949] [Sintaksa (1952) botuar pas vdekjes] [Shënime e shpjegime të veprës “Historia e Skënderbeut” (1953) botuar pas vdekjes] [Fjalori i gjuhës shqipe (1954) bashkautor]

“Morfologjia Historike e Shqipes”      (1947) Dispensë e Shaptilografuar. Botuar nga Instituti Pedagogjik Dyvjeçar.

“Fonetika”                                       (1947) Dispensë e Shaptilografuar. Botuar nga Instituti Pedagagogjik Dyvjeçar. Ribotuar në vitin 2003.

“Rreth Disa Kompozitave”               (1948) Buletini i Institutit të Shkencave Nr. l, Faqe 51-54

“Kompozitat Determinative”            (1948) Buletini i Institutit të Shkencave Nr. 2-3, Faqe 9-12               

“Gramatika”                                    Për Klasat e V, VI e të VII të Shkollës Shtatëvjeçare

“Ortografia e Gjuhës Shqipe”             Xhuvani, Cipo, Çabej.

                                                      

Artikuj në Shtyp:

“Gjuhë dhe Gramatikë”                     “Zëri i Popullit”, 20 korrik 1949

“Vërejtje Fonetike, Morfollogjike e Sintaktike mbi “Doktrinën e Kërshtenë” Të Budit (1618)”  (1952) B.SH.SH., Nr. 1 Faqe 5-32

“Ortografia e Gjuhës Shqipe”             Gazeta “Bashkimi”, 14-15 tetor

                                                      

Tekstet Madhore:                                           

“Gramatika”                                    1949 Instituti Shkencave

“Sintaksa”                                       1952 Instituti Shkencave

"Fjalori i Gjuhës Shqipe" 1954 Instituti Shkencave

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: "55", 2012. fq. 99. ISBN 978 9943 56 22 5