Haraxh
Haraxhi (arabisht: خراج Kharadj, në shqip edhe haraçi) është sipas të drejtës islame taksa e tokës së punuar bujqësore. Haraçi nuk ka bazë as në kuran as në hadith ose sunna por është më tepër e krijuar si ixhma, konsens (pëlqim) nga ana e teologëve islamë dhe nga urf-i, tradita islame.
Fillimisht, pas ekspansionit të parë islam të shekullit të 7-të, haraçi cilësonte taksën si shumë e përgjithshme, të vjelur nga provincat e pushtuara, e cila mblidhej nga nëpunësit e ish-Perandorisë Bizantine dhe Sasanide ose, në kuptim më të gjerë, çdo lloj takse që vilnin pyshtuesit myslimanë nga popullsia jo-myslimane, dhimmit. Në atë kohë haraçi përdorej në mënyrë sinonime me xhizjen, e cila më vonë u shndërrua në një taksë për frymë për dhimmi-t. Nga ana tjetër, pronarët myslimanë të tokave paguanin vetëm ushr-in, të dhjetën fetare, e cila ishte shumë më e ulët.[1]
Por konvertimi (ndërrimi i fesë) në masë i të krishterëve dhe zoroastristëve në fenë islame bëri që të shterojë burimi i të ardhurave nga taksat për perandorinë arabe. Gjendja u ashpërsua edhe më tepër, kur një ekspeditë në shkallë të gjerë por e pasuksesshme kundra Perandorisë Bizantine e organizuar nga kalifi omajjad Sulaiman më 717 e çoi gjendjen financiare të omajjadëve në prag të greminës. Pak para ardhjes së Sulaiman-it në pushtet, Al-Hadxhaxh-i, guvernatori i provincës së Irakut, ishte përpjekur të rrisë të ardhurat duke kërkuar nga myslimanët pagimin e taksës së plotë mirëpo kjo masë hasi në kundërshtim dhe pakënaqësi. Për të zgjidhur këto probleme, pasardhësi në detyrë i Sulaiman-it, Umar-i II, arriti kompromisin, sipas së cilit, duke filluar prej vitit 719, toka për të cilën ishte paguar më parë haraç, nuk lejohej t'u jepej myslimanëve, të cilët mund ta jepnin atë me qira por në rast se ata e jepnin, atëherë ishin të detyruar të paguanin haraç për të. Me kalimin e kohës, rezultati i kësaj reforme ishte që taksa e haraçit vilej për shumicën e tokave pa marrë parasysh fenë e atij që e punonte. Reformat e Umar-it II u përfunduan nën pushtetin e abbasidëve dhe do të bëheshin më vonë model për sistemin tatimor të shtetit islam.[2] Që prej kësaj kohe haraçi është përdorur edhe si term i përgjithshëm për të përshkruar çdo lloj takse: kështu psh. vepra klasike e juristit të shekullit të 9-të Abu Jusuf-it mbi tatimet quhej Kitab al-haraxh, në shqip: Libri i tatimeve.[3]
Orientologu rus i shekullit të 20-të, A. J. Jakubovski, krahason sistemin e taksave të tokës të sasanidëve persianë me atë të kohës së kalifateve islamë:
Duke krahasuar burimet historike para-islame me ato të periudhës islame del se pushtuesit arabë i rritën taksat e tokës pa përjashtim. Si pasojë, taksat u rritën për një akër are gruri në 4 dirham-ë dhe për një akër are elbi në 2 dirham-ë, ndërsa gjatë sundimit të Khosroes-it I ishte e zakonshme vetëm një dirham për një akër are gruri ose elbi. Nga fundi i periudhës së kalifatit omajjad, persianëve të mposhtur dhe të nënshtruar u duhej t'i pagonin Perandorisë Islame si haraç nga një të katërtën deri në një të tretën e prodhimeve të tyre bujqësore. [4]
Literaturë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Cooper, Richard S. "The Assessment and Collection of Kharaj Tax in Medieval Egypt" (Journal of the American Oriental Society, Vol. 96, No. 3. (Jul. – Sep., 1976), f. 365-382.
- Cummings, John Thomas; Askari, Hossein; Mustafa, Ahmad. "Islam and Modern Economic Change" in Esposito, 1980, f. 25-47
- Esposito, John L. (ed.). Islam and Development: Religion and Sociopolitical Change (Syracuse, NY, Syracuse University Press, 1980)
- Gaudefroy-Demombynes, Maurice (tr. John P. MacGregor). Muslim Institutions (London, Allen & Unwin, 1950)
- Hourani, Albert, A History of the Arab Peoples (Cambridge, MA : Belknap-Harvard University Press, 1991)
- Melis, Nicola, “Il concetto di ğihād”, në P. Manduchi (a cura di), Dalla penna al mouse. Gli strumenti di diffusione del concetto di gihad, Angeli, Milano 2006, f. 23-54.
- Melis, Nicola, “Lo statuto giuridico degli ebrei dell’Impero Ottomano”, në M. Contu – N. Melis - G. Pinna (a cura di), Ebraismo e rapporti con le culture del Mediterraneo nei secoli XVIII-XX, Giuntina, Firenze 2003.
- Melis, Nicola, Trattato sulla guerra. Il Kitāb al-ğihād di Molla Hüsrev, Aipsa, Cagliari 2002.
- Hawting, G. R. The First Dynasty of Islam: The Umayyad Caliphate AD 661-750 (London, Routledge, 2000)
- Lambton, Ann K. S. Landlord and Peasant in Persia: A Study of Land Tenure and Land Revenue Administration (London, Oxford University Press, 1953)
- Lewis, Bernard (2002). The Arabs in History. Oxford: Oxford University Press. ISBN 0-19-280310-7.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Poliak, A. N. "Classification of Lands in the Islamic Law and Its Technical Terms". The American Journal of Semitic Languages and Literatures, Vol. 57, No. 1. (Jan., 1940), f. 50-62.
- Stillman, Norman (1979). The Jews of Arab Lands: A History and Source Book. Philadelphia: Jewish Publication Society of America. ISBN 0827601166.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Watt, W. Montgomery. Islamic Political Thought: The Basic Concepts (Edinburgh, Edinburgh University Press, 1980)
Weblinks
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- The Institute of Ismaili Studies, Glossary H-K (kharaj) Arkivuar 9 shkurt 2006 tek Wayback Machine