Jump to content

Gjyteti i madh dhe i vogël në Vuçak

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Gjyteti i vogël dhe i madh në Vuçak
Emri amëtar Kalaja e Vuçakut
LlojiArkeologjike
VendndodhjaVuçak, Drenas, Kosovë
NdërtuarAntikitet i Vonë
Emri zyrtar: Lokalitet Arkeologjik / Rezervat
LlojiNën mbrojtje
Përcaktuar0301-803/88
Nr. i referencës720

Gjyteti i vogël dhe i madh në Vuçak është një monument i trashëgimisë kulturore në Vuçak, Drenas, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkeologjik", i miratuar me numër 0301-803/88. [2]

Në fshatin Vuçak rrëzë malit Kasmaç, rreth 12 km në jugperëndim të Drenasit, e vendosur në një pozitë shumë dominuese, vërehen gjurmët e rrënojave të mureve që përcjellin konfiguracionin e kodrës dhe formojnë Gradinën e Madhe (Gjyteti i Madh) dhe Gradinën e vogël (Gjyteti i Vogël). Kalaja e madhe ka trajtën e një kodre trungkonike me sipërfaqe të sheshtë dhe eliptike. Diametri i saj lindje-perëndim është 82 m ndërsa ai veri-jug është 55 m dhe sipërfaqja rreth 0.5 ha. Në konturet e saj ruhen gjurmë muresh të periudhës së vonë antike. Muri është në gjendje të rrënuar dhe në traktet më të mira ruhet në lartësinë e rreshtit të parë. Është i ndërtuar me gurë të terrenit me përmasa mesatare, të lidhura me llaç gëlqeror të cilësisë së dobët sipas teknikës opus incertum. Muri arrin gjerësinë 2.20-2.40m. Kalaja e vogël ndodhet në një kreshtë shkëmbore në perëndim të Kalasë së madhe. Ajo ka sipërfaqe të rrumbullakët dhe të pjerrët që arrin deri në rreth 0.1ha. Duke u mbështetur në materialin arkeologjik që është gjetur këtu, janë dëshmuar gjurmë që nga parahistoria e deri te mesjeta. Megjithatë, kjo kala ishte tipike për kohën e antikitetit të vonë dhe shërbente si sistem mbrojtës për popullatën vendase.[3] Në mes të dy gradinave, përkatësisht në qafën në trajtë shale që i lidh dy gradinat, gjendet një tumë ilire. Ajo ka formën e kësulës me përmasa të vogla që nuk kalojnë 10-12 m dhe me lartësi 0.6 m. Është e ndërtuar me pak dhe dhe me shumë gurë gëlqeror të terrenit që shihen edhe në sipërfaqen e saj. [2]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
  2. ^ a b Rexha, Enver, red. (2013), Harta Arkeologjike e Kosovës (II), Prishtina: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit & Instituti Arkeologjik i Kosovës, fq. 132 - 134
  3. ^ "The great and small fort in Vuçak (Drenica)". Arkivuar nga origjinali më 22 janar 2020. Marrë më 28 nëntor 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]