Jump to content

Baba Reshati

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Haxhi Reshat Bardhi)
Fotoporteti
Haxhi Dede Reshat Bardhi
Emri Reshat
Mbiemri Bardhi
Lindur më 4 mars, 1935
Lindur në Shqipëria Lusën, Mbretëria Shqiptare 1928–1939
Vdiq më 2 prill 2011
Vdiq në Tiranë, Shqipëri
Kombësia Shqiptare
Profesioni Kryegjysh i Krygjshatës Botërore Bektashiane

Haxhi Dede Reshat Bardhi (Lusën, 4 mars 1935Tiranë, 2 prill 2011), ka qenë klerik i lartë bektashi, kryegjysh botëror i bektashinjve nga 1993 deri kur ndërroi jetë.

U lind më 4 mars 1935 në fshatin Lusën të prefekturës së Kosovës, në krahinën e Lumës (sot qarku i Kukësit).

Mësimet e para fetare i ka marrë tek hoxha i fshatit. Më pas ka ndjekur një kurs formimi në Medrese të Tiranës. Përdor gjuhën arabe për nevoja të predikimit e të ritualëve fetare. Më 1954 u dorëzua dervish tek Kryegjyshi Botëror i asaj kohe, Dede Ahmet Ahmataj. Gjatë viteve 1958–1967 ka qënë i internuar së bashku me Dede Ahmetin në Drizar të Mallakastrës. Pas viteve 1967 ka punuar për 23 vjet me radhë, punëtor në Ndërrmarjen Bujqësore „Gjergj Dimitrov“ në Tiranë.

Papa Gjon Pali II takohet me Haxhi Dedë Reshat Bardhi gjatë qëndrimit të tij në Tiranë

Më 1991, bën peligrinazhin tradicional islam (Haxhillëku) në qytetin e shenjtëMekës dhe fiton titullin Haxhi. Po atë vit, me ndihmën dhe bashkëpunimin e Nënë Terezës, rihap Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Më 20 korrik 1993 organizon dhe drejton Kongresin e Gjashtë bektashian, ku shpallet Kryegjysh Botëror i Bektashinjve. Shtatë vjet më vonë, në shtator të vitit 2000, organizon Kongresin e Shtatë të bektashizmit dhe shtator 2005, Kongresin e tetë bektashian. Këto 14 vitet e fundit pas përmbysjes së regjimit komunist, nën kujdesin personal të Dede Reshatit janë hapur e vënë në shërbim të besimtarëve bektashianë rreth 120 objekte kulti, duke realizuar kështu një ringjallje të vërtetë e të fuqishme të besimit bektashian në vendin tonë. Ka marrë pjesë aktive në konferenca e takime ndërkombëtare kushtuar problemeve të mprehta të kohës, si në Gjermani, Itali, Iran, Turqi, Azerbaixhan, Maqedoni, Kosovë etj. Ka luajtur rol të dorës së parë në ruajtjen e mardhënieve tradicionalisht të mira midis komuniteteve e besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri, duke e vështruar tolerancën fetare si domosdoshmëri jetike dhe porsi hyjnore. Ai është nderuar me titullin "Pishtar i Demokracisë", është vlerësuar edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, në lidhje me qëndrimin e prerë kundër aktit barbar të 11 shtatorit 2001, është nderuar edhe nga Papa Gjon Pali II gjatë Konferencës Botërore për një dialog ndërkombëtar për të mirën e Paqes. Në këto vite është nderuar në vendin tonë me tituj të ndryshëm si: Qytetar Nderi i Qarkut të Beratit, Kukësit, të Krujës, të Bulqizës, të Martaneshit dhe në mars të vitit 2005, me rastin e 70 vjetorit të ditëlindjes nga Presidenti i Republikës iu dha Urdhëri "Naim Frashëri i artë".[1]

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. 2012. fq. 155–156. ISBN 978-9928-168-01-6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)